Presidenti Ilir Meta duke folur nga Skrapari i dha të drejtë Kryeministrit Rama, i cili deklaroi dje se protestat po dëmtojnë turizmin. Por ata ndahen në një pikë. Rama e vendos theksin vetem tek protesta, ndërsa Meta i kujton Ramës se kriza politike në tërësi është shkak për rënien e turizmit dhe për këtë duhet të reflektohet urgjentisht.
“Për fat të keq, kriza politike ku ndodhet vendi, po sjell pasoja tepër të rënda edhe në ekonomi. Efektet e para kanë filluar të ndihen në turizëm dhe operatorët e cilësojnë situatën dramatike.
Edhe për këtë arsye ia vlen të reflektohet urgjentisht, përndryshe do të goditet rëndë turizmi dhe gjithë familjet shqiptare që mbështesin mirëqenien e tyre në këtë sektor kyç të ekonomisë tone”, u shpreh sot Presidenti Meta.
Ndërsa dje në mesditë, Kryeministri Rama në konference me gazetarët u shpreh:
“Me qendrime e marshime nuk rrëzohet qeveria aq më pak bombat molotov s’janë alternativë qeverisë. Këto përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sytë e botës dhe për të goditur ekonominë e vendit dhe familjare të atyre që jetojnë në këtë vend. Po diskutoja me një grup të operatorëve të turizmit. Ishin shumë të shqetësuar. Ka anulime të rezervimeve. Ka rënie të potencialit ekonomik. Ka goditje të vendeve të punës”.
/MAPO.al