Presidenti Meta ka kthyer në Kuvendi aktin normativ për Operacionin Forca e Ligjit, të njohur si paketa anti-KÇK. Dekreti presidentit për kthimin pas të këtij ligjit tashmë është depozituar në Kuvend.
Presidenti Meta ka renditur arsyet se përse po e kthen pas këtë ligj aq shumë të trumbetuar nga mazhoranca.
Sipas tij ky akt normativ me fuqinë e ligjit:
Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave;
Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;
Shkel njëherazi disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë;
Shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës;
Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;
Shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
Bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.
“Akti Normativ me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, i Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, i miratuar me Ligjin nr. 18/2020 është miratuar në kundërshtim flagrant me nenin 101 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Akti normativ me fuqinë e ligjit nuk është nxjerrë në kushtet e urgjencës apo të një boshllëku legjislativ, kërkesa këto që diktohen nga parashikimet e nenit 101 i Kushtetutës. Miratimi i këtij akti normativ në shkelje të procedurës kushtetuese dhe të disa të drejtave dhe parimeve themelore të mbrojtura nga Kushtetuta”, – shkruhet ndër të tjera në dekret.
Po sipas presidentit Meta, akti normativ bie ndesh me nenin 7 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Presidenti argumenton se neni 7 i Kushtetutës sanksionon se: “Sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancimin ndërmjet pushteteve ligjvënës, ekzekutiv dhe gjyqësor.”
Më tej Meta shprehet se akti normativ nr.1, datë 31.01.2020, i miratuar me ligjin nr. 18/2020, cenon parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, për sa kohë është nxjerrë një akt me fuqinë e ligjit, pa ekzistuar nevoja dhe urgjenca, duke marrë përsipër Këshilli i Ministrave të rregullojë fusha që janë në kompetencën ekskluzive të Kuvendit dhe kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar.