Presidenti Ilir Meta e përshëndet qëndrimin e partive opozitare për zhvillim të menjëhershëm të zgjedhjeve të parakohshme.
Gjatë takimit të sotëm me kryetarët e partive opozitare, drejtuar nga Lulzim Basha, Meta theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar “puçin” për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Në tavolinë u shtrua edhe çështja e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, për të cilën Meta u shpreh se duhen përmbushur urgjentisht kushtet e Bundestagut, si e vetmja rrugë e sigurt për të bërë realitet ëndrrën evropiane të shqiptarëve.
Njoftimi i Presidencës:
Presidenti I Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta zhvilloi sot një takim me kryetarët e partive të Opozitës së Bashkuar, drejtuar nga Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha.
Presidenti Meta i njohu të gjithë pjesëmarrësit në takim me situaten dramatike të sundimit të ligjit, dhe veçanërisht me zbatimin e njëanshëm antikushtetues të Reformës në Drejtësi.
Manipulimi i procesit të emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke synuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes rrëmbimit të të drejtës kushtetuese të Presidentit të Republikës për të bërë emërimet e tij,është skandali më flagrant i Reformës në Drejtësi dhe shkeljes së Kushtetutës.
Presidenti theksoi se nuk do të lejojë askënd të neutralizojë kompetencat e Presidentit të Republikës, siç ia njeh Kushtetuta e vendit, dhe se do të ndërmarrë çdo veprim për të ndaluar këtë puç kushtetues.
Kreu i Shtetit përshëndeti hapat e ndërmarra nga opozita për miratimin pa asnjë vonesë të reformës zgjedhore, si dhe qëndrimin publik të Opozitës së Bashkuar për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme të menjëhershme, me qëllim kthimin e legjitimitetit të munguar Kuvendit të Shqipërisë dhe rivendosjes së dialogut politik në institucione.
Presidenti Meta vuri në dukje se përmbushja urgjente e kushteve të Bundestagut është e vetmja rrugë e sigurtë për çeljen sa më pare të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian, dhe për ndalimin e shpopullimit dramatik të vendit.