Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të shoqërisë civile, mbi ecurinë e procesit përgatitor të zgjedhjeve të përgjithshme më 25 prill.
Meta u shpreh se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë t’i ngjajë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet e fundit, duke iu referuar pjesëmarrjes masive dhe të lirë. Kreu i shtetit theksoi se zgjedhjet demokratike janë kushti kryesor për integrimin e vendit në BE.
“Besoj se i kemi të gjitha mundësitë si popull dhe si institucione, që të paktën t’i ngjajmë Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me shembullin e dhënë për organizimin e proceseve zgjedhore”, – tha Meta.
“Duhet t’i kushtojmë shumë vëmendje informimit të zgjedhësve. Është shumë e rëndësishme t’i ndërgjegjësojmë qytetarët se në një sistem demokratik, fuqia e tij është vetëm vota e tij” , -vijoi presidenti.
“Çdo demotivim, përgjumje dhe indiferencë e qytetarëve, nuk i shërben as demokracisë dhe as vetë qytetarit, për të qenë aktiv në ndërtimin e sistemit të llogaridhënies. Çdo qytetar që nuk voton, nuk ka të drejtë të ankohet nesër për Qeverinë.” – tha Meta.