Kryetari i Komunitetit Ushtarak të NATO-s, Marshall Sirt Stuart Peach, u prit sot në një takim nga presidenti Ilir Meta dhe më pas nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.
Kreu i shtetit e vlerësoi si legjitime kërkesën e NATO-s për të ndarë në mënyrë të drejtë barrën e përgjegjësive, si dhe theksoi se i ka kërkuar tashmë qeverisë që t’i përmbahet angazhimeve zyrtare të Shqipërisë, duke rritur vit pas viti buxhetin deri në 2% të GDP në vitin 2024.
“Shqipëria është një anëtare e NATO-s, e pozicionuar në mënyrë të vendosur në procesin e integrimit europian, duke pritur që të hapë negociatat e pranimit të saj. Shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre, për t’u bashkuar me NATO-n dhe Bashkimin Europian. Askush nuk mund t’ia ndryshojë rrugëtimin këtij projekti strategjik”- u shpreh Meta, duke siguruar se Shqipëria do të vijojë kontributet saj në misionet në Afganistan, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Mali, Detin Egje, Letoni, Rumani, Mesdhe, etj.
Më tej, presidenti nënvizoi se roli dhe prezenca e NATO-s në rajon është faktor kyç për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, si dhe shprehu mbështetjen e tij ndaj përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për integrimin në NATO dhe ngritjen e Forcave të Armatosura. Këtë të fundit e cilësoi si “kontribut shtesë për sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit”.
Në takimin me Xhaçkën, gjeneral Peach e vlerësoi rolin e Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon dhe kontributin e vendit tonë në misionet e NATO-s. Temë e diskutimit ishte edhe investimi i NATO-s në Bazën Ajrore të Kuçovës, për të cilën dy bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë strategjike që ka ky investim, jo vetëm për Aleancën, por edhe për vendin tonë.