Luiza Gega është nderuar ditën e sotme nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta. Atletja e njohur mori titullin e lartë “Mjeshtër i Madh. Në ambientet e Presidencës u mbaj ceremonia, ndërkohë që titulli u dha me motivacionin: “Për talentin, karakterin dhe profesionalizmin e treguar në arritjen e rezultateve të larta në sportin e atletikës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare, duke shpalosur vlera të mëdha si atlete e niveleve botërore, shembull frymëzimi për të gjithë sportistët e rinj e të reja”.
Presidenti më pas mori fjalën duke vlerësuar sportisten Luiza Gega si një vrapuese të jashtëzakonshme.
“E konsideroj një privilegj të nderoj sot një nga sportistet më të shquara në gjithë historinë e Atletikës shqiptare, vrapuesen e jashtëzakonshme Luiza Gega. Ajo ka dhënë gjithçka për sportin që dashuron aq shumë, për atletikën. Luiza është një atlete e përmasave botërore. Si sportiste ka thyer rekorde, ka fituar në gara të rëndësishme shumë të ndërkombëtare dhe na ka frymëzuar të gjithëve me rezultatet e saj, në kampionatet Botërore, Europiane, Ballkanike e Lojërat Mesdhetare.
Serioziteti e sakrificat në punën e saj janë themeli i sukseseve të shumta. Luiza vazhdon të kontribuojë me performancën e saj, jo vetëm në rezultatet e larta kombëtare dhe ndërkombëtare, por me personalitetin e saj ajo është bërë një shembull i rritjes së identitetit dhe imazhit tonë kombëtar. Luiza është një nga ambasadoret më të mira të kombit tonë, anembanë botës.
Me gjithë sukseset e saj ajo vazhdon të mbetet e përkushtuar dhe besoj që puna e saj dhe në gara të tjera të rëndësishme ndërkombëtare do të jetë objektivi i radhës. Përfitoj nga rasti, për të theksuar se një sportiste e tillë është nder për të gjithë ne. Të nderuar të pranishëm! Sukseset e Luizës, të cilat nuk mbarojnë, jam i bindur që do të marrin një ritëm edhe më të lartë nga sot. Faleminderit Luiza për gjithçka që keni bërë!”.