Aktualitet

Meta nuk dekreton ligjin për Vettingun në Policinë e Shtetit






               Publikuar në : 15:26 - 19/04/19 |
mapo.al

Presidenti Ilir Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend të ligjit për Vettingun në Policinë Shtetit. Në arsyetimet drejtuar Kuvendit, Meta ka renditur disa shqetësime që nga shkrirja e SHÇBA me Komisionin e Vlerësimi e deri te garancia se Vettingu do përfundojë në kohë apo jo. Sipas presidentit, “konstatohet se ky ligj cënon parimet dhe standardet e vendosura në ligjin ekzistues nr.12/2018”.


“Ndryshimet e miratuara me këtë ligj nuk krijojnë garancitë e nevojshme se një proces kaq i rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë hapa pas në raport me standartet e ligjit në fuqi”, argumenton Presidenti Meta.

Në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës ka vendosur që ligji nr. 20/2019 duhet kthyer në Kuvend, me qëllim rishikimin e tij, mbështetur në këto argumente:

Së pari, dispozitat e ligjit nr.20/2019, cenojnë standardet e vendosura dhe pavarësinë e procesit të vlerësimit kalimtar të parashikuar me ligjin nr. 12/2018, si dhe krijon terren që ky proces të ketë ndikim politik. Mekanizmi i ri i miratuar në ligjin nr. 20/2019, sipas të cilit punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) do të kryejnë vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës në fazën e dytë dhe të tretë, nuk garanton standardin e vendosur për realizimin e këtij procesi me objektivitet, pavarësi dhe paanshmëri.

Ka rezultuar se, për hartimin dhe miratimin e këtij ligji kanë bashkëpunuar të gjitha forcat politike në Kuvendin e Shqipërisë si pozita, ashtu edhe opozita. Ky ligj është votuar me 88 vota pro, 1 kundër dhe 32 deputetë kanë abstenuar, duke reflektuar kështu një terren bashkëpunues dhe jo kundërshtues midis forcave politike në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruhet në arsyetim.

Më tej, presidenti thotë se “këto ndryshime në ligj krijojnë bindjen se, qëllimi real i qeverisë në ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore nuk është zvogëlimin i kostove financiare për realizimin e këtij procesi, por vullnet i shprehur i saj, për ta kontrolluar këtë proces nëpërmjet një strukture vlerësuese në varësi të saj, siç është Shërbimi i Çëshjeve të Brendshme dhe Ankesave, strukturë aktuale kjo drejtëpëdrejt në varësi të funksionit politik të Ministrit të Brendshëm, pra të qeverisë. Argumenti i Këshillit të Ministrave se ky mekanizëm i ri garanton të njëjtin standard për të gjithë procesin, pasi punonjësit e SHÇBA-së do t’i nënshtrohen të njëjtit proces në fazë të parë dhe se nuk ndryshojnë kriteret dhe procedurat e vlerësimit, nuk qëndron ligjërisht”.

Presidenti i Republikës, referuar argumenteve të parashtruar me sipër, vlerëson se ligji nr. 20/2019, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme””, nuk mund të dekretohet me shpallje, por i duhet kthyer Kuvendit për rishqyrtim me qëllim rivlerësimin e qëndrimit ndaj kësaj çështjeje me rëndësi të lartë publike.

Së dyti, ligji nr. 20/2019, eleminon detyrimin ligjor për të përfunduar procesin e vlerësimit kalimtar brenda një afati të caktuar, duke krijuar kështu mundësinë e zgjatjes së tij pa afat dhe një terreni të përshtatshëm për mbajtjen nën presion të vazhduar të forcave policore nëpërmjet forcës ndëshkuese të mekanizmit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut) nga struktura e SHÇBA-së.

Kthimi i Dekretit nga Meta

PËR

KTHIMIN E LIGJIT NR. 20/2019

“PËR DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 12/2018, “PËR VLERËSIMIN KALIMTAR DHE PERIODIK TË PUNONJËSVE TË POLICISË SË SHTETIT, GARDËS SË REPUBLIKËS DHE SHËRBIMIT PËR ÇËSHTJET E BRENDSHME DHE ANKESAT NË MINISTRINË E BRENDSHME”.

Në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

D e k r e t o j

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend, të ligjit nr. 20/2019, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.

Nr. Dekreti 11175
Tiranë, më 19.04.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META

Arsyet e kthimit të ligjit nr. 20/2019

“Për disa ndryshime në ligjin 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme””

Të nderuar deputetë,

Kuvendi i Shqipërisë në seancën plenare të datës 28 mars 2019 ka miratuar ligjin nr. 20/2019 “Për disa ndryshime në ligjin 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme””. Ky ligj rezulton të jetë shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Me shkresën e Kuvendit nr. 1390 prot, datë 01.04.2019, ligji nr. 20/2019, i është përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës, për dekretim dhe shpallje.

Nga vlerësimi i praktikës parlamentare rezulton se ky projektligj është propozim i Këshillit të Ministrave dhe është shqyrtuar nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare në cilësinë e Komisionit Përgjegjës në Kuvendin e Shqipërisë.

Shqyrtimi i ligjit nr. 20/2019 nga Presidenti i Republikës është realizuar, duke iu referuar përmbajtjes së aktit të miratuar të dërguar për dekretim dhe shpallje, praktikës parlamentare të shqyrtimit të kësaj nisme ligjore, në krahasim me dispozitat e ligjit bazë nr.12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, si dhe praktikës parlamentare të miratimit të tij.

Institucioni i Presidentit të Republikës vlerësoi përputhshmërinë e këtij ligji, duke bërë një analizë të kujdesshme të përmbajtjes së tij, përsa i takon mekanizmave dhe efekteve që krijohen për aplikimin e tij, në raport me respektimin e parimeve kushtetuese dhe interesin publik.

Referuar relacionit shoqërues të Këshillit të Ministrave që ka shoqëruar propozimin e projektligjit, si dhe raportit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, propozimi dhe miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore ka për qëllim ndryshimin e dispozitave të ligjit ekzistues nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, me synim përshpejtimin e procesit dhe uljen e kostove financiare, pa prekur paanshmërinë, pavarësinë, objektivitetin dhe përputhjen e procesit të vlerësimit me parametrat e procesit të rregullt ligjor.

Sipas praktikës që ka shoqëruar projektiligjin, rezulton e argumentuar qoftë nga Këshilli i Ministrave ashtu dhe nga Komisioni për Sigurinë Kombëtare se elementi i mbështetjes financiare është një nga arsyet që solli vonesa në zbatimin e procesit. Siç relatohet në Raportin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare pas një analize të kryer nga Ministria e Brendshme, tashmë propozohet një mekanizëm i ri për vlerësimin, i cili, mund të arrijë po të njëjtat objektiva, por me më pak kosto për buxhetin e shtetit.

Nga shqyrtimi i përmbajtjes së dispozitave të ligjit nr. 20/2019, rezulton se, në thelb ndryshimet konsistojnë në këto çështje kryesore:

1. Nëpërmjet ligjit të miratuar nr. 20/2019, shkrihen dy nga tre prej institucioneve të vlerësimit kalimtar të krijuara me ligjin nr.12/2018 dhe konkretisht: struktura vlerësuese e Komisionit Qendror të Vlerësimit dhe Komisionit Vendor të Vlerësimit;

2. Nëpërmjet ligjit të miratuar nr. 20/2019, Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) institucion ky në varësi të drejtëpërdrejtë të Ministrit të Brendshëm, do të jetë tashmë struktura, që pas shkrirjes së strukturave aktuale vlerësuese, Komisionit Qendror të Vlerësimit dhe Komisionit Vendor të Vlerësimit, do të kryejë vlerësimin e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës në fazën e dytë dhe të tretë. Pra, SHÇBA-ja do të vlerësojë punonjësit e nivelit të mesëm drejtues dhe të atyre të nivelit bazë, kompetencë të cilën, aktualisht, ligji parashikon se është atribut i Komisionit Qendror të Vlerësimit dhe Komisionit Vendor të Vlerësimit;

3. Nëpërmjet ligjit të miratuar shfuqizohet neni 68 i ligjit aktual në fuqi nr.12/2018, sipas të cilit, procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të përfundojë brenda një periudhe prej 24 muajsh, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra brenda muajit prill 2020. Kështu, me miratimin dhe hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligj, nuk përcaktohet më asnjë afat se kur përfundon procesi i vlerësimit kalimtar të të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit dhe Gradës së Republikës;

4. Nëpërmjet ligjit të miratuar nr. 20/2019, parshikohet që të gjithë punonjësit e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA), do të kalojnë vlerësimin në fazën e parë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit.

Nga shqyrtimi i ligjit nr. 20/2019, konstatohet se ky ligj cenon parimet dhe standardet e vendosura në ligjin ekzistues nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”. Ndryshimet e miratuara me këtë ligj nuk krijojnë garancitë e nevojshme se një proces kaq i rëndësishëm si vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës, do të realizohet në kohën e duhur, me objektivitet dhe paanshmëri, duke bërë hapa pas në raport me standartet e ligjit në fuqi.

Rishikimi i ligjit ekzistues nr. 12/2018, nëpërmjet ligjit të miratuar nr. 20/2019, bën të mundur që, kompetencat e realizimit të procesit të vlerësimit kalimtar të forcave policore dhe atyre të Gardës së Republikës, t’u hiqen komisioneve të pavarura teknike dhe t’i jepen Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, një organ ky në varësi të drejtëpërdrejtë të Ministrit të Brendshëm.

Bazuar në sa më sipër, dhe për arsyet e parashtruara në vijim, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, Presidenti i Republikës, ka vendosur që ligji nr. 20/2019, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme””, duhet kthyer në Kuvend, me qëllim rishikimin e tij, mbështetur në argumentet e renditura si më poshtë:

I. Së pari, dispozitat e ligjit nr.20/2019, cenojnë standardet e vendosura dhe pavarësinë e procesit të vlerësimit kalimtar të parashikuar me ligjin nr. 12/2018, si dhe krijon terren që ky proces të ketë ndikim politik. Mekanizmi i ri i miratuar në ligjin nr. 20/2019, sipas të cilit punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) do të kryejnë vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës në fazën e dytë dhe të tretë, nuk garanton standardin e vendosur për realizimin e këtij procesi me objektivitet, pavarësi dhe paanshmëri.

Para së gjithash, është me vend të sillet në kujtesë se Kuvendi i Shqipërisë në datën 05.03.2018, ka miratuar ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”. Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare të miratimit të këtij ligji një vit më parë, ka rezultuar se, për hartimin dhe miratimin e këtij ligji kanë bashkëpunuar të gjitha forcat politike në Kuvendin e Shqipërisë si pozita, ashtu edhe opozita. Ky ligj është votuar me 88 vota pro, 1 kundër dhe 32 deputetë kanë abstenuar, duke reflektuar kështu një terren bashkëpunues dhe jo kundërshtues midis forcave politike në Kuvendin e Shqipërisë. Pas miratimit të tij nga Kuvendi, ligji nr. 12/2018, është shqyrtuar nga Presidenti i Republikës, i cili, me Dekret nr. 10747, datë 20.3.2018, ka vendosur shpalljen e tij.

Qëllimi i ligjit nr. 12/2018, është vlerësimi kalimtar dhe periodik i punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, për të siguruar institucione të forta e të besueshme, me profesionistë me integritet. Ligji nr. 12/2018, parashikon qartë institucionet që do të realizojnë vlerësimin kalimtar të punonjësve, subjekt të ligjit si, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, Komisioni Qendror i Vlerësimit, Komisioni Vendor i Vlerësimit dhe Trupat e Posaçme të Vlerësimit, por edhe përbërjen, kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes dhe emërimit të të gjithë anëtarëve të këtyre institucioneve të rivlerësimit, të cilët do të duhet të përfundonin të gjithë këtë proces brenda 24 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij. Sipas ligjit nr. 12/2018, miratuar një vit më parë, procesi i vlerësimit kalimtar të forcave policore do të realizohet në 3 faza ku:

Faza e parë e vlerësimit do të kryhet nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, që do të vlerësojë punonjësit që mbajnë grada apo funksione të larta në Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe në Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, konkretisht sipas analizës së kryer, ky komision do të vlerësojë 287 punonjës;

Faza e dytë e vlerësimit do të kryhet nga Komisioni Qendror i Vlerësimit dhe përfshin vlerësimin e 2700 punonjësve të strukturave të Policisë së Shtetit dhe 115 punonjës të Gardës së Republikës që mbajnë gradat të nivelit të mesëm drejtues. Sipas ligjit aktual në fuqi, Komisioni Qëndror i Vlerësimit përbëhet nga 45 anëtarë, 15 prej të cilëve janë anëtarët e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, ndërsa 30 anëtarët e tjerë përzgjidhen nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, me procedurë të hapur konkurrimi, ndërmjet punonjësve me grada të larta, të cilët kanë kaluar me sukses procesin në fazën e parë;

Faza e tretë e vlerësimit do të kryhet nga Komisioni Vendor i Vlerësimit, i cili vlerëson 9000 punonjës të Policisë së Shtetit pranë strukturave vendore të Policisë së Shtetit dhe punonjësit e Gardës së Republikës, me përjashtim të punonjësve që vlerësohen nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe Komisioni Qendror i Vlerësimit. Sipas ligjit, aktual në fuqi Komisioni Vendor i Vlerësimit përbëhet nga 135 anëtarë, 45 prej të cilëve janë anëtarët e Komisionit Qendror i Vlerësimit, ndërsa 90 anëtarët e tjerë përzgjidhen nga radhët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nga Komisioni Qendror i Vlerësimit, me procedurë të hapur konkurrimi që kanë kaluar me sukses procesin e vlerësimit në fazën e dytë.

Ngritja e këtyre strukturave të parashikuara në ligjin nr. 12/2018, mënyra e përzgjedhjes dhe e funksionimit të tyre janë vlerësuar se garantojnë besueshmëri, pavarësi dhe paanshmëri në realizimin e këtij procesi që mbështetet në praktikat më të mira ndërkombëtare. Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare rezulton se në hartimin e projektligjit fillestar ka pasur edhe përfaqësues të organizatave partnere ndërkombëtare, si misioni PAMECA dhe ICITAP.

Tashmë me kalimin e një periudhe 1-vjeçare nga miratimit i ligjit bazë me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Shqipërisë më datë 28.03.2019, ka miratuar ligjin nr. 20/2019 “Për disa ndryshime në ligjin 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme””.

Nga shqyrtimi i praktikës parlamentare, rezulton se kjo nismë legjislative është propozuar nga Këshilli i Ministrave, pas një analize të kryer nga Ministria e Brendshme dhe nuk rezulton që, për këto ndryshime thelbësore në ligj, të jetë kryer ndonjë konsultë me organizatat partnere ndërkombëtare, si misioni PAMECA dhe ICITAP, të cilat kanë qenë aktive dhe kanë dhënë kontributin e tyre në hartimin e ligjit nr.12/2018, aktualisht në fuqi.

Gjithashtu, për këto ndryshime nuk rezulton të jetë kryer as edhe ndonjë seancë konsultimi publik në kushtet kur ndryshimet që parashikohen janë të një natyre shumë të rëndësishme, pasi prekin drejtpërdrejt strukturat që do të realizojnë procesin e vlerësimit kalimtar, si dhe heqin afatet brenda të cilit do të duhet të përfundojë ky proces për punonjësit subjekt të ligjit. Për më tepër rezulton se ligji nr. 20/2019, është shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Ashtu si është cituar edhe më sipër, sipas parashikimeve të dispozitave të ligjit nr. 20/2019, objekt shqyrtimi, rezulton se shkrihen organet e vlerësimit: Komisioni Qendror i Vlerësimit dhe Komisioni Vendor i Vlerësimit, të cilët ishin përgjegjës për realizimin e fazës së dytë dhe të tretë të procesit, duke parashikuar si organ për kryerjen e vlerësimit kalimtar për këto faza, Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme.

Si rezultat i këtyre ndryshimeve, shuhet automatikisht edhe koncepti i krijimit të Trupës së Posaçme të Vlerësimit, strukturë që krijohet pranë Komisionit Qendror të Vlerësimit dhe Komisionit Vendor të Vlerësimit për vlerësimin e atyre punonjësve, njësive apo strukturave, përbërja apo tipologjia e punës së të cilave, nuk mund të jetë pjesë publike.

Nga shqyrtimi i relacionit të Këshillit të Ministrave dhe raportit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, i vetmi argument se ku mbështeten këto ndryshime në ligj që krijojnë një mekanizmin të ri për vlerësimin kalimtar, parashtrohet tek fakti se: “Këto ndryshime propozohen me arsyetimin e uljeve të kostove të procesit dhe zotimin domethënës të burimeve materiale dhe atyre njerëzore, arsye që sollën vonesa në zbatimin e procesit të vlerësimit”. Sipas relacionit të qeverisë në momentin e propozimit të ligjit aktual nr.12/2018, procesi i vlerësimit u parashikua se do të kushtonte rreth 300 milionë lekë ose rreth 3 milionë dollarë.
Në shqyrtim të përmbajtjes së dispozitave të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, në ligjin nr. 20/2019, dhe praktikës parlamentare që ka shoqëruar ligjin bazë nr.12/2018, rezulton se arsyetimi mbi të cilin propozohen këto ndryshime aktuale nuk gjen mbështetje dhe janë pasojë e një vlerësimi jo të thelluar e objektiv.

Konkretisht; ndryshimet e miratuara me ligjin nr. 20/2019, cenojnë në mënyrë të paargumentuar frymën e ligjit nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”, si dhe qëllimin në arritjen e objektivave për kryerjen me efektivitet, paanësi dhe sipas standardeve, të procesit të vlerësimit kalimtar të subjekteve që i nënshtrohen këtij procesi, për të cilin ky ligj u miratua.

Në relacionin e Këshillit të Ministrave të muajit shkurt 2018, që shoqëronte propozimin e projektligjit të miratuar nga Kuvendi me ligjin nr. 12/2018, në pjesën e raportit të vlerësimit të të ardhurave dhe shpenzimeve buxhetore, qeveria i garantonte Kuvendit, sigurimin e efekteve financiare që sillte ligji, që lidhen me trajtimin financiar të anëtarëve të organeve të vlerësimit kalimtar dhe të sekretariateve teknike përkatëse, por edhe angazhimin e burimeve njerëzore dhe financiare për realizimin e këtij procesi.

Konkretisht; nga përllogaritjet që kishte kryer qeveria garantonte mbulimin e shpenzimeve për vitin 2018, që arrinte përafërsisht në vlerën 58 milionë lekë, ndërsa për shpenzimet e parashikuara për komisionet që do të funksionojnë përgjatë vitit 2019 ku vlera e tyre është rreth 478 milionë lekë, do të përfshiheshin në llogaritjet e PBA-së 2019-2021. Ministria e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj do t’u garantonin organeve të vlerësimit mjediset e punës dhe logjistikën e nevojshme për të ushtruar detyrën.

Ndërkohë sot, Këshilli i Ministrave, relaton përpara Kuvendit një qasje tërësisht të ndryshme, pa kaluar as edhe një vit nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 12/2018, duke argumentuar se vetë elementi financiar ishte një nga arsyet që solli vonesa në zbatimin e procesit.

Ky argument i qeverisë dhe i pranuar nga Kuvendi, nuk është bindës dhe nuk mund të pranohet nga Presidenti i Republikës. Mungesa e fondeve nuk përbën argument për të cenuar thelbin e një procesi me interes të lartë publik. Vlerësimi i kostove që paraqet ndërmarrja e një nisme legjislative përcaktohet që prej fillimit në çastin kur ndërmerret nisma e ligjit bazë.

Është detyrë e Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqipërisë që të garantojnë të gjithë mbështetjen financiare të nevojshme për realizimin e një qëllimi kaq madhor, siç është vlerësimi kalimtar i trupës policore.

Arsyetimi se realizimi i procesit të vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme kursen buxhetin e shtetit, duke zvogëluar kostot shtesë, nuk është i mbështetur dhe nuk është aspak në koherencë me interesin e lartë publik që paraqet ky proces, për të garantuar një polici me integritet, profesionale dhe të paanshme.

Këto ndryshime në ligj krijojnë bindjen se, qëllimi real i qeverisë në ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore nuk është zvogëlimin i kostove financiare për realizimin e këtij procesi, por vullnet i shprehur i saj, për ta kontrolluar këtë proces nëpërmjet një strukture vlerësuese në varësi të saj, siç është Shërbimi i Çëshjeve të Brendshme dhe Ankesave, strukturë aktuale kjo drejtëpëdrejt në varësi të funksionit politik të Ministrit të Brendshëm, pra të qeverisë.Argumenti i Këshillit të Ministrave se ky mekanizëm i ri garanton të njëjtin standard për të gjithë procesin, pasi punonjësit e SHÇBA-së do t’i nënshtrohen të njëjtit proces në fazë të parë dhe se nuk ndryshojnë kriteret dhe procedurat e vlerësimit, nuk qëndron ligjërisht.

Edhe nëse punonësit e Shërbimit të Çëshjeve të Brendshme dhe Ankesave do të kalojnë vlerësimin kalimtar gjatë fazës së parë në cilësinë e subjekteve përparësore, sërish nuk ndryshon fakti ligjor i statusit të kësaj strukture, ku në nenin 8 të ligjit nr. 70/2014, “Për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme” ku citohet: “Shërbimi është person juridik publik, strukturë e veçantë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit”, duke sjellë kështu dhe ndikimin e drejtëpërdrejtë politik në këtë strukturë.

Në këtë mënyrë, edhe pse sipas ligjit nr. 20/2019, punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat përfshihen në rrethin e subjekteve që do të rivlerësohen me prioritet, sërish kalimi me sukses i këtij procesi, nuk ndryshon aspak varësinë e tyre nga një funksion politik si Ministri i Brendshëm. Në këto kushte, dhënia e kompetences për të kryer procesin e vlerësimit kalimtar për fazën e dytë dhe të tretë është një premisë e qartë se procesi mund të ndikohet politikisht.

Realizimi i procesit të vlerësimit kalimtar të forcave policore nga struktura profesionale dhe të pavarura erdhi si nevojë edhe për shkak të faktit që strukturat ekzistuese ku përfshihet dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, nuk kishin funksionuar siç duhet.

Ky ndryshim që pretendohet të realizohet në ligjin e sapomiratuar nr. 20/2019, për t’i dhënë SHÇBA-së, kompetenca për të realizuar vlerësimin kalimtar në polici është një hap mbrapa dhe cenon haptazi standardet e vendosura nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin nr. 12/2018 dhe vet integritetin e procesit në tërësi.

Këto ndryshime të miratuara me ligjin nr. 20/2019, nuk garantojnë të njëjtën pavarësi dhe paanshmëri, që parashikon ligji nr.12/2018, sa kohë që ndryshon struktura që do të realizojë atë, nga një strukturë profesionale me përbërje me profesionistë të jashtëm dhe teknikë, në një strukturë në varësi direkte të një autoriteti politik, si Ministri i Brendshëm.

Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë në çastin e miratimit të ligjit bazë nr. 12/2018, kanë mbajtur qëndrimin se vlerësimi kalimtar i punonjësve të Policisë së Shtetit, është domosdoshmëri në kuadrin edhe të hapave të hedhura nga reforma në drejtësi dhe, specifikisht, të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke marrë në konsideratë rolin e rëndësishëm dhe përfshirjen e Policisë së Shtetit në hetimet ndaj veprave penale.

Pikërisht, referuar këtij qëndrimi, dhe mbështetjes së sistemit të drejtësisë në tërësi, vlerësimi kalimtar i forcave policore përbën një interes të lartë publik dhe për këtë arsye mekanizmat apo strukturat që duhet ta realizojnë këtë proces duhet të jenë sa më larg ndikimit politik, për të bërë të mundur që ato të ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar me qëllim që të garantohet integriteti dhe besueshmëria e të gjithë procesit.

Presidenti i Republikës, referuar argumenteve të parashtruar me sipër, vlerëson se ligji nr. 20/2019, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme””, nuk mund të dekretohet me shpallje, por i duhet kthyer Kuvendit për rishqyrtim me qëllim rivlerësimin e qëndrimit ndaj kësaj çështjeje me rëndësi të lartë publike.

II. Së dyti, ligji nr. 20/2019, eleminon detyrimin ligjor për të përfunduar procesin e vlerësimit kalimtar brenda një afati të caktuar, duke krijuar kështu mundësinë e zgjatjes së tij pa afat dhe një terreni të përshtatshëm për mbajtjen nën presion të vazhduar të forcave policore nëpërmjet forcës ndëshkuese të mekanizmit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut) nga struktura e SHÇBA-së.

Në nenin 9, të ligjit nr. 20/2019, parashikohet shfuqizimi i nenit 68 i ligjit nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”,

Konkretisht, në këtë dispozitë që shfuqizohet parashikohet shprehimisht: “Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat do të përfundojë brenda një periudhe prej 24 muajsh, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji”.

Referuar kohës së hyrjes në fuqi të ligjit nr. 12/2018, sipas nenit 68, parashikohej ligjërisht që i gjithë procesi i vlerësimit kalimtar duhet të përfundojë brenda muajit prill 2020.

Në këtë mënyrë, sipas parashikimit të nenit 9 të ligjit nr. 20/2019, eleminohet afati 2-vjeçar për përfundimin e procesit për vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat.

Në relacionin shoqërues të Këshillit të Ministrave dhe raportin e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, nuk gjendet aspak e justifikuar, përse po hiqet afati i përgjithshëm ligjor për përfundimin e procesit të vlerësimit kalimtar. Në të dy këto dokumente si qeveritar, ashtu dhe atij parlamentar, përmendet vetëm fakti se eleminohet afati 2-vjeçar për përfundimin e procesit, sepse procesi në vetvete filloi me gati 9 muaj vonesë dhe nuk mendohet që ky afat 2-vjeçar mund të respektohet.

Ky argument nuk qëndron, pasi në mungesë të mundësisë për ta përmbyllur brenda afateve ligjore tërësisht procesin e vlerësimit kalimtar, Kuvendi mund dhe duhet të kishte vlerësuar faktin se ky afat edhe mund të shtyhej sipas nevojës dhe vonesës së deritanishme, por nuk mundet kurrësesi që afati i parashikuar në ligjin ekzistues, të hiqet fare, pasi kjo është e papranueshme.

Nëse do të bëjmë një analogji të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është përcaktuar në Kushtetutë dhe në ligjet respektive se ky proces realizohet brenda një afati të caktuar me ligj. Afatet e përcaktuara qartësojnë objektivat, ristrukturojnë përparësitë dhe kanalizojnë dhe orientojnë burimet për përmbushjen e qëllimit, i cili në rastin konkret, është imediat dhe me interes kombëtar.

Paralelisht me realizimin e procesit të vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, shteti shqiptar duhet të realizojë edhe vlerësimin kalimtar të forcave policore, pasi ato janë struktura bazë që kryejnë veprimtari gjurmuese, parandaluese dhe hetimore.

Zgjatja e këtij procesi me një afat të papërcaktuar, përveç se nuk përkon me nevojën imediate që ka shteti shqiptar për një Polici Shteti të vetuar dhe që të ketë kaluar procesin e vlerësimit kalimtar (vetting-ut), por nga ana tjetër, krijon gjendje pasigurie të tejzgjatur për çdo punonjës subjekt i ligjit, referuar faktit nëse do ta kalojë apo jo procesin e vetting-ut.

Pikërisht, kjo gjendje pasigurie me afat të papërcaktuar e kombinuar edhe me faktin që struktura që do të duhet ta realizojë procesin e vetting-ut është SHÇBA-ja, një strukturë në varësi direkte të një funksionari politik, ndikon dre

jtëpërdrejt në rezultatet dhe punën e forcave policore, të cilat nën një situatë të tillë pasigurie dhe tensioni, mund të humbasin vigjilencën, mund të ulin angazhimin e tyre përkundrejt luftës kundër kriminalitetit në vend, ndërkohë që presioni i çfarëdo natyre, ekonomik apo politik, është gjithmonë i pranishëm në shoqërinë tonë. Kjo situatë pasigurie e personelit policor është e pritshme të keqpërdoret së tepërmi në situata të veçanta, sidomos përgjatë proceseve zgjedhore.

Në këtë mënyrë heqja e afatit fundor se kur ky proces vlerësimi kalimtar duhet të përfundojë e përkeqëson situatën në këtë drejtim.

Mospërcaktimi i kohës së mbylljes së procesit të vlerësimit kalimtar (vetting-ut), krijon terren që ky proces të përdoret si një mekanizëm ndëshkimor, apo shantazhues për gjithë strukturën policore, çka mund të sjellë një situatë shqetësuese në këtë strukturë. Konkretisht, mospërcaktimi i afatit se kur përfundon procesi vetting mund të sjellë:

a) rrezikun e ndikimit dhe presionit të vazhduar ndaj veprimtarisë së përditshme të forcave policore;

b) mund ta zgjasë kohën e qëndrimit brenda forcave policore të individëve që nuk e meritojnë të jenë pjesë e Policisë së Shtetit dhe Gardës së Republikës dhe që, për shkak të profilit të tyre, janë lehtësisht të shantazhueshëm;

Nevoja që kohëzgjatja të jetë e arsyeshme dhe me afat të përcaktuar qartë në procese të tilla, si këto të vlerësimit kalimtar (vetting-ut), është arsyetuar edhe nga Komisioni i Venecias gjatë dhënies së komenteve dhe opinioneve në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë. Komisioni i Venecias gjithmonë ka rekomanduar se duhet përcaktuar në mënyrë të arsyeshme dhe të qartë kohëzgjatja e procesit të vetuing-ut, pasi ky proces është një masë e jashtëzakonshme me karakter të përkohshëm. Edhe sipas nenit 68, të ligjit nr. 12/2018 që është aktualisht në fuqi, është parashikuar që i gjithë procesi përfundon brenda 24 muajve dhe në këtë mënyrë, gjithëkush e di që brenda këtij afati do të marrë një përgjigje përfundimtare, nëse do të vijojë të jetë pjesë e forcave policore ose jo.

Heqja tërësore e afatit se kur përfundon ky proces, bie në kundërshtim të hapur me interesin publik që ka vetë realizimi i tij, por gjithashtu edhe me respektimin e të drejtave të subjekteve që do t’i nënshtrohen atij.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,

Nisur nga problematikat e sipërpërmendura, në krahasim me sfidat e vendit tonë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian që kërkojnë domosdoshmërisht forcimin e institucioneve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës me punonjës profesionistë dhe me integritet, të aftë për të përmbushur detyrat për një luftë sa më efikase kundër terrorizmit, krimit të organizuar, korrupsionit dhe përmirësimit të standardeve të rendit e të sigurisë, në cilësinë e Presidenti të Republikës, vlerësoj se kostot financiare të parashikuara për realizimin e procesit të vlerësimit kalimtar në këto struktura, janë të domosdoshme dhe duhet të përballohen nga qeveria për përmbushjen e qëllimit të ligjit nr. 12/2018, dhe pa ndryshuar mekanizmin e realizimit të tij siç pretendohet të realizohet me ligjin nr. 20/2019, por duke i mbështetur realisht këto struktura.

Zbatimi i ligjit nr. 12/2018, është jetik dhe i domosdoshëm për vijimin e rrugës së nisur nën frymën dhe qëllimin e reformës në drejtësi. Si President i Republikës, vlerësoj se këto qëllime mund të realizohen nëpërmjet organeve vlerësuese të pavarura, të paanshme dhe efektive dhe që aktualisht parashikohen nga ligji në fuqi që pretendohet të ndryshohet.

Për arsyet e parashtruara më sipër, në bindje të Kushtetutës dhe në ushtrim të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të saj, kam vendosur kthimin e ligjit nr. 20/2019, “Për disa ndryshime në ligjin 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme””, me qëllim që Kuvendi i Shqipërisë ta marrë edhe një herë në shqyrtim këtë çështje me rëndësi të lartë publike.


Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Pas