Presidenti Ilir Meta ka thënë sot në konferencën për mediat se, nuk ka asnjë kuriozitet për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.
“Skam asnjë kuriozitet për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm”, tha Meta, teksa u pyet nga gazetarët.
Kujtojmë se, dje, kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj tha që, mazhoranca nuk dëshironte një proces transparent, për zgjedhjen e Presidentit.
Ai tha se ishte gati që propozoheshin katër kandidatura dhe PS të zgjidhte dy pre tyre. Në raundin final me konsensusin e palëve do të vendosej për Presidentin e ri.
“Sa e morën vesh kush ishin emrat dje, profile të larta të pakorruptuara, unë besoj se këto ishin garancitë që ata kishin. Panë emrat, panë që asnjë nga ata nuk mund ta peshkonin dhe u tërhoqën”, u shpreh Alibeaj.
Ndërsa, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se, kandidatët e propozuar nga opozita duhet të vinin edhe me firmat e nevojshme të deputeteve të opozitës që i propozonin, siç e parashikon kushtetuta.
“Unë e kam thënë disa herë që procesi të ruajë integritetin e tij, që kandidati që propozon opozita të mbështetet me firma vetëm nga opozita, unë mendoj se çdokush na mirëkupton”, u shpreh Balla.
Në Kuvend dështoi raundi i parë për zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk do të ketë konsensus do të dështojnë edhe dy raundet e tjera, ndërsa PS në raundin e katërt i ka votat e mjaftueshme për të zgjedhur presidentin e ri.
Kushtetuta parashikon që zgjedhja e Presidentit të zhvillohet 7 ditë nga zhvillimi i raundit të parë. Kështu, më 23 maj dhe më 30 maj janë parashikuar të zhvillohen raundi i dytë dhe i tretë. Për aq kohë sa deri në raundin e tretë kërkohen 84 vota për të zgjedhur pasuesin e Ilir Metës, konsensusi mes mazhorancës qeverisëse dhe opozitës është kusht. /Liberale.al