Presidenti Ilir Meta paralajmëron me protesta popullore për të disatën herë kryeministrin Edi Rama.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Meta komunikon përmes vargjeve të poetit kombëtar Migjeni, i cili sot ka 109-vjetorin e lindjes.
Ai i cilëson si një urgan të përhershëm frymëzimi dhe kushtrimi, që burojnë nga dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve të thjeshtë.
“Të ardhmes europiane të vendit, i është vendosur para një “Mal që s’bëzanë” sterrë i zi, i ngritur mbi shkatërrimin e shtetit dhe dinjitetit njerëzor, mbi korrupsionin e llahtarshëm dhe përdhosjen e çdo vlere kombëtare”, shkruan kreu i shtetit, duke iu referuar qeverisë “Rama”.
E ardhmja e denjë po vjen shumë shpejt, përfundon Meta.
Postimi i presidentit Ilir Meta në “Facebook”:
Vargjet e poetit tonë kombëtar, Migjeni, janë një urgan i përhershëm frymëzimi dhe kushtrimi, që burojnë nga dhimbjet dhe vuajtjet e njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk e durojnë dot shtypjen dhe padrejtësinë.
Ato simbolizojnë grushtin e fuqishëm të revoltës mbarëpopullore në çdo kohë, kundër së keqes, mjerimit, padrejtësisë, shfrytëzimit, dhunës, korrupsionit, arrogancës dhe mashtrimit politik.
Sot, në 109-vjetorin e lindjes së Migjenit, vargjet e tij vijnë më aktuale se kurrë.
Të ardhmes europiane të vendit, i është vendosur para një “Mal që s’bëzanë” sterrë i zi, i ngritur mbi shkatërrimin e shtetit dhe dinjitetit njerëzor, mbi korrupsionin e llahtarshëm dhe përdhosjen e çdo vlere kombëtare.
Por veç shprehjes së dhimbjes e revoltës, Migjeni ynë i madh ka konstruktuar në vargjet e tij edhe shpresën për një të ardhme të denjë kombëtare dhe njerëzore që është gati dhe po vjen shumë shpejt.
Aq bukur ajo shprehet në vargjet:
“Rini, thueja kangës ma të bukur që di!
Thueja kangës sate që të vlon në gji.
Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!
Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.”