Presidenti Ilir Meta në përfundim të Samitit tha se Kosova dhe Serbia duhet të ecin në shembullin e Maqedonisë e Greqisë për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes tyre dhe për të finalizuar marrëveshjen.
Në një status në facebook ai shkruan se “ngjashëm me shembullin e Marrëveshjes së Prespës, mbeten jetike dhe të domosdoshme si bashkëpunimi i përgjegjshëm dhe serioz ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, ashtu edhe një koordinim më i mirë ndërmjet Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës🇺🇸 mbi perspektivën e dialogut dhe të rajonit.
Shqipëria do të mbështesë përpjekjet e institucioneve të Kosovës për t’u riangazhuar në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Një proces konstruktiv ka potencialin të prodhojë marrëveshjen përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme, tërësore dhe të zbatueshme, që normalizon plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe kontribuon për paqen, stabilitetin e perspektivën europiane të rajonit”, shkruan ai.
Kujtojmë se në fillim të këtij viti u arrit Marrëveshja e Prespes që i dha fund polemikave disa vjeçare me Greqinë për emrin e Maqedonisë që tashmë quhet Maqedonia e Veriut.