Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në Presidencë kryenegociatorin me BE, Zef Mazi. Takimi mësohet se ka nisur prej orës 12:00 dhe është në funksion të prezantimit në lidhje me çështjet e integrimit të vendit në Bashkimin Europian.
Kryenegociatori Mazi e paralajmëroi më herët këtë takim, duke thënë se bashkëpunimi me kreun e shtetit do të jetë në mënyrë konstante
“E fillova këtë post pas vendimit të qeverisë në distancë për shkak të Covid. Lëvizjen në Evropë filluan pardje dhe dje është dita e parë e punës këtu në zyrë. Me Presidentin e Republikës unë njihem, e kam pasur dhe kryeministër dhe ministër të jashtëm dhe ai më njeh. E vlerësoj çfarë ka thënë për profesionalizmin tim.
Bashkëpunimi me Presidentin do të jetë në mënyrë konstante, është pjesë e institucioneve kryesore që drejtojnë shtetin tonë dhe unë do të mbaj kontakte me të. Nuk kam pasur mundësi fizike të konstatoj me të, por do të jetë në 2-3 ditët e para të punës sime, nesër, ditën e hënë, në varësi të orarit që ka Presidenti. Lidhur me pikat e Presidentit, detyra ime nuk është të komentoj, por të zbatoj mandatin si kryenegociator”.
Pritet që pas takimit të ketë edhe një dalje për mediat të presidenti Meta dhe kryenegociatorit Mazi.
Mazi ka deklaruar se do të takohet edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha.