Kryetari i partisë së sapokrijuar, Liria, e ka bërë të qartë misionin e tij politik në të ardhmen, madje duke filluar nga shtatori. Ish-presidenti Ilir Meta ka prezantuar sot ‘Koordinatoren Kombëtare të Luftës kundër Korrupsionit në Partinë e Lirisë”, – dhe tha se ajo është, – “gati për stinën më të nxehtë të denoncimeve”.
Ajo është një emër i njohur për publikun. Brisida Shehaj ka qenë më herët drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve. Shehaj e mbajti këtë detyrë për tre vite gjatë bashkëqeverisjes së parë PS+LSI. Në atë kohë, edhe pse e re në moshë, “Rilindja” pretendoi se kishte zbuluar një talent për të drejtuar si duhej një nga institucionet më të rëndësishme, me qëllim, për të luftuar korrupsionin dhe nepotizmin, fenomene të cilat prekin shpesh institucionet tona ku qarkullojnë apo administrojnë paratë, si dhe e aftë për mbledhur në kohë të ardhurat nga tatimet. Nuk u bë publike arsyeja e krisjes mes Brisida Shehajt dhe drejtuesve të PS-së, pas marrjes së mandatit të dytë.
Brisida Shehaj u bë pjesë e LSI para zgjedhjeve të 25 prillit 2025 dhe madje ishte kandidate për deputete në radhët e kësaj partie. Me ndryshimin e emrit dhe me marrjen e drejtimit të partisë nga Ilir Meta, vetëm dy ditë pasi ai dorëzoi ‘kostumin’ e Presidentit, Shehaj bëhet kështu një nga drejtueset kryesore të misionit që do të ketë partia e re e ish-kreut të shtetit.
“Me Brisida Shehaj, Koordinatoren Kombëtare të Luftës kundër Korrupsionit në Partinë e Lirisë, gati për stinën më të nxehtë të denoncimeve”, Ilir Meta, tashmë në krye të partisë “Liria”, tha Meta.
“Edhe pse Qeveria pushon, vjedhjet, grabitjet, falsifikimet nuk pushojnë asnjë sekondë”.
“Revolucioni Antikorrupsion nuk ndalet deri në rivendosjen e Llogaridhënies dhe NDËSHKIMIT”, shkroi në një postim në Facebook ish-kreut i shtetit teksa prezantoi edhe ‘Koordinatoren e re Kombëtare të Luftës kundër Korrupsionit në Partinë e Lirisë”, siç e quajti ai detyrën e re të cilën ia ka besuar ish-drejtoreshës së Tatimeve.
Krahas Metës dhe Shehajt në prezantim ishte edhe ish-diplomati Agim Nesho, i cili po ashtu është bërë pjesë e forumeve drejtuese të partisë Liria.