Presidenti Ilir Meta tha se grabitja e Rinasit është ngjarje e rëndë. Sipas tij prej 1 viti ka ngritur këtë shqetësim, sidomos për garantimin e sigurisë në aeroportin Nënë Tereza, mangësitë në akses dhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në raste rreziku. Ndryshe nga ministrat, Baluku, Lleshi e Xhacka që fajësuan koncesionarin kinez, Meta thotë se kanë çeduar institucionet.
Deklarata e Metës
“Nisur nga ngjarja tronditëse e grabitjes së djeshme ndiej detyrimin dhe përgjegjësinë për këtë komunikim të drejtpërdrejt me ju dhe qytetarët. Përsëritja e kësaj ngjarje brenda një objekti të sigurisë së veçantë është e papranueshme. Si vend anëtar i NATO-s kemi detyrimin të garantojmë dhe standardet më të larta të sigurisë. Si kryetar i Këshillit të Sigurisë kombëtar në 16 maj të vitit 2018 kam organizuar mbledhjen e këtij këshilli me objekt gjendjen e sigurisë kombëtare.
Pika e tretë e axhendës së këtij takimi ishte pikërisht raporti për pikat strategjike portuale dhe aeroportuale të Republikës së Shqipërisë. Kam ngritur shqetësimin lidhur me mungesën e përgjegjësive të qarta që viheshin re mbi garantimin e sigurisë në aeroportin Nënë Tereza, mangësitë në akses dhe ndërhyrjen e Policisë së Shtetit në raste rreziku”, deklaroi Presidenti.