Pas konsultimeve me partitë politike, pritet që Presidenti Ilir Meta të shpallë sot datën e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021. Ashtu siç është përcaktuar në Kodin e ri, periudha zgjedhore është mes datave 15 prill – 15 maj, dhe 15 shtator -15 tetor.
Zgjedhjet parlamentare do të bëhen në periudhën e parë zgjedhore, atë të Pranverës.
Partitë politike nuk duket se kanë patur kërkesa apo preferenca të veçanta, përpos faktit se kriza politike në vend, imponon që zgjedhjet të bëhen sa më shpejt të jetë e mundur.
Siç u raportua në lajme, Edi Rama ka thënë gjatë takimit dje me kreun e shtetit se ishte në favor të çdo date, përveç të dielës së 2 Majit, që janë Pashkët Ortodokse.
Burime nga Presidenca, bëjnë me dije për gazetën Mapo, se Meta pas konsultimeve ka konkluduar për datën 25 prill të vitit 2021, që është e Diela e fundit e atij muaji.
Burimet po ashtu bëjnë me dije, se Presidenti do ta shpallë këtë, sot gjatë ditës.