Presidenti Ilir Meta ka folur për një tjetër manifestim pas atij të 2 Marsit, duke deklaruar se ky do jetë i fundit për t’i dhënë fund dhunës së kësaj qeverie. Meta u shpreh se nuk merret me inskenime dhe maskarada ndërsa u solidarizua me gazetarët për shoqërimet në protestat e ditëve të fundit.
“Nuk ka në krye të shtetit president palaço. Ka një president që kur e thotë një fjalë e çon deri në fund. Ka bërë një manifestim me mimoza dhe i ka bërë një thirrje popullit. Nuk merret me inskenime dhe maskarada ndaj dhe gjej rastin të solidarizohem me institucionet e mediave që dënojnë dhunën ndaj jush dhe i bëj thirrje qeverisë të heqë dorë nga dhuna ndaj mediave.
Sot është kërkuar reflektim urgjent në këtë drejtim. Nëse do të ketë një manifestim tjetër do të jetë i fundit për t’i dhënë fund dhunës së kësaj qeverie. Kam patur vëmendjen tek çështja e buxhetit duke i dhënë shans qeverisë që të reflektojë buxhetin sepse është katastrofik për përballimin e pandemisë.”, tha Meta.