Presidenti Ilir Meta deklaroi se qeveria Rama nuk po tregohet transparente për furnizimin e vaksinave anti-Covid, dhe se po e orienton vendin drejt një situate katastrofike.
Në një komunikim me gazetarët nga presidenca, Meta tha se planet e ndryshueshme dhe jo transparente për vaksinën nuk mund të jenë alibi për qytetarët e infektuar dhe për ato që po humbin jetën.
Sipas kreut të shtetit, duhet të zbatohen vetëm kriteret e moshës të vendosura ndërkombëtarisht, dhe jo klasifikimi i klasave politike e autoriteteve për marrjen e vaksinave. “Kjo është diktaturë”, – tha Meta.
Ai iu referua vendimit më të fundit, se të moshuarit e parë që do të vaksinohen kundër virusit shpesh të rrezikshëm do të jenë personalitetet.
Meta gjithashtu u shpreh se nuk mund të lihen më spitalet pa pajisjet e barnat e domosdoshme në luftën me Covid-19, sikundër nuk mund të lihen as qytetarët në përballje me çmime marramendëse të testeve dhe ilaçeve.
“Është koha për të rishikuar buxhetin e shtetit në mbështetje të sektorit të Shëndetësisë, dhe duke investuar në mënyrë konkrete tek përparësitë. Është për të ardhur keq që për një vit janë injoruar kërkesat e presidentit dhe këshillit të sigurisë, është injoruar çdo kërkesë dhe sugjerim duke i politizuar. Nuk mund të fajësohet qeveria për pandeminë, por disa standarte mund t’i kishim në nivel me vendet e rajonit”, – tha Meta.
LEXO EDHE:
Shifrat e vdekjeve – Meta: Rama i babëzitur improvizon, s’e shqetëson pandemia
Etiketa: Ilir Meta, Pandemia COVID-19, qeveria rama, Vaksina anti-COVID, Video