Presidenti Ilir Meta e konsideron skandalin e “Unazës së Re” pasojë direkte të asaj që ai e quan “Ramaforma”. Fakti që sipas kreut të shtetit askush nuk ka mbajtur përgjegjësi ligjore, do të thotë se drejtësia është e kontrolluar nga qeveria.
Pjesë nga intervista
Gazetarja: Ajo që u intereson shqiptarëve është drejtësia, është ndëshkueshmëria, vendosja e barazisë para ligjit.
Presidenti Meta: Po, patjetër! Por çfarë po ndodh me Teatrin? Çfarë po ndodh me Unazën e Re? Si mund të ndodhë që të bëhet një tender, që ndahet në tri pjesë, pale që është totalisht i parregullt me letra, etj., etj., dhe kompani konkurente në të tria lotet është e njëjta kompani dhe jep ofertën zero? Dhe tenderi u quajt i vlefshëm. Vetëm pasi u bë gjithë ajo zhurmë, gjithë ajo rrëmujë, që dolën ata hallexhinjtë atje…
Gazetarja: Që vijojnë atje…
Presidenti Meta: A mban njeri përgjegjësi për këto gjëra? Ja pra, kjo është Ramaforma, situata tek Unaza e Re, ku çdo ditë, çdo javë ne kemi qindra njerëz, hallexhinj, sepse unë i kam pasur komshinj, ngaqë kam jetuar ca kohë tek Unaza e Re te shtëpia e prindërve të Monikës, këta shkojnë në burg, këta shkojnë në Polici pse duan të mbrojnë pronat e tyre. Pse kanë paguar taksa, pse kanë qenë në rregull me shtetin, etj., dhe pse kanë denoncuar një korrupsion. Dhe nga ana tjetër, jo peshkaqenët, po as cironkat nuk ka vajtur në burg, as recepsionisti nuk është ndaluar. Dhe çfarë është Ramaforma? Dritan Zagani rri akoma atje në azil. Pse? Sepse denoncoi lidhjet e disa të fortëve të cilët u ndaluan në Itali, etj. Ndërsa drejtorët e policisë, që ishin në kërkim për trafik, vazhdojnë dhe nuk i ndalon njeri fare. Kjo është dhe kjo nuk mund të funksionojë. Nuk mund t’i themi popullit shqiptar “prisni edhe pak, prisni edhe ca”, sepse ikën 5 vjet.
Gazetarja: Por cilat janë pasojat afatgjata zoti Meta? Se ne po shkojmë, do ngrihen nesër këto institucione në këto kushte në vend…
Presidenti Meta: Pasojat janë shumë të mëdha, shikoni se sa shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Më thoni një biznes serioz që ka ardhur në Shqipëri, gjerman, apo norvegjez – jo “Statkraft” që erdhi në kohën e Doktorit të madh – danez, pra një gjë që vjen në një vend ku ka besim se sundimi i ligjit po përmirësohet, që klima e biznesit po përmirësohet.
Shikoni kursin e euros e nderuar gazetare për të kuptuar këtë lloj Ramaforme, se reforma është këtu në Kushtetutë. Shikoni kursin e euro se si ka ikur. Janë arsye normale? Ka logjikë këtu? Kush po dëmtohet? Po dëmtohen të gjithë bizneset e ndershme, vendas dhe të huaj, që prodhojnë dhe që eksportojnë. Dhe kush po përfiton? Përfitojnë ata të cilët duan ta përdorin Shqipërinë si lavatriçe. Kjo është e vërteta.
Gazetarja: E ndjeni që po flisni si politikan apo si President i Republikës?
Presidenti Meta: Unë po flas si President i Republikës në një situatë jonornmale. Nëse juve ju duket kjo situatë normale…. Po të ishte situatë normale, opozita të ishte në Parlament, Parlamenti të ishte në rregull, Gjykata Kushtetuese të ishte në rregull, edhe unë do të kisha bërë një ceremoni këtu, ndoshta për t’ju dekoruar juve, ose do të prisja ndonjë ambasador, etj. Unë po flas si President në një situatë për të cilën jam i shqetësuar, për vendin tim dhe për të ardhmen e qytetarëve të mi. Kaq, nuk kam asnjë shqetësim tjetër. Unë shqetësim kam vetëm drejtësinë kombëtare, ajo është e pamëshirshme mbi çdo politikan.