Presidenti Meta i cili ndodhet në Paris për Forumin e Paqes ka takuar dhe Kancelaren e Austrisë, Brigitte Bierlein.
Në një njoftim për mediat, Presidenca tha se “të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur me marrëdhëniet tradicionale historike dhe shumë miqësore e të bashkëpunimit prej dekadash mes dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe theksuan nevojën e forcimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të tyre në të ardhmen”.
Presidenti Meta e falenderoi Kancelaren Bierlein për mbështetjen e vendosur dhe pa rezerva që Austria vijon t‘i japë procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe së ardhmes europiane të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Përherë mirënjohës për kontributin e jashtëzakonshëm të Austrisë mike për pavarësinë e Shqipërisë dhe për mbështetjen e fortë e të vendosur në kuadër të procesit të integrimit në BE. Të përbashkëtat historike, kulturore dhe njerëzore inkurajojnë rritje të mëtejshme të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon”, – u shpreh Presidenti Meta.
Presidenti Meta gjithashtu çmoi asistencën austriake në edukimin profesional, duke kërkuar që eksperienca e shkëlqyer e Shkollës së Mesme Profesionale “Peter Mahringer” në Shkodër, të shtrihet edhe më gjerë në vendin tonë.
Ndërsa dje Meta ka takuar Presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Lexo edhe: