Situata e tensionuar politike në vend njohu të mërkurën një tjetër zhvillim. Presidenti i Republikës sulmoi ashpër Reformën në Drejtësi. Pas tij reagoi edhe kryeministri Edi Rama
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, foli të mërkurën me shqetësim për vonesat në reformimin e sistemit gjyqësor dhe mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese për shkak të saj.
Në korrik mbushen 3 vjet që u miratua me konsensus maksimal Reforma në Drejtësi. Ende edhe sot rezultatet nuk po duken. Kam kërkuar nga institucionet shqiptare dhe ato ndërkombëtare, që vlerësojnë ecurinë e reformës në sistemin gjyqësor. Gjykata Kushtetuese nuk funksionon prej disa kohësh kur ajo nuk duhej të heshtte asnjë ditë, tha Presidenti Meta.
Zoti Meta i bëri këto komente gjatë një fjalimi në një konferencë të Qendrës George Marshall mbi sigurinë rajonale, ku vuri në dyshim suksesin e Reformës në Drejtësi.
Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj këtyre kritikave me një status në rrjetet sociale se “Falë Vetingut Gjykata Kushtetuese është sot një djep bosh pa shejtanin brenda”. Sipas zotit Rama, kjo është më shumë se gjysma e një pune të madhe që kërkon durimin e kohën e vet. Ai pyeti në mënyrë retorike nëse e pengon mungesa e Gjykatës Kushtetuese të mbrojë datën e zgjedhjeve, që vet e dekretoi sipas Kushtetutës.
Presidenti ka të drejtë kur thotë djegia e mandateve është e papranueshme, por edhe më i papranueshëm është përbetimi për të djegur zgjedhjet! S’e dimë opinionin e Presidentit për këtë dhe bashkë me kritikat e tij, mezi e presim apelin e vonuar në mbrojtje të 30 qershorit – theksoi kryeministri Rama.
Presidenti Meta tha në Konferencën e Qendrës Marshall se Shqipëria është në një krizë serioze, pasi në 2008 me ndryshimet në Kushtetutë vendi kaloi nga një sistem parlamentar në një sistem të mbyllur partiak, ndaj parlamenti nuk është funksional, sepse “partitë e opozitës në mënyrë të papranueshme kanë lënë mandatet e tyre, por ka qenë jofunksional edhe kur kanë qenë ata”.
“Ne flasim për sukseset e Reformës në Drejtësi. Po bëhen 3 vite nga miratimi me konsensus i Reformës në Drejtësi dhe mund t’ju them që po të ishte vërtet një sukses, Shqipëria asnjë minutë nuk do të ishte pa Gjykatë Kushtetuese. Reforma nuk bëhet me retorikë dhe presione, bëhet me standarde. Nëse reforma bëhet me emra atëherë nuk ka një reformë të qëndrueshme, por ka forma të reja për kapjen e institucioneve” – tha zoti Meta.
Replikat e sotme mes presidentit Meta dhe kryeministrit Rama shënojnë një zhvillim të ri në situatën e acaruar politike të Tiranës, kur qeveria po shkon me vendosmëri drejt zgjedhjeve vendore, ndërsa opozita po vazhdon me po aq këmbëngulje serinë e protestave për të penguar zhvillimin e tyre.
Meta: EURALIUS, në Shqipëri me porosi politike
Presidenti i Republikës Ilir Meta, akuzoi ashpër misionin e EURALIUS në Shqipëri. Ndërsa fliste për krizën në vend dhe Reformën në Drejtësi, Meta tha se ky mision ka vepruar me porosi politike.
“Kam kërkuar me shkrim angazhimin e delegacionit të BE dhe Euralius, që është një mision që paguhet me taksapaguesit evropianë për të garantuar zbatimin e Reformës në Drejtësi në Shqipëri sipas standardeve evropiane dhe në respekt me kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë. Kam folur hapur si president. Më takon si president me Kushtetutë të hedh shortin, por ne e dimë se çfarë ka ndodhur një vit më parë. Kështu që të ftojmë të gjithë aktorët, jashtë kamerave, jashtë mediave, kryetarin e kuvendit, kryetarin e komisionit të ligjeve që të unifikojnë në një qëndrim të përbashkët sepse jemi në një situatë ekstraligjore, sipas parashikimeve të vetë kushtetutës, që mos kemi debate, kontestime.
Ditën e fundit EURALIUES i çon përgjigje zyrës së Presidentit që ne në takim nuk vijmë dot sepse jemi mision teknik. Një mision teknik do të thotë që kemi marrë porosi politike. Unë nuk e di dhe sot nga kush u mor kjo porosi politike. Të kërkon presidenti i Republikës, ta kërkon zyrtarisht, ta kërkon për të mirën e përbashkët dhe një reformë që e kemi bërë të gjithë bashkë, ku do të diskutohet me të gjithë institucionet. Kur bëhet fjalë për gjërat e rëndësishme të një vendi. Për Kushtetutën e një vendi, për Gjykatën Kushtetuese të një vendi, për Inspektorin e Përgjithshëm që është aq i rëndësishëm sipas kësaj reforme.
Kam një pyetje për të gjithë: Ky EURALIUS si i jep një vërtetim një kryetari shumë të nderuar të Komisionit të Ligjeve, për të zgjedhur një institucion që nuk ekziston në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Shqipërisë? Kjo nuk mund të jetë drejtësi evropiane, në rast se nuk e shikojmë dhe nuk e vlerësojmë këtë gjë. Kjo nuk do të luftojë korrupsionin më shumë, krimin e organizuar dhe të garantojë të drejtat e njeriut dhe në fund fare këto historitë e peshqve i keni dëgjuar dhe vazhdoni dëgjojini. Unë kam thënë që në fillim dhe do e them prapë.
Reforma në Drejtësi do të jetë e suksesshme kur në Shqipëri të ketë më shumë investime amerikane, gjermane, britanike dhe nga vendet më të zhvilluara, bizneset e të cilave kanë si kriter kryesor sistemin e drejtësisë dhe të gjykatave”.
Reagon Soreca: Reforma në drejtësi duhet të jetë prioritet për çdo politikan
Presidenti Ilir Meta u shpreh i shqetësuar me argumentin e dhënë për mospjesmarrje nga EURALIUS, misioni i BE për asistencë në reformën në drejtësi, në një tryezë për të zgjidhur problematikën me Gjykatën Kushtetuese. Sipas Presidentit Meta, përgjigja e marrë nga zyra e presidencës prej EURALIUS ishte: “Ne në takim nesër, nuk vijmë dot sepse jemi mision teknik”.
Pra, theksoi Presidenti, je mision teknik dhe do të thotë se ke marrë një porosi politike”.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu pyeti Delegacionin e BE në Tiranë se cili ishte qëndrimi i tyre pas deklarimeve të sotme të presidentit Ilir Meta në lidhje me reformën në drejtësi.
Përmes postës elektronike Delegacioni i BE, dha këtë përgjigje.
“Kemi vërejtur kritika për punën e projektit të asistencës teknike të financuar nga BE-ja për sektorin e drejtësisë EURALIUS. Profesionalizmi, përkushtimi, puna e madhe dhe integriteti i EURALIUS-it janë për t’u lavdëruar. Ndihma e tyre është provuar e domosdoshme për të çuar përpara agjendën ereformave, duke punuar ngushtësisht me partnerë të tjerë si OPDAT i SHBA-së, ekspertë nga Shtetet Anëtare të BE-së dhe shërbimet e Komisionit Evropian. Kjo mbështetje është kerkuar nga autoritetet shqiptare dhe roli monitorues i Komisionit dhe i SHBA-ve u miratua njëzëri nga Kuvendi në kohën e adoptimit të amendamenteve kushtetuese”.
Reforma në drejtësi thotë në përgjigjen për Top-Channel Delegacioni i BE, po zbatohet në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin kombëtar përkatës.
“Ky është një proces kompleks, por reforma është në rrugën e duhur dhe është me rëndësi shumë të madhe që të gjitha institucionet shqiptare ta mbështesin atë. Sa i përket veçanërisht krijimit të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që është e rëndësishme që sapo të përfundojnë zgjedhjet dhe klasifikimi nga Këshilli për Emërimet në Drejtësi, të gjitha institucionet kompetente, duke përfshirë edhe Presidencën e Republikës, të sigurojnë që kandidatët të zgjidhen me prioritet. Ne jemi të bindur se një detyrë e tillë do të ndiqet plotësisht dhe në kohën e duhur” thekson delegacioni.
Delegacioni i BE në Tiranë, në fund të përgjigjes së tij thekson:
“Reforma e drejtësisë dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në BE duhet të jenë një prioritet për çdo politikan shqiptar, një arsye për unitet, jo përçarje, për të mirën e qytetarëve. BE-ja do tavazhdojë mbështetjen e saj për procesin e reformës dhe do të sigurojë monitorimin e duhur të standardeve në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të”.