Aktualitet

Meta vlerëson ish-futbollistin Targaj me titullin “Mjeshtër i Madh”






               Publikuar në : 16:06 - 19/07/19 |
mapo.al

Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi sot në një ceremonie të veçantë, ish-futbollistin e shquar të Ekipit Kombëtar shqiptar dhe të “Dinamo-s”, zotin Mujo Targaj me Titullin “Mjeshtër i Madh”. Në prani të shumë personaliteteve sportive, të kolegëve dhe trajnerëve, Presidenti Meta i dorëzoi ish-kapitenit legjendar të ekipit kryeqytetas të futbollit të viteve 1980-të, titullin e lartë me motivacionin:


“Në shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm në futboll, si një nga kapitenët më të spikatur të ‘Dinamos’ dhe Ekipit Kombëtar. Gjithmonë shembull i korrektësisë dhe etikës në fushën e blertë”.

Në fjalën e Tij përshëndetëse Presidenti i Republikës theksoi:

Mujo Targaj është një nga personalitetet e sportit për të cilin kam pasur një adhurim të pakufishëm, si të gjithë sportdashësit shqiptarë, pa dallim preference të ndonjë ekipi.

Së pari do të falënderoja në mënyrë të veçantë familjen e Mujos, e cila i ka dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme për të qenë ai që ne e nderojmë dhe e adhurojmë sot.

Çfarë mund të ëndërronte më shumë një fëmijë nga Tepelena, ku nuk kishte fushë futbolli dhe që bënte çdo ditë bënte 7-8 kilometra për të luajtur futboll në Memaliaj, fshehurazi babait të tij, që pak vite më vonë t’i bashkohej Dinamos së famshme të Iljaz Çeços dhe të bëhej kampion në një moshë mjaft të re, 17-18-vjeçare.

Apo të ishte titullar në një Dinamo tjetër shumë të madhe të Përnaskës, Zërit e Ballgjinit e të linte prapa një trashëgimi, për një Dinamo shumë të madhe, atë të Sulejman Demollarit!

Çfarë mund të arrinte më shumë një fëmijë nga Tepelena se sa të bëhej titullar dhe kapiten i Ekipit Kombëtar.

Mujo Targaj është i qetë dhe nuk flet shumë, sepse i ka thënë të gjitha me punën dhe kontributin e tij të shkëlqyer, jo vetëm me Dinamon, ku ka qenë 5 herë kampion i vendit dhe 3 herë fitues i Kupës së Republikës, por edhe me Ekipin Kombëtar. Aq më tepër t’i shënonte gol kampionit të botës, Shumakerit të frikshëm dhe në këtë mënyrë të hapte portën e golave të tjerë të Shqipërisë kundër Gjermanisë së madhe.

Ndaj të gjithë ne jemi këtu për të nderuar pasionin, këmbënguljen, profesionalizmin edhe atdhedashurinë e Mujo Targajt përgjatë gjithë asaj karriere të jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme.

<
>
0fb37929-5b51-466b-96e1-6088d4d111d3 9c943067-22ae-43b7-ba03-1138e29f5da4 30e09c2b-f43b-4002-8d3b-9d0dfa6bdd3b 37aa715d-08bb-4dc3-96fa-b3c5530a71ee 81569984-15d5-47f1-9c14-2ee85287b3c0 e14cb960-a832-47de-8b1f-9a4f659adc07


Etiketa: , ,

Pas