Aktualitet

Meta vlerëson tre ish-sportistë të shquar të Elbasanit (FOTO)














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:08 - 06/03/21 |
mapo.al

Presidenti i Republikës Ilir Meta vlerësoi në një ceremoni solemne tre ish-sportistë të shquar të Elbasanit, të cilët me rezultatet e shkëlqyera, punën cilësore dhe kontributet e tyre profesionale në volejboll dhe në futboll kanë kontribuar denjësisht në zhvillimin cilësor të sportit shqiptar, duke lartësuar skuadrat e tyre në arenën kombëtare dhe ngjyrat kuqezi në atë ndërkombëtare.





Kreu i Shtetit i akordoi Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ish-volejbollistit Hysen Domi, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për personalitetin e gjithanshëm në sport dhe në jetë, duke dëshmuar cilësi të rralla protagonisti jo vetëm në fushën e lojës, por dhe në mjediset sportive të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar. Puna dhe kontributi i tij në sportin shqiptar janë një shembull frymëzimi për të gjithë”.


Me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, Presidenti Meta çmoi ish-futbollistin Mihal Gjika, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për talentin dhe lojën e suksesshme, si një nga mbrojtësit më të spikatur të ekipeve ‘Labinoti’, ‘Partizani’ dhe Ekipit Kombëtar. Falë cilësive të tij fizike e teknike arriti rezultate të shkëlqyera sportive.”




Presidenti Meta vlerësoi me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” dhe ish-futbollistin Ferdinand Lleshi, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për cilësitë e spikatura në lojën e futbollit, si mesfushor dhe qendërmbrojtës i ekipeve ‘Labinoti’, ‘Partizani’ dhe Ekipit Kombëtar, duke demonstruar në fushën e blertë aftësitë e tij të shkëlqyera të lojtarit profesionist e të suksesshëm”.


Në fjalën e tij përshëndetëse, duke iu drejtuar sportistëve kampionë, familjarëve dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoni, Kreu i Shtetit u shpreh se ata janë shembuj të përhershëm frymëzimi për edukimin e brezave me vlerat më të mira sportive e qytetare.


MESAZHI I PRESIDENTIT META
Është një privilegj i veçantë për mua nderimi i tre personaliteteve mjaft të shquara sportive, që Elbasani ja dha gjithë Shqipërisë.
Me punën dhe rezultatet e tyre të shkëlqyera ata kanë lartësuar e nderuar jo vetëm emrin e Elbasanit, por edhe kanë emocionuar opinionin sportiv në mbarë vendin tonë.

Sporti shqiptar ka arritur suksese të jashtëzakonshme në historinë e tij në ato vite të vështira, por mjaft fisnike dhe frymëzuese.
Rezultatet në sport na kanë bërë të ndjehemi krenarë, megjithëse e dimë se sa punë dhe sakrifica e në kushte të vështira është punuar në atë kohë.

Kam një kënaqësi të veçantë të vlerësoj, me Titullin e lartë ‘Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut’ zotin Hysen Domi, një ndër sportistët më cilësorë në historinë e volejbollit tonë.

Ceni, siç e njeh bota e sportit i dha jetë volejbollit të qytetit të Elbasanit dhe falë cilësive të tij të jashtëzakonshme dhe inteligjencës së tij, ai arriti ta rendisë ekipin e volejbollit të Elbasanit ndër skuadrat më të forta të vendit.

Në rrugën e tij drejt mjeshtërisë sportive ai zgjodhi udhën e sfidave duke u bërë një model sportiv i patjetërsueshëm dhe një simbol, për gjithë të rinjtë e të rejat, jo vetëm në Elbasan.

Hysen Domi ka qenë titullar i Ekipit Kombëtar të volejbollit dhe njëkohësisht edhe i ekipeve më të mira të asaj kohe, si ‘Dinamo’ dhe ‘Partizani’, që e bënin pjesë të tyre në kompeticionet ndërkombëtare.

Hysen Domi është një njeri me virtyte të larta, vizionar dhe një sportist elitar i mrekullueshëm. Është lojtari që mund të mbante në shpatullat e tij një skuadër të tërë dhe ta çonte atë drejt suksesit. Z.Domi mbetet një shembull i korrektësisë, urtësisë dhe qytetarisë, i aftësive drejtuese edhe si Kryetar Bashkie i qytetit të Elbasanit dhe padyshim mbetet gjithmonë një mësues, një pedagog krijues dhe një lider, gjithashtu edhe në drejtimin e organizatave më të rëndësishme sportive në vend.

Të paharruara do të mbeten gjithashtu edhe sukseset e arritura nga futbollisti aq popullor dhe i pamposhtur Mihal Gjika, mjeshtri i mbrojtjes së ‘Labinotit’, ‘Partizanit’ dhe Ekipit Kombëtar.

Lexo edhe :  Databaza e të dhënave - Meta: Presidentin e kanë në patronazh 500 fuksa

Betejat e ‘Lakes’ në fushën e blertë kujtohen edhe sot nga sportdashësit e Elbasanit dhe të mbarë Shqipërisë.

Mihal Gjika ka qenë një futbollist jashtëzakonisht energjik dhe plot autoritet në çdo ndeshje. Fitimtar dhe i vendosur në çdo dyluftim në lojë, i dashur dhe i respektuar nga trajnerët dhe kolegët e tij.

Sulmuesit e të gjitha skuadrave duhet t’i bënin mirë llogaritë përpara se të ballafaqoheshin me mbrojtësin legjendar Mihal Gjika.

Në kujtesën e sportdashësve tanë janë memorizuar ndeshjet me të dyja Gjermanitë e asaj kohe, ndeshjet me Rumaninë, ndeshjet me Poloninë, Turqinë, Finlandën e shumë të tjera.

Titulli i lartë ‘Mjeshtër i Madh’, që i jepet legjendës së futbollit elbasanas dhe shqiptar Mihal Gjika, është një vlerësim për karrierën e tij të suksesshme, për shpirtin e rrallë të garës dhe njëkohësisht edhe për respektin me të cilin ai kujtohet nga sportdashësit në Elbasan dhe në mbarë vendin.

Një tjetër emër i madh, një tjetër ikonë e paharruar e futbollit elbasanas është Ferdinand Lleshi, qendërmbrojtës dhe mesfushor i ekipit të ‘Labinotit’, ‘Partizanit’ dhe Ekipit Kombëtar.

Një futbollist e sportist me personalitet të padiskutueshëm dhe me cilësi të rralla gjithashtu edhe si golashënues.

Një emër i madh, një ikonë e cila kujtohet edhe sot prej Elbasanit dhe ekipeve tona është Ferdinand Lleshi, i cili padyshim është edhe shtylla kryesore e ‘Elbasanit’ kampion, apo e ‘Labinotit’ kampion.

Në vitin ‘84, sportdashësit e mbajnë mend ‘Labinotin’ e frikshëm, që me një mjeshtëri të jashtëzakonshme arriti në atë kohë të ruajë kontrollin e gjithë kampionatit dhe të shpallej kampion i vendit me meritë të plotë.

Padyshim eksperienca e Lleshit dhe potenca e tij si lider, besimi i tij i jashtëzakonshëm në fitore është një kontribut që kujtohet edhe sot, kur mezi presim ta shohim ‘Elbasanin’ sërish në vijim të këtyre traditave.

Ferdinand Lleshi njihet jo vetëm si kampion i Shqipërisë me ‘Labinotin’ dhe si fitues i Kupës së Republikës në një moshë tepër të re, por edhe si fitues i Kupës së gazetës ‘Sporti Popullor’ si golashënuesi i dytë më i mirë dhe pse nuk ishte sulmues, pas Agim Muratit, si lojtar i formacionit kryesor i Shpresave që u shpallën kampion i Ballkanit dhe si lojtar i Ekipit Kombëtar në Eliminatoret e Kampionatit Botëror, veçanërisht në ndeshjet me Gjermaninë.

Sot përveç vlerësimit për këto tre personalitete dhe ikona të sportit jo vetëm të Elbasanit, por dhe të sportit tonë në nivel kombëtar, një respekt të veçantë dua t’ju përcjell të gjithë mësuesve, trajnerëve, drejtuesve të sportit të Elbasanit, që kanë pasur në gjirin e tyre sportistë të tillë, të nderuar dhe të nivelit kaq të lartë cilësor.

Mbi të gjitha uroj dhe nxis që në shembullin e sukseseve tuaja, të vazhdoni dhe të inkurajoni, të rinjtë dhe fëmijët e sotëm që të praktikojnë sportin, në mënyrë që të forcojmë shëndetin dhe mirëqenien e tyre, por njëkohësisht edhe të rrisim më tej cilësinë sportive dhe përfaqësimin sportiv dinjitoz të Elbasanit, por dhe të vendit tonë.

Sporti ka një përgjegjësi të madhe ndaj shoqërisë sonë e sidomos ndaj të rinjve dhe fëmijëve, dhe ne duhet të kujdesemi më shumë për këtë edukim.

Faleminderit shumë për kënaqësitë, që na keni dhënë, neve dhe gjeneratave të mëparshme, por dhe për atë që ju do të bëni, që Elbasani t’i forcojë traditat sportdashëse dhe të vazhdoj të gjeneroje talente të reja dhe suksese të reja”, – u shpreh Presidenti Meta.

<
>
Meta-vleresimet-3 Meta-vleresimet-4 Meta-vleresimet-5 Meta-vleresimet-1 Meta vlerëson tre ish-sportistë të shquar të Elbasanit (FOTO)
1


Etiketa: ,

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas