Presidenti Ilir Meta dhe ambasadori Zef Mazi, i cili është edhe kryenegociator për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kanë zhvilluar sot një takim.
Pas takimit, Meta ka reaguar me një status në Facebook, ku shprehet se ata diskutuan në mënyrë konstruktive për perspektivën e çeljes së negociatave.
Meta theksoi se politika duhet të tregojë vullnet për plotësimin e kushteve, por është e rëndësishme edhe përgatitja teknike dhe rritja e kapaciteteve negociuese.
Ai shtoi se Mazi do të ketë mbështetjen e Presidencës në detyrën e tij.
Presidenti e mbylli statusin, duke u shprehur se integrimi europian është objektiv mbarëkombëtar.
Statusi i Metës:
Kënaqësi të prisja sot në takim Ambasador Zef Mazin, i emëruar nga Qeveria Kryenegociator për zhvillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Diskutuam hapur e në mënyrë konstruktive për perspektiven e çeljes së negociatave.
Ndërsa politika jonë duhet të tregojë vullnet për plotësimin e kushteve, është e rëndësishme përgatitja teknike dhe rritja e kapaciteteve negociuese.
E sigurova për mbështetjen e plotë në detyrën e tij nga institucioni i Presidentit të Republikës.
Integrimi europian është objektiv mbarëkombëtar.