Aktualitet

Meta zbulon telefonatën me Berishën: Donin që të më arrestonin






               Publikuar në : 23:06 - 23/07/19 |
mapo.al

Presidenti Ilir Meta deklaron se nuk ka frike as nga “Ramaforma” dhe as nga askush. Meta tregon telefonaten me Sali Berishen pas 21 janarit. Videomontazhin e quan shantazh që ai të ikte nga Berisha, të bënte koalicion me Ramën dhe të rrëzonin Berishën.


Pjese nga intervista

Gazetarja: Nuk e paragjykojmë dot. SPAK-u mund ta nisë me atë.
Presidenti Meta: Nuk po them unë se me çfarë ta nisë. Nuk jap unë orientime se me çfarë ta nisë. Unë përgjigjem për Kushtetutën e Shqipërisë. Kur thuhej sa të ikë ky, do të bëhet nami. Tani themi sa të bëhet kjo. Gjërat janë të qarta: Prokurori i Përgjithshëm, që u zgjodh me 69 vota, u zgjodh që në bazë të veprimeve që do të bënte, pra të njëanshme për fat të keq, dhe ju e dini se sa kontestime ka pasur edhe për KLP-në, madje edhe ka, se nuk dua të hyj në çështje më të thella, të krijojë një KLP. Po SPAK-u nga do të dalë? Të krijohet nga kjo KLP. Pra nga Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm. Shikojeni me logjikë këtë gjë! Shpresojmë që të bëjë mrekullira! Këtudo të jemi.

Gazetarja: Ai do të ngrihet. Në shtator, tetor është i përfunduar.
Presidenti Meta
: Duhet të ishte ngritur me kohë.

Gazetarja: Ju shqetëson kjo gjë zoti Meta? Sepse ju thoni, sipas jush do të jetë një SPAK nën ndikimin e këtij Prokurori të Përgjithshëm, të zonjës Marku… nën ndikimin politik. A e keni frikë? Ju bëj një pyetje mëse normale. E bën çdo shqiptar zoti Meta.

Presidenti Meta: E para nuk kam asnjë arsye të kem asnjë frikë nga askush. E dyta, janë lodhur në këtë vend që të më arrestonin mua. I pari donte të më arrestonte Doktori në 1992, që më hoqi imunitetin. Isha i pari deputet i opozitës që më hoqi imunitetin dhe që më mbajtën tetë muaj peng nëpër prokurori. Më thoshin edhe që të largohesha që të mos arrestohesha. Ato marrëzitë e asaj kohe. E unë mezi po prisja që të më arrestonin, por nuk e bënë këtë.

Gazetarja: U bë e kundërta. Në vitin 2000 jeni i vetmi që keni ndaluar zoti Berisha.

Presidenti Meta: Së dyti…, po prapë te zoti Berisha. Se këtë përvojë e kam pasur, se kur ishte Ina Rama, kush e kishte prokurorinë, Berisha e kishte? Se e përmenda këtë emër, për të thënë që nuk e kishte Berisha, sepse po ta kishte Berisha nuk do ta kishte firmosur për një natë arrestimin e gjashtë drejtuesve të Gardës, se mund ta kishte firmosur arrestimin e një apo dy!

Gazetarja: E përmenda zotin Berisha për të thënë se kur ka vullnet politik, nuk pyet fare për…

Presidenti Meta: …Tani do t’jua sqaroj përse jua përmenda zotin Berisha. Pyeteni kur ta takoni, se e di që keni një lloj kimie edhe ju! Më merr një ditë zoti Berisha në telefon kur ishte kjo çështja e kësaj videos, nëse e mbani mend, kur dhashë dorëheqjen dhe shkova vetë në prokurori për të nisur hetimet. Pas 21 janarit. Ku je? – më thotë Doktori. Jam në Durrës. A ka mundësi të vish, se kam një çështje serioze për të folur me ty. Po! – i thashë, duke menduar se çfarë ka ndodhur. – Shiko, se këta duan të të provokojnë prapë! Kam mësuar se duan të të arrestojnë, jo duan të të bëjnë, andej këndej! – Po le të më arrestojnë! – i thashë. – Çfarë problemi ke ti? Unë mezi po pres. Kjo gjë bëhet, sepse mendojnë, se ishin zgjedhjet vendore të atij viti…

Gazetarja: Të vitit 2011…

Presidenti Meta: Po. Kjo bëhet, – i thashë. – sepse mendojnë se duke më goditur mua, godasin Lëvizjen Socialiste për Integrim në mënyrë që Rama të marrë prapë mandatin. Ti mos u shqetëso fare! Vetëm ti ruaj qetësinë! Këtë punë e zgjidh unë, pa asnjë merak. Votat do t’i kesh shumë herë më tepër dhe ai nuk fiton, por ti ruaj qetësinë!

Sepse po më thonte që jo kanë çuar fshehurazi një ekspertizë në Angli, pa këtë e pa atë, etj. Kështu që me këto histori jam ngopur deri këtu dhe të gjithë shqiptarët, ta dini edhe ju, ta dinë edhe të gjithë qytetarët shqiptarë, që jo nga kjo “Ramaforma”, por nga asnjë lloj drejtësie, amerikane, europiane, IlirMeta nuk ka shqetësimin më të vogël.

Të vetmin shqetësim e kam vetëm nga drejtësia kombëtare, sepse drejtësia kombëtare është e pamëshirshme për çdo lloj politikani, i cili shet interesat kombëtare, i cili bëhet pjesë e lojërave kundër interesave kombëtare. Vetëm këtë kam, këto të tjerat as nuk i llogaris fare.

Të gjitha këto janë lojëra sorosiane. Ka njëzet vite që vetëm me këto punë merren, me këto shpifje, me këto intriga. Edhe në 21 janarin kanë qenë të përfshirë, se ju e mbani mend, ato e-mailet apo jo?


Etiketa: , , , ,

Pas