Aktualitet

Meta: Zgjedhjet vendore me 13 tetor, me Ramën Kryeministër





               Publikuar në : 14:02 - 01/08/19 |
mapo.al

Presidenti Ilir Meta i ka drejtuar një tjetër apel Kryeministrit Edi Rama që të reflektojë dhe të lejojë institucionet që të punojnë për zgjedhjet lokale të 13 tetorit. Meta theksoi se “nuk kam kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit, por kam kërkuar dhe vazhdoj të kërkoj që të zhvillohen zgjedhje të ndershme dhe të lira, me pjesëmarrjen e të gjitha partive”. Me këtë, Meta la të kuptojë se ai është për zgjedhje, me Edi Ramën kryeministër. Ai theksoi se 30 qershori është i paligjshëm, dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhjet lokale të 13 tetorit.


Pjesë nga fjala e Metës:



Më 30 qershor, nuk ka patur zgjedhje të ligjshme në Republikën e Shqipërisë. Zgjedhjet e ligjshme, shtetërore janë më 13 tetor. Arsyet ju i dini, ishte data më e afërt që mund të garantonte përfshirjen e forcave opozitare në zgjedhje dhe në prag të 17 dhe 18 tetorit (vendimi për negociatat). Kam theksuar se 13 tetori mund të shërbente nëse do të kishte vullnet nga të gjitha palët për të zhvilluar edhe zgjedhjet e përgjithshme si dhe zgjedhjet për Presidentin e Republikës.


Kur e kam thënë këtë, kam menduar se do ishte zgjedhja më të mira që mund ti japim qytetarëve.

Unë s’kam dashur ti imponohem Kryeministrit as Kuvendit por vetem kam ushtruar përgjegjësitë e mia në funksion të zgjidhjes së krizës.

Por, 13 tetori është i pashmangëshëm sa i përket zgjedhjeve vendore. KQZ-ja duhet të kishte filluar punën, në zbatim të dekretit të Presidentit.

Gjykata Kushtetuese është e vetmja që mund të shprehet për këto dekrete. Çdo vendim i Gjykatës lidhur me dekretet e Presidentit, do të ketë efekt për të ardhmen jo për të shkuarën. Dekretet janë në fuqi, dhe nuk e kthejnë dot 30 qershorin. Jemi në kushtet e paligjshmërisë së institucioneve.

Unë e ftoj edhe njëherë Kryeministrin Rama të reflektojë, të mos pengojë zbatimin e dekreteve. Për të gjitha forcat politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje, duhet të regjistrohen sepse qytetarët në përputhje me Kushtetutën dhe të gjitha konventat europiane duhet të kenë të drejtën të zgjedhin, jo të votojnë.

Unë nuk i kam kërkuar të japë dorëheqjen z.Rama, siç ka kërkuar opozita që ka djegur mandatet. Unë kam kërkuar që të krijojë kushte në vend për zgjedhje të lira e të ndershme.

Ata që kanë shkuar në zyra si kryetar bashkie janë të paligjshëm. S’mund të ketë, p.sh. në Kavajë kryetar bashkie me votime njëpartiake dhe me 6 përqind të votuesve.


Etiketa: , , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas