Mapo Letrare

Metaforifikimi i jetës dhe i kohës (Ese)







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:10 - 26/09/20 |
Nga Prend Buzhala

(Çast eseistik)


Poezia ndër vite…


A nuk na sjell ajo shoqërizimin e kortezhit te muzave në KUJTESËN gjithnjë të gjallë personale e letrare, të plazmuar amshueshëm në vargje?



1.


Krejt ky rend i gjërave është i shprishur, sikur gjithçka është kthyer përmbys… Këtë e shqipton një kontrastim i ndjeshmërisë poetike


Të ndodh që, aty ku vë dorën tënde mbi plagë, ajo fashitet dhe aty ku ti i ke ikur e nuk i qasesh…dhemb! Porse arti poetik shkon në disa shkalle e thellësi kuptimore-figurative më tutje: kah një “shumësi tmerruese”… (kalendar i shprishur i gjërave në jetë, në aktualitet e në histori, dhe gjithsesi në metafizikën e “historisë” së shpirtit… A mund te shkelet mblata e emocionit të bukur të dashurisë, kur të dhurohet si një shportë me lule e dhunti zemre?

Poeti ka një bagazh të pasur emocionesh të bukura, thurjesh për situata të befta të kësaj ndjesie. Një shportë metaforike na jepet si dhuratë për pëlqime të tilla të këndshme estetike…dhe ti, shkele, po deshe.

Drama e kohëve tona, e llogarive të paspastruara historike, ekzistenciale-nacionale, e pikësynimeve humaniste, e caqeve të idealeve dhe dëshirave karshi përplasjeve me realitetin etj. etj, e gjen trajtimin e vet përkatës, e cila vetëm formalisht e merr trajten e FABULES e ku ligjërojnë e dialogojnë e shkuara dhe e ardhmja,… Në të vërtetë, esenca e këtij poetizimi dialogues, replikues, vlerësues e rivlerësues, dyshues e gjithë tensione… është trajta meditative-filozofike-lirike.

2.

Jeta është zënë në një ÇAST gurëzimi, n[ një paste mbetjeje në një vendqëndrim, ENG E PENG., ku asgjë nuk lëviz: koha është e mekur, akrepi i sahatit ka ngecur, jeta është e trishtë, e heshtur, hiqet zvarrë… Sfondi jepet me shi, me zymtësi, me diell të humbur, me gjithçka që është në humbje e përhumbje… Metaforifikimi i jetës dhe i kohës ngrihet në figurë të revoltës, për ta aspiruar Lumturinë e Syrit.

Ju lutem lëreni ta përfundojë udhëtimin

rreth atij dielli që fiket

I ka të gjalla kujtimet

Një det pika e lotit

(Ali Podrimja)

Mandej shfaqet peizazhi, përsëri. Është peizazhi simbolik me ndjeshmëri moderne. Tradicionalisht, figura poetike e stinëve me stuhinë, me të ftohtët dhe suferinën, etj shënjon moshën e shtyrë, mençurinë, plogështinë, meditimin, përvojën…ndërkohë që përjetimi intim i këtij peizazhi identifikohet me rrëfimet e shpirtit (poeti nuk fsheh asgjë, si para altarit, aty ku rrëfehen edhe mëkatet…), porse ky RREFIM lirik e ka të veçantën e tij; mënjanimin e “stolive” romantike me kërkimin e një rendi ekzistencial e jetësor kundruall kaosit, ngurtësimit, mbetjes në vend, akullimit me vrasje e vuajtjet që sjell ky akullim i kaosit vrastar… kërkese për ndryshimin e ciklit jetësor nga një gjendje e nderë (dimri) në atë të ringjalljes (pranvera)… Pushteti i së bardhës të kontrastohet me vetveten? (e bardha e natyrës që vë pushtet akullimi dhe e bardha e poetit, si një mikrokozmos bukurikrijues e urtikrijues, (shenjë mençurie, frutash të pasura jetësore…).

… Në letërsinë e përbotshme vjeshta kremton të lashtat dhe mban zi për përfundimin e vitit… Metaforika e vjeshtës për fazën e pjekurisë së jetës, këtu, sikur ajo kërkon jo këndimin elegjiak (subjekti-vjeshtë frikësohet, si vetë ekzistenca jonë…), por një këndim të Odës, sikurse të Sheley, (“Odë erës perëndimore”)… Këto shenja poetike i lexojmë te jo pak poezi, me shpresën se hapet syri i zjarrtë i diellit, ndërsa një situate e tillë (simbolike-shoqërore-intime) “po jep shpirt” dhe kësaj poeti i gëzohet…

Të duket sikur peizazhi poetik, aq i ndërliqshëm e modern,në tipin e lirikës bashkëkohore, sado që mban zi për përfundimin e ciklit vjetor (si do të këndonte Dikinson), për t’ia dorëzuar fundit kremtet e veta të frutave, pajën e vet të ekzistimit, ende përplaset e shqetësohet: ajo dhuron, por edhe dëshiron të pranojë dhuratën e ekzistimit gjallërues…

 

Shpirti im qe sot y mbyll

dhe gëzimin m’a përzuri.

nëpër mal e nëpër pyll

zu dëbora prej qëkuri. (…)

 

flet nga-dal e shpirti im,

dhe në zi pikoi si fleta,

pa më qit as pipëlim

tërë filli, tërë jeta.

 

në kaq heshtje-e qetësi

ndjej vajtimthin e një shpesi:

psherëtin me zë të ti

jet’ e trembur se mos vdesi…

(Lasgush Poradeci, poezia “Dimër”)

E, megjithatë, toni elegjiak i drithërimës ekzistenciale i përshkon dhe iu bie kryq e tërthor vargjeve-ide-përshkruese…

3.

E ç’i duhet frymëzimit lirik të obesionohet me mallin?

Obsesioni lirik me mallin, e shtyn poetin në kërkime të hapësirave të reja të komunikimit. Nëse malli shënjon të kaluarën, është poezia ajo që i ndërlidh kohët në këtë ndërkomunikim. Vetëm me anë të imagjinatës figurativ-shprehëse të poezisë mund të zbresësh shkallëve të antikitetit, këtij mallëngjimi antik të shenjës së harmonisë së humbur ndër shekuj… Prandaj na vjen afër një Hije Loti… një gjurmë tej gjurmës… aty ku folësi lirik gjithnjë arrin të depërtojë diku PËRTEJ, dhe në këso çastesh ne lexojmë një LIRIKË METAFIZIKE të qenies e thelbit të qeniesimit tonë… Kjo gjurmë dhe hije loti, kjo ëndërr dhe sirtar shpirti, e shoqërojnë muzën e frymëzimit poetik. Ajo është në kërkim të një TJETËR udhe, gjithmonë ekziston dhe një udhë tjetër, një alternativë tjetër, për ta çliruar vazhdimisht poezinë nga hijet e hijeve të saj…në kërkim të hapësirave të reja të lirisë, të lirisë dhe poezisë… ashtu natyrshëm, pa të shtirur!

4.

Ç’është ky diell që të ftoh, kjo akullsi diellore? Është një këndim për PRITJEN e akulluar dashurore. Kurse kësaj imagjinate kontrastive (diell… që djeg/akullsi e pritjes…..akullsi diellore), s’i mbetet gjë tjetër, pos të jetojë e përjetojë çaste kujtimesh, për ta kompensuar atë MUNGESË të Tjetrit…

U nisa drejt Diellit ora binte dymbëdhjetë

Më parë nisa t’i humb gishtat e këmbëve të duarve

krahët

Pastaj rëra zu të ma mbulojë trupin fjalët ëndrrat

Për pak kohë i humba të gjitha: drejtimet betejat

qytetet

Vetëm ora e thyer mbet dhe syri im çel’

Buzë Ujit të Madh

Dhe Diellit

Në zenit

(Ali Podrimja, poezia “Vapa”)

Në një situatë të prekshme, mallëngjyese, të kridhet në këtë situatë absurdi mungesash të verbra, të gjejë prehje me lojën e përcaktimeve, meditimeve, fjalëve, dramave të zhvilluara në heshtje…Dhe kjo situatë moskuptimesh e pandjeshmërie, thur aktin e fundit dramatik: kjo pritje tashme e ka shndërruar folësin lirik në një qenie-kufomë me shpirt të copëzuar, porse mu në këso gjendjeje është FUQIA E QENIES: ajo NDJEN, PREK, ËNDËRRON…dhe përsëri pritja e pafund akulluese…

THELLËSITË DHE MAGJEPSJA NDAJ TYRE

(Çast eseistik)

Përnjëmend: a na pëlqejnë thellësitë: depërtimi në brendinë e thellë të shpirtit njerëzor…

A nuk na magjeps thellësia e bukurisë së detit, shikimi i thellë në sytë e qenies njerëzore:

A nuk na rrëqeth pamja kur shikojmë një plagë të thellë që shërohet ngadalë?

Të shikosh nën sipërfaqe: mund të magjepsesh nga bukuria e fshehtësisë apo nga llahtaria e bukurisë tmerrësisht të pakuptueshme…

Thuhet se një pus është i errët se është i thellë.

E ku ka thellësi që nuk është e errët?

1.

Qenka një tip luleje që i shtrin rrënjët thellë në tokë, sado që përsipër mund ta shkelin njerëzit, apo peshat e rënda të automjeteve. Kështu ndodh edhe me njerëzit që janë të duruar, që përballojnë sfida të panumërta, që kapërcejnë pengesa të mëdha. “Është ai soj i njerëzve që i kanë dërguar rrënjët e qenies së tyre deri në atë thellësi, sa asgjë nuk mund t’i shkundë ata”, thotë Daisaku Ikeda.

Vërtet që ne urojmë shqip njeriun të jetojë gjatë, dhe të jetojë i lumtur. Puna me shkrimin, apo me fushat tjera të dijes, është diçka tjetër. Migjeni kishte jetë të shkurtër, por jetën e tij e cilëson doçka tjetër. E cilëson thellësia e punës së tij. Ndonjë shkrimnatr tjetër mund të jetojë gjatë, të shkruajë shumë, por nuk mund ta arrijë famën e thellësinë që kishte vepra e Migjenit. Lasgushi ynë, jetoi më gjatë, tetëdhjetetetë vite, por poezia e tij ka thellësi të mistershme lirike, për të cilën Eqrem Çabej thotë: “Ç’e dallon nga të parët, është thellësia…

Është vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet; në qoftë se kjo nuk është vënë re gjer tani, shkaku është se më të shumët nuk e kuptojnë poezinë e tij, e cila me fjalë e mënyra foljesh fare të thjeshta, e shumë herë popullore, arrin të koncentrohet aq sa mund të nxjerrë në dritë mendimet më të thella, ndjenjat më labirintike, idetë më të larta. Dhe po të këndohet Lasgushi me dashurinë do të vërtetohet thellësia e tij e pashoqe, në mos sot, nga brezat që do vijnë”. Thellësitë që na u dhuron kjo lirikë, janë aq të pasura e të pafund, siç është i tillë universi poetik. Gjithnjë na dhuron vrulle të reja poetike, gjeratore të errëta figurash e kuptimesh, sepse të errëta janë thellësitë kudo, por ato ndriçohen nga dritat e metaforave, nga dielli krijues që hedh pandashëm shkëndijat e tij në ato thellësi.

E pata pyetur vetëveten, me t’j-u përgjigjur vetvetiu-

Pse kaqë zi ti motra ime, pse kaqë vrerë unë i ziu:

Nuk paske qënë vrer e zi, po qënke vetëm dashuri,

Qënke një dritë fshehtësije plot bukuri! plot bukuri!

Krijuesi e ndiente se në zemrën e tij kishte thesarin më të jashtëzakonshëm, që quhet dashuri., me të cilin thesar ai e përjetonte dhe ndiente thellësinë, ashtu sikundër e ndjente dhe e përjetonte kënaqësinë dhe ekstazën e kësaj ndjesie. Dhe bënte zbulimin më të madh: nëpërmes këtij thesari e kësaj ndjesie, bota transformohet, bota është e tillë, e transformuar!

2.

Nga ana tjetër, sado që sot kërkohen vite të gjata në arsim (deri te master a magjistratura, doktorata etj), por në botën e vlerave më e rëndësishme është gjerësia e thellësia e dijes.

Njeriu me mendje të thellë, ka thesare të pafund, dhe dhuron thesare të tilla, mu si dhuron deti i thellë.

Puna e madhe dhe sakrifica janë ndër kushtet që kërkohen për të depërtuar në thellësitë e gjërave, njohjeve a në thellësitë e qenies njerëzore.

Dhe, vërtet, gjithçka në botë e në brendinë e njeriut, ka përmasën e vet të thellësisë:

Ka thellësi të njohjes, ashtu sikundër ka thellësi të miqësisë.

Ka thellësi të shpirtit ashtu sikundër ka thellësi të shikimit.

Ka thellësi të qenies, ashtu sikundër ka thellësi të jetës.

Po dashurinë midis një të riu a të reje, midis një gruaje e një burri, cilat thellësi e përshkojnë: “Më e mrekullueshmja nga të gjitha gjërat në jetë, besoj, është zbulimi i një qenie tjetër njerëzore me të cilën marrëdhëniet e lidhjet e Tjetrit rriten e kanë thellësi, bukuri dhe gëzim, ndërsa vitet shtihen.

Ky përparim i brendshëm, i vazhdueshëm, i dashurisë midis dy qenieve njerëzore, është gjëja më e mrekullueshme; nuk mund të gjendet duke e kërkuar atë ose duke dëshiruar me pasion atë. Është një lloj aksidenti hyjnor dhe më i mrekullueshmi nga të gjitha gjërat në jetë.»- Hugh Walpole, Sr.

3.

E sipërfaqshmja është diçka tjetër, e cila nuk i peshon gjërat sipas thellësive që kanë; i vlerëson sipas rutinës mendësisë së të përditshmes shpesh mashtruese. Dhe njerëzit i besojnë!

Ekziston sipërfaqja, e nën të ekziston thellësia. Aftësia jonë është të depërtojmë te ajo thellësi, duke përshkuar këtë sipërfaqe gjërash, dukurish, vlerash… njohjesh. E, herën tjetër, kur depërtojmë në atë thellësi, mbase edhe trembemi, mu ashtu si u tremb Sokrati i moçëm: “Di diçka që nuk di asgjë.” Por ne, njerëzit e rëndomtë, nuk arrijmë t’i njohim thellësitë e injorancës sonë.

Nuk është thënë, po ashtu më kot, që historia është mësuese jetës, nga e cila njerizimi mëson nga pësimet. Mëson për humbjet e mëdha e të pafund për jetët e njerëzve, për zhdukjen e të mirave materiale, të arriturave që i shkatërron me dorën e tij.

Por mëson edhe diçka tjetër: që nga luftërat e konfliktet, nga tensionet e brendshme, të cilat e shtrëngojnë bashkësinë njerëzore të kërkojë potenciale të reja, që nga përçarjet e djeshme të lindin unitete të reja, më të gjera e më të thella, frymë e re.


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas