Op Ed

Metamorfoza e çuditshme e ish-socialistit Braçe







               Publikuar në : 13:40 - 03/08/19 |
mapo.al

Mapo.al


Pasi votoi dhe duartrokiti koncesionet qindra milionë euroshe për oligarkët, edhe pse më parë kur nuk ishte pjesë e qeverisë i kishte kundërshtuar, Erjon Braçe tashmë i është sulur biznesit të vogël e të mesëm dhe po u merr shpirtin me aksionin anti-informalitet.

Paratë e buxhetit, paratë e taksave dhe punës së shqiptarëve, ani pse shkojnë në një grusht njerëzish, të preferuar të qeverisë dhe kryeministrit, e rendësishme është të mos ngelet një tavolinë lokali pa kupon, apo që shitësit e byrekeve të ndalin menjëherë evazionin që po shkatërron vendin.

Ky shndërrim, nuk e ka gjetur ish-socialistin e mirë, diku në një qoshe, të penduar dhe duke reflektuar, të vrarë në ndërgjegje. Përkundrazi, e ka gjetur në ballë të xhandarmërisë që i është vërsulur sipërmarrjes, në këto ditë të kulmit të sezonit turistik.

Dikush mund të marrë 10 milionë euro për një kilometër rrugë, dikush tjetër llokma po kaq të mëdha për një koncesion në shëndetësi, si përshembull donatorja Vilmë. Sheshe, troje, vendet më të mira në bregdet mund ti marrë miku tjetër i rilindjes. Tenderat qindra milionë euro le të kenë fitues të paracaktuar. Tashmë, kjo nuk përbën problem për përfaqësuesin e vegjëlisë, për vikatësin e drejtësisë sociale, për luftëtarin e hajdutërisë, Erjon Braçe. Meraku e ka zënë me shitoret, me qoftoret, me hotelet që guzojnë të fshehin një shtrat, apo dhe me karburantet e periferive.

Këta zuzarë duhen luftuar si kulakët dikur. Ata janë e keqja e vendit. Ish-socialisti i mirë Braçe, nën këtë metamorfozë të pashembullt, ka harruar tashmë edhe zonën e tij elektorale. Dikur u gjendej njerëzve në Divjakë e në Myzeqe, por kjo, para se të bëhej pjesë e qeverisë. Tashmë ata thonë se i ka harruar, dhe hallet e tyre kanë mbetur pa adresim, që nga mungesa e tregut, mungesa e rimbursimit, e shumë mungesa të tjera që dikur ishin vokacioni kryesor i deputetit rrebel i cili i hakërrehej ministrave dhe qeverisë së tij.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Më e rënda është se Braçe nuk trajton një informalitet të rëndë, që ka të bëjë me produktet e zonës së tij elektorale, që janë të mbushur me pesticide, që po frikësojnë njerëzit dhe që po denoncohen cdo ditë në media si të rrezikshme për shëndetin, apo më keq, që nuk po eksportohen dot pikërisht për problemet që shfaqin.

Tashmë ato janë një problem i vogël për Braçen, një bezdi, një dhimbje koke që duhet harruar.


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas