Nga Pëllumb Nako
Kur ne bëjmë zgjedhjet politike shkojmë e kryejmë detyrën tonë si qytetarë duke votuar politikanin që na pëlqen. Në këtë moment ai na duket yni, i njëjtë me ne. Kur kalon pak kohë, ne shohim se ai ndryshon shumë dhe nuk na ngjan aspak, si rrjedhim mbetemi të pakënaqur e fillojmë t’i telendisim, të gjithë pa përjashtim sikur parlamenti të ishte një sëmundje. Pra, njerëzit politikë gjithmonë të këqij, dhe nga ana tjetër, përjetësisht ankesa.
Ky rreth vicioz ngjan kaq i pashpresë saqë duket se ka diçka tjetër në thelb që nuk ecën. Pra janë ata që ndryshojnë, apo është thjesht lartësia ku ngjiten ajo që modifikon vështrimin e gjërave që shqetësojnë shtresat sociale në katet e poshtme të piramidës. Lartësia, si ngjitje drejt majave të pushtetit është largësi ndaj problemeve të masës modeste të trupës zgjedhëse dhe kjo largësi zbeh natyrshëm edhe ndjeshmërinë e të zgjedhurit.
Duke parë sjelljen e klasës sonë politike konstatohet se ajo pas zgjedhjeve kryen një ngjitje të menjëhershme në piramidën sociale, të materializuar në funksionin parlamentar apo qeveritar. Ky rrugëtim drejt majës së pushtetit shoqërohet jo vetëm me zbehjen e shqetësimit ndaj problemeve të zgjedhësve për shkak të lartësisë, por edhe me lindjen e shqetësimeve të ndryshme më afër saj dhe jo të njëjtë me ato kur secili i përkiste shtresave më modeste. Kjo bën që vendi të ndahet në; klientelë e qeverisë dhe në emigrantë.
Çarja sociale prodhohet për arsyen se mbarë klasa politike e vendit tonë dominohet nga një civilizim i cili pushtetin politik që të delegon masa e njerëzve për të zgjidhur problemet që e shqetësojnë, e koncepton si një ngjitje personale të shkallëve sociale të shoqërisë duke shkaktuar për pasojë të parë edhe rritjen e largësisë ndaj problemeve për të cilat ka marrë delegimin në fjalë.
Imperfeksioni i zgjidhjes së kësaj kontradikte mendohet se qëndron te rotacioni politik. Në fakt ai nuk rregullon asgjë në thelb. Sepse edhe institucioni opozitë si filozofi e mbrojtjes së interesave të kundërshtarëve të qeverisjes, tjetërsohet sapo materializohet në formën e institucionit parlamentar duke reflektuar të njëjtën largësi si mazhoranca ndaj problematikës. Kjo metamorfozë bën që parlamentari opozitar, mbrojtësi më i paepur i shtresave në marzh të shoqërisë siç janë për shembull romët, e ndjen si fyes faktin që ai si deputet nuk ka një shtëpi në Tiranë, por fle sa andej këtij si romët (siç është shprehur në parlament njëri syresh).
Ky qëndrim ndodh sepse ai tani ka pësuar metamorfozë duke krijuar një koncept tjetër për dinjitetin dhe ndërkohë çështjen e strehimit të romëve e sheh si punë teknike që nuk lidhet në asnjë pikë me shkallën sociale së cilës i përket tashmë. Pra delegimi i pushtetit ngelet vlerësim teknik dhe jo si përkatësi e interesave të atyre që përfaqëson. Thuajse asnjë politikan i vendit tonë nuk arrin dot të përputhë delegimin me përkatësinë sepse lartësia ku e koncepton veten i ka ndryshuar të dyja. E njëjta gjë edhe fjetja e shumë qeveritarëve ne hotele super të shtrenjta nëpër botë e cila konceptohet si çështje dinjiteti.
Përveç kësaj, pasojat direkte të lartësisë si nepotizmi dhe klientelizmi e shkrin gjithë spektrin politik në një të vetëm dhe njëtrajtmërisht të larguar nga interesat e zgjedhësve ku qeverisja e kthen mandatimin nga detyrim në bamirësi. Në shumicën dërrmuese të rasteve, edhe në vendin tonë, opozita vjen në fuqi jo si shpresë ndryshimi, por si ndëshkim për paraardhësit.
Keqkuptimi që kanë njerëzit e shtresave modeste të shoqërisë me këtë rast përkthehet në sasi të pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje me idenë se po zgjedhin një individ më të mirë se tjetri. Sa më shumë votojnë, aq më të shumtë mendojnë se janë individët ata që transformohen. Sa më pak shkojnë në votime, aq më shumë e kanë kuptuar rrethin vicioz ku kanë mbetur dhe që nuk lidhet me cilësinë e personit por me metamorfozën e postit.
Imperfeksionit të mekanizmave politikë aktualë, mungesës së civilizimit të përfaqësuesit të mandatuar, i bashkohet edhe mungesa e organizimit të grupimeve të interesit, pra një mangësi tjetër zhvillimi civil. Të paktën shtresat sociale modeste në vendin tonë, deri më sot nuk kanë treguar ndonjë fuqi civile për t’u organizuar në shoqata të ndryshme mbi baza grupesh të interesit për të mundësuar pikërisht atë defekt të pandreqshëm të sistemit politik: distancën ndërmjet zgjidhjes dhe problemit. Grupimet do të përbënin një shkallë të tillë civilizimi të shoqërisë sonë sa që do ta zbusnin këtë largësi nëpërmjet afrimit të shqetësimeve duke i krijuar qeverisjes afërsinë e duhur për të rritur ndjeshmërinë e zgjidhjes dhe për të mos e lënë atë të ndihet bamirëse pikërisht për të bërë atë për të cilën është mandatuar, apo edhe të kundërtën, të bëhet mjaft e largët me publikun e gjerë.
Lartësia e shkallëve sociale ku ngjitet njeriu politik duket se i ka efektet të njëjta edhe kur është me natyrë sociale, edhe me natyrë fizike. Këtë ngjashmëri duket se e vërtetojnë pilotët e avionëve luftarakë në raport me ushtarët këmbësorë. Piloti kur lëshon bombat poshtë mbi njerëzit, nuk ndjen dhimbje për njerëzit që humbasin jetën si gabim i mundshëm i tij, por kthehet pa siklet në kazermë ku ha i qetë sipas rastit drekën, darkën, apo mëngjesin. Kurse këmbësori sado i ashpërsuar nga lufta, ndjen keqardhje për viktimat e pafajshme që shkakton sepse e sheh me sytë e tij se çfarë ka shkaktuar. Piloti e bën dëmin më të madh, por pa e ndjerë sepse është larg tij në saje të lartësisë, kurse këmbësori e shkakton dëmin më të vogël por e ndjen më shumë sepse është më pranë problemit.
Qeverisja aktuale duket shumë larg kësaj filozofie dhe ka pak shpresa të reflektojë. I takon opozitës që të mos kënaqet thjesht me rotacion, por të ndryshojë filozofinë e qeverisjes duke ngritur institucione edhe për zhvillimin civil të shoqërisë larg kontrollit të saj.