Editorial

Metamorfoza e PS-së/ Nga KPD-ja e debatit tek Asambleja “One Man Show”







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:00 - 09/10/20 |
Blerina Gjoka

Asambleja e Partisë Socialiste u mblodh sot në Amfiteatrin e Liqenit, një zgjidhje e imponuar nga pandemia, për të cilën socialistëve iu deshën 6 muaj që ta gjenin, duke mbajtur peng zgjedhjen e kryesisë së re të partisë.


Të tjerat besohet se ishin arsyet e kësaj shtyrje të gjatë; dilemat e Ramës për të ndryshuar kabinetin qeverisës apo dilemat për spastrimet në listën e ngushtë të kryesisë, ku ata që u ka besuar 4 vite më parë nuk janë sot në krah të tij.  Në lidhje live me mediat kryetari i kësaj partie, që mban postin e kryeministrit që prej 2013, e ktheu këtë mbledhje partie në një “One Man Show”. Ai e shfrytëzoi podiumin teatral për të bërë bilancin e qeverisjes së tij në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare duke pritur vetëm duartrokitje nga 350 anëtarët e forumit më të lartë të partisë qeverisëse. Dhe nuk u zhgënjye. Ai u duartrokit kur thoshtë gënjeshtra që asnjë shqiptar që jeton në Shqipëri nuk i përtyp dot.


U duartrokit kur tha se “qeverisja e rilindjes ishte gjëja më e mirë që i ka ndodh vendit”, kur sapo ka marrë një shuplakë nga Brukseli duke i mbyll vendit derën e integrimit për shkak të veprime autoritariste të Ramës me reformën zgjedhore. U duartrokit kur tha se të gjithë fëmijët marrin libra falas në shkollë, kur fëmijët sot nuk kanë shkolla ku të ulen, pasi 1 vit pas tërmetit premtimet e Ramës nuk janë kthyer në godina të reja për ta.  Duke ecur nëpër skenë me mikrofon në dorë ai vijoi të shpotistë çdo ‘shok’ që komentoi nga ulësja, a thua se ata që ishin aty ishin vetëm një dekor i këtij burri mbi podium dhe jo anëtarët me të drejtë vote të forumit më të lartë drejtues të një partie që po qeveris vendin. Kjo Asamble nuk bëri dot as votimin për të cilin ishte mbledhur; perdja u mbyll kur lideri mbaroi fjalimin e gjatë dhe ata kuptuan që nuk kishin as të drejtë fjale.



Llogjikisht në një parti demokratike ky forum do të duhej të shërbente si një moment reflektimi dhe llogaridhënie për qeverinë në fund të mandatit të dytë, një mandat i shoqëruar me skandale korruptive, skandale përgjimesh për vjedhje votash, me borxhin shtetëror që ka kaluar shifrën 80 përqind të GDP, apo ngecja e negociatave me Brukselin dhe rekorde të tjera negative që do të duhej ta kthenin këtë ditë në një ditë debati për përgjegjësitë për t’u përballur me sinqeritet me votuesit. Por, kjo s’mund të ndodhë në apatinë e një forumi që prej vitesh është kthyer në një sallë spektatorësh, ku nuk ndodh asgjë.


Sa larg duket ky amfiteatër i 2020-ës me KPD-në e dikurshme të vitit 2001-2002 kur kjo parti drejtohej nga Fatos Nano. Kur në vitin e parë të mandatit të dytë qeverisës paraardhësi i Ramës guxoi të tundte themelet e këtij forumi, të cilit Rama i ka ndryshuar dhe emrin përçse funksionit, duke inicuar lëvizjen për katarsis, ose pastrim të kupolës qeverisëse. Nano foli hapur për korrupsionin në nivelin qeveritar duke inicuar një debat me “shokët” e “shoqet” e partisë, i cili në përfundim nuk është se e bëri këtë parti më të mirë, por padyshim që e bëri më demokratike për nga liria e debatit brenda llojit.


Ky debat vijoi të merrte frymë me zor dhe pak vite pas ardhjes së Ramës në krye të kësaj partie me Lëvizjen për Mendim Ndryshe dhe një përpjekje për ndryshimet në statut, lëvizje që u shuan me fuqinë e liderit duke e kthyer çdo forum brenda kësaj partie në apatik. Ndaj sot na bën përshtypje ndonjë kritikë e hedhur tek-tuk nga Ditmir Bushati apo ndonjë tjetër, të cilët edhe mendohen dy herë para se të flasin pasi e dinë fare mirë se po luajnë kësisoj me fatin e tyre politik.

Për të kuptuar se sa e garanton demokracinë një lider në qeverisje mjafton të shohësh se sa demokratike e ka ai partinë që e mbështet dhe në këtë rast PS-ja ia kalon edhe mëmës së saj politike Partisë së Punës, ku herë pas herë krijoheshin skemat e debatit në funksion të zbulimit të “grupeve armiqësore”. Por, për Ramën nuk ka as armiq, as kundërshtar. Ai e do gjithë skenën për vete. Mjaftohet me duatrokitjet e turmës së heshtur të amfiteatrit. Por vetëm se ngatërron duartrokitjet e të shokëve të bindur të partisë me votuesit, të cilët kanë mundësinë t’ia japin përgjigjen pas kutive të fshehta të votimit më 25 prill.

Mapo.al


Etiketa: , ,

Pas