Një juri e madhe në Misuri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka refuzuar që të ngrejë padi ndaj oficerit të policisë Darren Wilson, i cili qëlloi mbi adoleshentin e paarmatosur, Michael Brown.
Vendimi ka ndezur protesta masive.
Një prokuror i kontesë, Bob McCulloch thotë se paneli me 12 persona, nëntë të bardhë e tre me ngjyrë, u takua në 25 ditë të ndara, duke dëgjuar më shumë se 70 orë dëshmi.
Ai nënvizoi se anëtarët e jurisë ishin të vetmit njerëz që kanë dëgjuar çdo dëshmitar dhe çdo copë prove.
Në të njëjtën kohë, ai tha se jo të gjitha dëshmitë ishin të besueshme dhe provat fizike dhe mjeko- ligjore ishin masat më të mira për të matur të vërtetën.
Kjo është një përmbledhje e këtyre fakteve, siç deklaroi McCulloch.
Sipas tij, Wilson fillimisht iu afrua Brown dhe një mikut të tij, që po ecnin në mes të rrugës- por menjëherë vuri re se Brown i ngjante një përshkrimi për një të dyshuar në një grabitje të fundit- dhe mbante një puro, që ishte vjedhur.
Wilson bëri kërkesë në radio për përforcime. Duke përdorur makinën e tij, ai bllokoi rrugën e Brown dhe mikut të tij.
Ndërkohë që Wilson ishte ulur në makinë dhe Brown ishte jashtë, mes tyre nisi një sherr, thotë McCulloch. Ai thotë se dëshmitarët dhanë përshkrime të ndryshme për sherrin, disa e quajtën si një mundje, të tjerë thanë se pati vetëm lëvizje.
Wilson qëlloi dy herë: një plumb i gërvishti gishtin e madh Brown. Një ekzaminim mjekësor më vonë zbuloi se fytyra e Wilson kishte ënjtje dhe skuqje.
I gjakosur, Brown vrapoi drejt lindjes, i ndjekur nga Wilson. Kur Brown ktheu shpinën dhe nisi të afrohej tek Wilson, oficeri qëlloi edhe disa herë, përfshi këtu goditjen fatale.
McCulloch nuk jep asnjë deklaratë përfundimtare nëse Brown i kishte ngritur duart lart. Në fakt, ai mbështetet tek disa dëshmi.
“Disa thonë se ai i mbante duart anash, disa thonë se i kishte përpara, me pëllëmbët e ngritura lart, të tjerë thonë se i kishte duart e ngritura pranë kokës, ose tek shpatullat, të tjerë thonë se i kishte në gjoks apo poshtë në stomak. Disa thonë se i kishte në pozicion vrapimi apo në formë grushtimi”.
Disa dëshmitarë, tha ai, dëshmuan se ai nuk i ngriti kurrë duart, të tjerë thonë që po.
Trupi i Michael Brown ra 41 metra larg makinës së Wilson.
Në total, Darren Wilson qëlloi 12 plumba. Brown kishte shtatë ose tetë plagë plumbash, përfshi atë që i gërvishti gishtin e madh. Një mund të jetë një plagë e hyrjes ose rihyrjes.
Krisma e fundit ishte në majë të kokës. Plagët sugjerojnë që ai ishte përkulur përpara në bel.
Përforcimet arritën sekonda më vonë- 90 sekonda pasi polici bëri telefonatën./BBC