Mapo Letrare

Migjeni dhe besimi






               Publikuar në : 15:30 - 20/07/19 |
Nga Zija Vukaj

Zija Vukaj


APOSTAZIA E POETIT

Në dimensionin e mësimdhënësit, pra mësuesi Migjen, ka çaste befasuese humori me nxënësit e vet. Nxënësit dhe mësuesi shpalosin vetveten herë si objekte dhe herë si subjekte të njëri tjetrit. Mësuesi është i gjithëdituri, shpjeguesi dhe shpëtimtari i situatës; nxënësi është objekt i tij, nganjëherë edhe shkak humori. Por shpesh rolet këmbehen dhe mësuesi paraqitet i hutuar, nga situata e paparashikuar, duke u bërë ai objekt humori.

Te proza “Në sezonën e mizave” mësuesi shpall para nxënësve luftën me mizat, duke thënë: “… kush mbyt një mizë në pranverë, ka mbytë me mija miza, që do të ishin pjellë nga ajo një, deri në verë. E kur një nga nxanësit e pyeti a duhet me mbytë mizen femën a mashkull, mësuesit nuk di si iu ngatërrue gjuha dhe mezi tha se cilado qoftë, duhej mbytë.” Ky çast m’u kujtua teksa një ditë në punën time si mësues, u gjenda në një moment paksa të ngatërruar, ku më futën pyetjet e nxënësve të mi:

“Si mendon ti profesor, ka besuar Migjeni në Zot? Nëse po, cili ka qenë Zoti i tij?” Përgjigjja ime ishte e vagullt, pak rrëshqitëse, duke thënë se askush uk e din mire pastërtisht nëse është apo nuk është besimtar dhe të gjithë i kanë pak të ndërlikuara marrëdhëniet me Zotin dhe me besimin në tërësi. Së këtejmi, secili prej nesh ka një turbullirë për të shpjeguar ndërgjegjen e vet dhe aq më i vështirë, në mos i pamundur bëhet shpjegimi për dike tjetër; qoftë ky tjetri edhe Migjeni. Thjesht kjo që bëra unë është një dalje dinake dhe elegante nga situata.

Por jo vetëm kaq. Për ta zgjeruar argumentin dhe për t’i dhënë karakterin e përgjithshëm, aspekti i marrëdhënies së Migjenit me Zotin është mjaft problematik. Por është më problematik për lexuesin se sa për autorin. Lexues të ndryshëm, mësues e pedagogë me formime standard apo të avancuara e kanë emërtuar në mënyra të ndryshme këtë marrëdhënie. Disa e kanë quajtur thjesht ateizëm, disa, gjasme më të avancuar dhe më modernë,  e kanë quajtur mohim konvencionesh, kurse i pari që e ka përcaktuar me gjysmë zëri, por në formë figurative si apostazi, ka qenë studiuesi Arshi Pipa. Apostazia është braktisja formale dhe e vullnetshme e individit nga feja e vet.

Kjo mund të ndiqet pastaj qoftë nga bashkimi me një fe tjetër, qoftë nga afetaria. Që këtu ne mund të përpiqemi të arsyetojmë në mënyrë më të thjeshtë. Së pari, a dëshmon në mënyrë kohezive gjithë vepra e Migjenit apostazi? Apo fragmente të ndryshme japin përshtypje të ndryshme, gjë që flet më shumë për dinamikën e një procesi dhe gjendjeje të papërfunduar e, madje, as të filluar, por të keqkuptuar nga lexuesi, sidomos shqiptar. Dhe është e vërtetë se lexuesit shqiptar-  dhe bashkë me lexuesin edhe mendimi kritik tradicional, me naivitetin, skematizmin, zhdanovizmin dhe cektësinë e tij Migjeni, o i ka përvëluar gishtat, o i ka rrëshqitur duarsh. Mjafton të kujtojmë sintagmën “dielli alegorik” dhe interpretimin skandaloz të saj si dhe interpretime të tjera, që sot të skuqemi kolektivisht.

Është folur shpesh për burimet filozofike të formimit të Migjenit, duke përmendur sidomos Niçen dhe ndikimi niçean është krejt i dukshëm. Ky filozof poet u bë frymëzim brezash të tërë dhe pozicioni i tij profetik ka qenë një lloj apostazie me rrjedhojë aderimin në një fe zjarrputiste, atë të Zarathustrës, të mbinjeriut ose edhe të vetvetes si mëkëmbës dhe është e njohur kundërvënia e tij ndaj njerëzve dhe sistemeve të mendimit “pa dashuri për njerëzit, por me dashuri për Zotin”. Ndikimin e këtij filozofi në mënyrën e të menduarit tek Migjeni e dallojmë lehtësisht në figuracionin poetic dhe në veshjen gjuhësore me njësi të regjistrit biblik, të përdorura nganjëherë edhe si tituj: “Moll’ e ndalueme”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Zoti të dhashtë”, “Idhuj pa krana”, “Blasfemi”, “Rezignata”- ose shprehje, si “hokus- pokus”, “zoti që kujdeset edhe për zogjtë e qiellit…”, si dhe një arsenal të tërë të fushës leksikore të fesë.

Dhe në përgjithësi, gjithë elementët e këtij arsenali, mbushur me kryqe, minare, paçavra ndër tempuj, hoxhallarë, murgesha që çojnë dashni me shenjtën, sorra të smuta, trumcakë e priftën shikohen me përbuzje, ironi e përçmim. Dhe poeti del nga ky lloj lavazhi me dëshirën skandaloze prej Zarathustre: “Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit.” Mos vallë ky aversion ndaj sendeve objekteve dhe personazheve, aksesorë të teatrit fetar është edhe aversion ndaj Zotit, divorci me Zotin, apostazia deri në heterodoksi e Migjenit? Dhe këtu na del si refren sërish thënia e Niçes: “pa dashuri për njerëzit, por me dashuri për Zotin”. Një gjë është e sigurt: Migjeni është i pozicionuar brenda njeriut. Këtë më së qarti e tregon dhimbja për njeriun, që fillon si dhimbje krenare dhe bëhet dhimbje pa kushte për vuajtjen e qenies njerëzore.

Kjo dashuri për njeriun dhe kjo ndjeshmëri ndaj dhimbjes së tij marrin përmasat e një adhurimi thuajse fetar, ku kulti është tashmë njeriu dhe jo objektet tradicionale të kultit:  “Merreni dhe çojeni në qytet këtë shtatore. (…) Kushtoniani atij që ka ma shumë merita për kët’ vend! Po, ndoj ministri a deputeti o ndokujt tjetër… E në rast se nuk gjeni ndonjë njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtoniani atij që ka merita ma pak: perëndisë klasike.” (“Bukuria që vret”) Dhe shtatorja nuk është pjesë e ikonografisë e as rekuizitë e objektit të kultit, që nuk ka mundur ta bëjë kryefjalën e saj “perëndinë klasike”të ketë efekte konkrete mbi njeriun dhe dhimbjen apo fatet e tij; shtatorja është trupi i fëmijës së ngrirë në kasollen e ftohtë fshatare.

Dhe Zoti është lart, në sferat e epërme qiellore. Askund nuk shohim që autori ta ketë braktisur, por lidhjen me Të Migjeni nuk e sheh të mundur nga ndërmjetësimi i punonjësve të fesë dhe objektet e tyre. Për ta shqyrtuar më mirë mund të krahasojmë dy lutje të dy llojeve të ndryshme: lutjen e autorit, heroit lirik, drejtuar perëndisë, pa medium, te poezia “Lutje”: “Të lutem o perëndi,/ për një simfoni,/ me tinguj t’argjantë/ e akorde t’artë./ Të lutem o perëndi,/ për një simfoni-/ plot dashuni/ të nxehtë si te vasha gjitë,/ kur vlojnë ndjesitë” dhe lutjet e murgeshës te “Kanga skandaloze”: “Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prapë po shkon…/ Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta/ Pa lutjet e saj bota kushedi ç’fat do kishte/ Por edhe nga lutjet e saj ende s’I zbardhi dita.” Pra kemi një lutje njerëzore dhe një lutje hyjnore.

E para ka freskinë dhe natyrshmërinë, hijeshuar bukur me afshin e trupit vajzëror deri në sensualitet dhe aromë tokësore. E dyta, lutje institucionale, rutinore, e vyshkyr deri në zbehjen e tipareve dhe shpresave të njeriut, mishëruar në një ngjyrë gri vrastare, product I së cilës është zhgënjimi, pritja e kotë, vrasja e shpresave deri në devijacione perverse: “O murgeshë e zbehtë që çon dashni me shenjtënt,/ që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu para lterit/ dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam shenjtënvet…”

Si poet me shpirt të lirë, të ri e vullkanik Migjeni revoltohet edhe ndaj Perëndisë. Që këtej mund të themi se edhe revolta është marrëdhënie. Por marrëdhënia si proces (marrje e dhënie) në raportin e Migjenit me Zotin nuk funksionon si e tillë. Zoti i Migjenit është një hyj që nuk përgjigjet. Dhe shpesh optika poetike dhe filozofike e Migjenit përqendrohet në boshllëkun e mospërgjigjes së hyut, gjë që pastaj pasqyrohet edhe në mungesën e plazmimit të vizionit të vërtetë hyjnor dhe konfondimin e monoteizmit me idolatrinë. Kjo “shurdhëri hyjnore” ka dhënë edhe surealizëm. Madje mund të ketë dhënë surealizmin e parë në letërsinë shqipe.

Këtë operim artistik, që tek “Vetëvrasja e trumcakut”, Migjeni e quan kapërcim logjik, i bindur për vështirësinë e komunikimit me lexuesit e asaj kohe dhe të atij niveli, e gjejmë edhe tek “Idhuj pa krena”. Ky vizion i idhujve pa krena mund të jetë alegoria, jo vetëm e arsenalit të një idhujtarie tokësore, por mund të ketë përfshirë edhe gjithë vegimet që burojnë nga teozofia e autorit, sepse në një etimologji të vetë termit të lashtë grek “idhull”, gjejmë rrënjën e fjalës “ide” përmbledhur këtu edhe idenë e Theos:

“Një tufan i tmerrshëm i shembi idhujt. Disa i bani pluhun e disa i la pa krena. Tufani i tmerrshëm nuk fryni as nga një anë e horizontit dhe as nga qiella, por duel nga zemra e dheut. E çdo gja që del nga zemra e dheut asht ose përkëdhelëse si andja ma intime, ose e tmerrshme si tufani që shemb idhujt (…) Idhuj pa krena! Shëmtim i natyrës! (…) Kush mund të adhurojë të shëmtuemen? Kush mund të besojë në një zot pa krye?”

Kjo skenë sureale e një teatri absurd, është finalja e një rrugëtimi të gjatë meditues në kushtet e një lëkundjeje të bazave të besimit. Ai tufan që shemb idhujt dnuk vjen nga jashtë, nga asnjë anë e horizontit, në fakt është vrulli i një bindjeje të re, që del nga shpirti i poetit, për t’u sendërtuar në atë që ne mund ta emërtojmë si fillim apo rast apostazie.

 

 

 


Etiketa: ,

Pas