Intervistoi: Habjon Hasani
Mihal Delijorgji thotë se nuk është i kënaqur me vendimin. Pak orë pasi Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 10 vjet burg, administratori i kompanisë “Albademil”, që rrezikonte burgim të përjetshëm thotë se do t’i drejtohet Apelit, ku do të kërkojë pafajësi. Në këtë intervistë për “MAPO”-n, Delijorgji flet për hetimin e prokurorisë si të motivuar politikisht, por edhe për reagimin e fortë të Zamira Durdës dhe familjarëve të tjerë pas shpalljes së vendimit, për dyshimet e tij mbi shpërthimin e 15 marsit 2008 në Gërdec apo për betejën e ardhshme me drejtësinë. “Jam ndjerë keq nga reagimi i familjarëve. Unë e kuptoj reagimin e tyre, pasi ndiejnë që nuk është bërë ende drejtësi. Sepse ende po kërkojnë të dinë se kush e ka shkaktuar vrasjen e të afërmve të tyre. Këtë gjë kam kërkuar dhe unë që në fillim: Kush e shkaktoi shpërthimin në Gërdec?”-thotë Delijorgji në këtë intervistë për MAPO-n.
Zoti Delijorgji, Gjykata e Tiranës ka dhënë 10 vite burg për ju, duke ju gjetur fajtor për shkeljen e rregullave të lëndëve djegëse dhe radioaktive. Si e pritët vendimin?
Nuk jam i kënaqur me këtë vendim dhe sigurisht që do apeloj dhe do ezauroj të gjitha etapat që imponon ligji për të kërkuar atë që kam kërkuar që në fillim, pafajësinë time.
Nëse mbajmë parasysh pretencën e prokurorisë për “burgim të përjetshëm”, duket se ky vendim i gjykatës lë vend për optimizëm apo jo?
Nuk mendoj se ka vend për optimizëm. Organi i akuzës ka ngritur një akuzë të rëndë për “vrasje me dashje” ndaj meje, në mënyrë krejt të pabazuar dhe krejt irracionale. Si mundej që unë të kërkoja vrasjen e punonjësve të mi dhe të synoja shkrumbimin e një biznesi ku bëja pjesë dhe vetë ?! Pra, në këtë rast gjykata duke mos gjetur asnjë provë, asnjë evidencë në materialet që i ka vënë organi i akuzës në dispozicion ka zbatuar ligjin dhe thjesht ka shfryrë një tullumbace absurdi, të fryrë për muaj me radhë nga prokuroria.
Çfarë interesi do kishte organi i akuzës të sajonte akuza boshe ndaj jush, zoti Delijorgji?
Interes politik. Besoj se nuk ka kaluar aq shumë kohë sa për të mos u mbajtur mend se kjo çështje ka marrë një valencë të posaçme politike. Për fat të keq, prokuroria është gjendur komode duke luajtur në kontekstin politik të krijuar dhe në këtë kontekst është sajuar edhe akuza e vrasjes me dashje, një akuzë tërësisht paradoksale ndaj meje.
Zoti Delijorgji, disa familjarë të viktimave kanë reaguar në mënyrë demonstrative pas vendimit të gjykatës. I patë pamjet e tyre në televizion?
Po, i pashë edicionet informative. Jam ndjerë keq. Unë e kuptoj plotësisht reagimin e tyre. Njësoj si ata, kam përjetuar një humbje kohë më parë kur kam humbur nënën time në një aksident të ngjashëm dhe me këtë dua të them se e di çdo të thotë të humbësh një të afërm si pasojë e gabimit apo fajit të dikujt tjetër.
E mendoni se përse ishin kaq të revoltuar këta familjarë, zoti Delijorgji?
Sepse ndiejnë që nuk është bërë ende drejtësi. Sepse ende po kërkojnë të dinë se kush e ka shkaktuar vrasjen e të afërmve të tyre. Këtë gjë kam kërkuar dhe unë që në fillim: Kush e shkaktoi shpërthimin në Gërdec? Duke mbetur te reagimi i familjarëve, unë dëshiroj t’u pyes diçka juve. Përse këta familjarë nuk reaguan kaq ashpër, kur prokuroria ngriti akuzën e shkeljes së rregullave për lëndët djegëse dhe radioaktive apo akuzave të tjera ndaj të akuzuarve? Sepse prokuroria bëri thjesht një demonstrim fals me akuzën për “vrasje me dashje” dhe një ndër efektet e demonstrimit ishte dhe qetësimi provizor i familjarëve. Prokuroria ngriti një akuzë të rëndë duke pretenduar se ezauroi gjetjen e përgjegjësve të kësaj ngjarje. Por e ngriti këtë akuzë në boshllëk dhe mbi një paradoks të madh, duke akuzuar si njerëz që kanë synuar një vrasje me dashje pikërisht dhe një nga palët që u dëmtua nga shpërthimi. Në këtë kuptim, edhe reagimi i familjarëve vjen i tillë, pasi ata sot gjenden përballë faktit që gjykata ka shfryrë akuzat irracionale dhe të qëllimshme të prokurorisë dhe me të drejtë u duket e pabesueshme e gjitha kjo. Unë jo më kot pyes: Kush e shkaktoi atë tragjedi?
Kush mendoni ju se e ka shkaktuar zoti Delijorgji?
Është prokuroria e shtetit ajo që duhet t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje. Prokuroria i ka mëshuar faktit se zjarri u shkaktua nga një karrocë saldimi. Këtë fakt, prokuroria e ka gjetur në raportin hetuesve amerikanë të ATF-së dhe ia prezantoi gjykatës. Por prokuroria edhe në këtë pikë ka luajtur një rol shumë të dyshimtë dhe të çuditshëm. Këtë e pretendoj, pasi raporti i ATF-së jepte gjithsej një listë me gjashtë shkaqe të mundshme të rënies së zjarrit. Njëra prej këtyre shkaqeve ishte dhe karroca e saldimit. Në mënyrë krejt arbitrare dhe të paargumentuar, prokuroria klikoi mbi një nga këto shkaqe të mundshme duke anashkaluar pa hetim shkaqet e tjera të mundshme të prezantuara në raport. Madje, mesa kujtoj në raport, ekspertët kanë shkruar qartësisht se lista e shkaqeve të prezantuara nga ta ishin ato me probabilitet më të lartë dhe se nga hetimi i tyre nuk mund të përcaktohej shkencërisht një shkak i vetëm dhe gjithëpranuar për rënien e zjarrit dhe shpërthimin. Pyetja që shtroj unë është, përse prokuroria klikoi opsionin e karrocës së saldimit? Si u bind prokuroria që shkaku nuk ishte një nga opsionet e tjera të prezantuara nga ekspertët?
Po opsioni që besoni ju, cili është?
E kam thënë që në fillim dhe i qëndroj sot e kësaj dite. Zjarrvënia ka qenë e qëllimshme në Gërdec. Por është prokuroria ajo e cila duhej të kryente një hetim të vërtetë për shkakun e ngjarjes. Sepse nga shkaku nis problemi dhe jo nga pasoja. Por le të mendojmë për një moment që për shkaqe objektive, prokuroria nuk mundi të vërtetonte dot me hetim shkakun e vërtetë të shpërthimit. Atëherë përse do i vinte kapak kësaj çështje dhe kësaj ngjarje të rëndë duke keqinterpretuar dhe duke anashkaluar në mënyrë arbitrare përfundimet e ekspertëve amerikanë që bënë këqyrjen në Gërdec? Çfarë qëllimesh kishte prokuroria, që jo vetëm nuk vërtetoi dot vetë shkaqet e zjarrit, por edhe konkluzionet e ekspertëve i interpretoi në një mënyrë absurde? Përveç këtyre qëndrimeve të çuditshme të prokurorisë, që unë përmenda ka pasur edhe një seri veprimesh të tjera tërësisht të çrregullta nga ana e organit të akuzës, që me fillimin e kësaj çështjeje.
Ku konsistojnë këto veprime?
Po ju marr rastin e pronarit amerikan të “Southern Ammunition”, zotit Patrik Henri. Sikundër e dini, unë akuzohem si administrator i kompanisë “Albademil”, kryesisht për përgjegjësi të natyrës teknike që kanë lidhje me ngjarjen. Por edhe në letërporosinë që ka dërguar prokuroria shqiptare për Patrik Henrin, ky i fundit u ka shpjeguar se Mihal Delijorgji ishte financues i projektit dhe përgjegjësinë për garantimin teknik të aktivitetit e kishte ai, pasi kompania e tij kishte certifikimin, eksperiencën dhe plotësonte kriteret e vëna nga kontraktori shtetëror. Pra ishte Patrik Henri kontraktori dhe njeriu që doli garant për aspektin e realizimit teknik të aktivitetit dhe unë isha një financues i projektit dhe në marrëdhënien me shtetin, një nënkontraktor. Siç e keni parë edhe ju, ndaj kontraktorit, prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim ligjor, por të gjitha i ka marrë ndaj nënkontraktorit, në një kohë që ishte e qartë se roli im nuk mund të kishte asnjë lidhje me aspektin teknik, pasi edhe sikur të doja ta merrja atë rol, nuk mundesha dot, pasi duhet që kompania të ketë kualifikimin dhe kriteret e duhura për ta marrë atë rol.
Bravoooooo, nje kendveshtrim tjeter mbi Gerdecin. I like it