fbpx

Aktualitet

Mijëra ton mish i importuar, Shqipëria treg i rezervave të dyshimta





               Publikuar në : 17:00 - 29/06/19 |
R. Dedaj

Statistikat zyrtare tregojnë shifra të larta të mishit që importohet në vendin tonë, ndërsa ekspertët ngrenë pikëpyetje për sigurinë e kushteve të transportit dhe aftësinë e institucioneve për të garantuar cilësinë.


Në janar të vitit 2019 një ngarkesë prej 180 ton mish i ardhur nga Brazili u konsiderua si i papranueshëm. Ngarkesa, sipas Ministrit të Bujqësisë Blendi Çuçi u kthye në vendin e origjinës, ndërkohë që zyrtarisht nuk u fol për asnjë masë ndaj kompanisë importuese të mishit.
Ky nuk është rasti i parë që autoritetet doganore dhe AKU-ja konstatojnë problematika me mishin e importuar nga Brazili, shtet prej të cilit Shqipëria furnizohet shpesh. Edhe më herët, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë të ditur bllokimin e sasive të konsiderueshme të mishit pasi analizat rezultuan me ngarkesë të virusit “Salmonela SPP” .



“Në total janë bllokuar e kthyer në origjinë 184.554 kg mish pule dhe 26.788 kg mish derri. Pjesa më e madhe e mishit që kthehet është nga Brazili i cili ka rezultuar me salmonelë”- thuhet në raportin e vitit 2018 të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit.


Konstatimi i rasteve të shpeshta me ngarkesa mishi të ardhura nga Brazili bëri që në fillim të vitit 2017 qeveria shqiptare të ndalojë importin e produkteve shtazore nga ky vend. 6 muaj më vonë, autoritetet nxorën një udhëzim sipas të cilit produktet me bazë mishi nga Brazili nuk do kalojnë në territorin shqiptar, pa iu bërë më parë analizat. Me këtë justifikim u lejua që në shtator të 2017 të importohej sërish mish nga Brazili edhe pse disa herë kishte rezultuar me sëmundje.

Por, Ministri i Bujqësisë, Blendi Çuçi deklaron se autoritetet shqiptare e kanë situatën nën kontroll.
“Shqipëria është i vetmi vend në Europë që e kontrollon mishin nga Brazili në masën 100%”– tha Ministri i Bujqësisë në fundin e muajit prill.

Kaq optimiste nuk janë ekspertët e sigurisë ushqimore, të cilët ngrenë dyshime jo vetëm në aftësinë e autoriteteve të ngarkuara me ligj për të garantuar cilësinë por edhe në falsifikimin e dokumenteve, sa i përket vendit të origjinës dhe analizave të produktit të importuar.

Statistikat tregojnë se gjatë vitit 2018 janë importuar 61,000 ton mish ndërsa sipas INSTAT sasia e prodhimit vendas për produkte shtazore, për vitin paraardhës është 429 ton mish.

Nga vjen mishi që hamë?

Brazili nuk është vendi i vetëm prej të cilit furnizohet me mish tregu shqiptar. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Holanda, Gjermania, Polonia, Hungaria janë vendet prej nga importohet mishi që konsumojmë. Statistikat tregojnë se gjatë vitit 2018 janë importuar 61,000 ton mish. Një sasi tejet e madhe mishi vjen edhe për industrinë e përpunimit, fabrikat e sallamit.

“Gjatë vitit 2018 ka hyrë në vendin tonë mbi 61 mijë ton mish i therur i freskët (shifra ekzakte 61,532 354 kg), mbi 14 mijë ton mish i ngrirë (shifra ekzakte 14 826 796 kg) dhe 75 mijë kg pasta mishi” – thuhet në njoftim zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Statistikat zyrtare tregojnë se tregu mbushet me mish të importuar pasi prodhimi vendas i produkteve shtazore është shumë i vogël, sipas INSTAT-it.

Në dyqanet ku tregtohet mish, sipas vëzhgimit tonë, një kg mish viçi varion nga 800 lek/ kg deri në 1 000 lekë për kg. Në etiketa zakonisht është i afishuar vetëm çmimi dhe nëse e pyet kasapin apo shitësin të thotë “është mish i freskët vendi”.

Vetëm në kushtet e anonimatit kasapët të rrëfejnë se rrallë tregtohet mish vendas në dyqane. “Ne mishin e marrim nga thertoret dhe aty ka një veteriner që të jep një certifikatë sigurie, por nuk kemi informacion se nga vjen gjëja e gjallë”– të thotë një prej kasapëve në kryeqytet. Sipas tij, në këtë formë furnizohet i gjithë tregu.

Dokumentet zyrtare tregojnë se gjëja e gjallë, kryesisht viça dhe lopë, që më pas tregtohet si mish i freskët importohen nga Maqedonia, Danimarka, Britania e Madhe dhe Hungaria.

Derra të gjallë importohen nga Greqia, Hungaria, Rumania, ndërsa ajo që cilësohet si mish derri i freskët vjen nga Brazili dhe Kalifornia, respektisht 9 milionë kg nga Brazili dhe afro 1 milionë kg nga Kalifornia. Ndërsa në kategorinë mish i përzier dhe të brendshme, sërish Brazili zë pjesën më të madhe me plot 6 milionë kg, Britania, Spanja, Polonia, dhe Amerika me plot 6 milionë kg.

Ndërsa shifrat flasin për sasi të mëdha importi të mishit, autoritetet shqiptare nuk kanë infrastrukturën e duhur për të kontrolluar dhe garantuar cilësinë e këtyre produkteve.

Në raportin vjetor të AKU-së për vitin 2018, thuhet se në PIK (Pikat e Inspektimit Kufitar) mungon infrastruktura e kontrollit. Konkretisht ambiente karantinore dhe frigoriferike. Kjo mungesë komprometon drejtpërsëdrejti procesin e kontrollit dhe marrjes se mostrave ndaj subjekteve importuese.

Një nga problematikat që vërehet në mishin e importit është kontrolli i ulët i temperaturës – këputje e zinxhirit ftohës. Dyshohet se mishi mund të jetë kontaminuar rrugës për shkak se kontenierët frigorifer nuk mbajnë temperaturën normale të ftohjes apo ngrirjes gjatë gjithë udhëtimit nga vendi i origjinës në destinacion.

Ekspertët në alarm

Sipas ligjit shqiptar, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është përgjegjës për të kontrolluar çdo produkt ushqimor që hyn në çdo pikë doganore.

Strukturat e tjera shtetërore, si Tatimet apo dhe Doganat kontrollojnë vetëm letrat (dokumentet) pasi nuk kanë asnjë autoritet mbi cilësinë e produktit.

“Ne nuk e nisim praktikën doganore nëse malli nuk është i shoqëruar me dokumentacion nga specialistët e AKU-së, që janë konkretisht certifikata e mishit (veterinare) dhe certifikata e vend-origjinës”– sqaruan autoritetet doganore.

AKU refuzoi tu përgjigjet pyetjeve që patëm mbi kontrollet që zhvillohen në dogana dhe sasinë e mishit që kanë bllokuar gjatë vitit 2018.

Në raporte konvencionale, thuhet se gjatë 2018-ës, inspektorët e Kontrollit në Pikat e Inspektimit Kufitar kanë marrë 3 431 mostra mishi, nga të cilat 18 mostra kanë rezultuar jo konforme, për të cilat janë marrë masat e bllokimit dhe kthimit të tyre në vendin e origjinës.

Ish- Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Vojo Bregu shprehet se shpesh mish që është në prag skandence futet në Shqipëri.

“Fakti që një kg sallam, ka një çmim minimal 350 lek/kg dhe një kg mish minimumi është 600 lek tregon qartë që Shqipëria, prej 20 viteve të fundit, është kthyer në një valvul shkarkimi, e cila mbledh të gjitha ngarkesat e dyshimta dhe të skaduara nga Brazili dhe vendet e BE-së. Edhe pse është e përcaktuar në legjislacion, që nga Brazili mund të importohet vetëm nga stabilimentet e certifikuara për në BE, kjo masë nuk gjen zbatim në shumicën e rasteve, dhe si pasojë cilësia e mishit të importuar nuk është e standardeve të kërkuara dhe është e rrezikshme për shëndetin e njeriut”, thotë ish-zyrtari i lartë.

Bregu tregon se ka pasur raste ku është konstatuar falsifikimi i dokumentacionit shoqërues që garanton vendin e origjinës, datën e skadencës, dhe garancinë që produkti është nga stabilimente të certifikuara nga BE.

Rastet e prekura me Salmonele tregojnë cilësinë dhe mungesën e sigurisë së lëndës së parë, e cila përdoret nga industria e prodhimit të sallamit”– vijon Vojo Bregu.

Ndërsa, për profesorin e Veterinarisë në Universitetin Bujqësor të Tiranës, Dritan Laci, shqetësim serioz është gjurmshmëria e produktit.

“Kafsha duhet të ketë certifikatë të rregullt ku shënohet gjithçka, medikamentet që ka marrë, mënyra e ushqyerjes, etj. Është ai që njihet ndryshe si regjistrimi elektronik i fermave, ku të dhënat jo vetëm hidhen, por dhe përditësohen nga ekspertët e bujqësisë”– thotë Laci.

Profesori i Universitetit tregon se AKU dhe ISUV nuk kanë specialistë të mirëfilltë, aq më pak profesorë me grada e tituj shkencore.

Laci thotë se Ministria e Bujqësisë duhet të jetë më rigoroze në lëshimin e certifikatave, gjithashtu kërkohet kujdes nga ana e importuese për kushtet frigoriferike të transportit.

Struktura e ngarkuar me ligj për të kontrolluar këtë hallkë të zinxhirit ushqimor është Drejtoria e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë në Ministrinë e Bujqësisë.

Ish-zyrtari i lartë i këtij institucioni, Vojo Bregu thotë se kjo strukturë është krejtësisht nën kontrollin e kompanive importuese.

I pyetur nëse ka në Shqipëri një lob ushqimi (grosistë me pozita dominuese), Bregu thotë se “ka pasur dhe vazhdon të ketë një lob, i cili punon për të vendosur apo për të hequr stafin e Drejtorisë se Sigurisë Ushqimore dhe të Veterinarisë ku jetëgjatësia e një drejtori, në 11 vitet e fundit është mesatarisht 1 vit. Drejtoria Veterinare ka rreth dy vjet pa drejtues, dhe me një staf shumë të reduktuar” – vijon ai.

Ministria e Bujqësisë dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve tona për cilësinë e mishit, sidomos atij të importit. Ndërsa në një deklaratë publike, ministri Çuçi është shprehur se do hartohet një ligj i veçantë në vend për të ridimensionuar shërbimin veterinar në vend.

***

*Statistika/ Sasia e mishit të importuar për konsum dhe industrinë e përpunimit gjatë vitit 2018. Burimi: Dogana Shqiptare

*Ky artikull është prodhuar nga Qendra e Tiranës për Gazetari Ekselente (TCJE.org), nën projektin “Siguria Ushqimore: A mund të besojmë në ato që hamë,” me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Tiranë, përmes programit te Komisionit Demokratik të Grandeve të Vogla (Democracy Commission Small Grants Programme). Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull u takojnë autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërish politikat zyrtare apo qëndrimet e asnjë agjencie të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 


Etiketa: , , ,

Pas