Albert Veliu është ndihmuar nga një gazetar për të regjistruar bisedën telefonike me Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Një tjetër gazetar, Artur Çani, ka deklaruar në ‘Fax News’ se Veliu ka kontaktuar me një kolegun e tij për të bërë regjistrimin. Sipas Çanit, gazetari ka bërë verifikimin nëse numri me të cilin fliste Veliu i përkiste Agron Xhafajt dhe pasi kjo është konfirmuar, i ka vendosur mikrofonin në trup dëshmitarit.
“Përgjimi është ambiental, jo me telefon. Ky ka patur mikrofon në trup dhe që ka regjistruar bisedën. Ka kontaktuar me një gazetar që ka dashur t’ja japë këtë (audion). Në fillim u mendua se ishte një person që fliste budallallëqe, por kur u panë lidhjet e tij në Vlorë, kur panë se ky fliste lirshëm me Xhafajn… Gazetari është treguar i mënçur kur ka marrë numrin e telefonit dhe ka konfirmuar se ky numër doli që ishte i tij (Xhafajt). Kishte shumë indicie që u besuan dhe që më pas u vu një mikrofon në trupin e tij (Veliut) dhe u regjistrua”, deklaroi Artur Çani.