Gjykata Kushtetuese, ende pa u krijuar ka sjellë përplasje të fortë jo vetëm me deklarata por me akte politike dhe ligjore nga Presidenti i Republikës dhe qeveria nëpërmjet Parlamentit. Në përplasje duket se janë dy emra Vorpsi dhe Xhaferllari ku presidenti njeh Xhaferllarin, ndërsa mazhoranca Vorpsin. A është kjo një përplasje ligjore, apo mirëfilltas politike? Cila palë ka të drejtë në këtë nismë, në aspektin ligjor? Kujtojmë që edhe Parlamenti në mesditë votoi një rezolutë edhe me votat e “opozitës së re” kundër kreut të shtetit.
Kushtetuta është shumë e qartë në përcaktimin e radhës së punës për administrimin, listimin e përcjelljen e emrave tek institucionet e emërtesës, në rastin konkret te Presidenti dhe Parlamenti që duhet të zgjedhin me radhë secili nga tre gjyqtarë kushtetues, ndërsa Gjykata e Lartë që ka edhe ajo tre anëtarë kushtetues për të zgjedhur, mbetet në pritje, deri sa të ngrihet. Nuk është procesi ai që sjell përplasje mes institucioneve, por mënyra e administrimit të tij nga KED, që për arsye që nuk i ka sqaruar, nuk ka respektuar këtë radhë, e Presidenti e ka kundërshtuar, kurse kuvendi ia ka pranuar në heshtje. Askush nuk e mohon dot se për emërtesën e vet presidenti nuk u shpreh kundër, por vetëm kërkoi respektimin e radhës së institucioneve sipas kushtetutës, pra në opinionin tim, Marsida Xhaferllari është emërtesa që i takon presidentit. Rezoluta e kuvendit e miratuar sot, nuk ka asnjë fuqi ndikuese ndaj Gjykatës Kushtetuese që është institucion i pavarur, për pasojë rezoluta ishte thjesht një taktikë politike.
Si pritet të përfundojë kjo situatë kur palët në konflikt pretendojnë se kanë të drejtë, ndërsa absurdi është se pikërisht për Gjykatën Kushtetuese që do i jepte përgjigje shteruese shumë konflikteve institucionale, presidencë-qeveri, ka konflikte që në ngritjen e saj?
Kam përshtypjen që Gjykata Kushtetuese, ende pa kuorumin e nevojshëm 6 anëtarësh për vendimmarrje në njoftimin e saj bëri të qartë që gjyqtarët e betuar tek presidenti, janë anëtarët e saj të rinj. Me këtë pasazh; “Gjykata Kushtetuese si një institucion i pavarur, duke zbatuar Kushtetutën dhe ligjin e saj organik dhe legjislacionin në fuqi, si dhe praktikat administrative të ndjekura ndër vite, me qëllim sigurimin e kushteve normale për mbarëvajtjen dhe mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj, është duke ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme administrative formale për fillimin e detyrës së tri anëtarëve të rinj, pas betimit të tyre para Presidentit të Republikës”, lihet të kuptohet se anëtarja e pestë e kësaj Gjykate është Xhaferllari e jo Vorpsi.
Institucionet e “Drejtësisë së re” ende pa u formësuar po përplasin palët, a rrezikojmë tashmë që të futemi në një ngërç të fortë institucional dhe kushtetues edhe në vijim? Nga ana tjetër, është lënë të kuptohet se nëse konflikti vijon kreu i shtetit mund të shpërndajë Parlamentin.Cilat janë bazat ligjore, por edhe politike dhe nëse ndodh cili institucion do e “gjykojë” vendimin?
Mendoj se paralajmërimi i presidentit ishte emocion politik më shumë se mundësi kushtetuese. Me nisjen e punës së Xhaferllarit, mendoj se situata mund të qetësohet, me shpresën që të mos përsëritet më anomalia e fundit me emërimin e kandidatëve. Por ngërçi nuk përjashtohet nëse mazhoranca do insistojë që falë numrave në kuvend, të kufizojë kompetencat e presidentit, duke dobësuar kështu parimin “Check and balance” mes institucioneve në vend. Padyshim që kjo nuk i shërben vendit e them se ka ardhur koha që aktorët vendimmarrës të heqin dorë nga lojërat politike për përfitim influencash politike në institucionet e drejtësisë së re. Së pari, do minohej besimi tashmë i brishtë te reforma zgjedhore, ndërsa mesazhi më i shëmtuar do u jepej gjithë partnerëve në BE që janë të angazhuar që Shqipërisë t’i hapen negociatat përmes një vendimmarrje në samitin e Zagrebit në maj 2020