Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha sot pas mbledhjes së qeverisë se, kërkesa për raketë anti-tank ishte para se të fillonte lufta në Ukrainë.
Por, ai tha se, agresioni e ka vendosur ministrinë para një fakti, që është shtimi i përpjekjeve dhe buxheteve për modernizimin e Forcave të Armatosura.
“Ka qenë e planifikuar më parë, para se të fillonte agresioni në Ukrainë. Pra, nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me agresionin, por natyrisht agresioni na ka vënë para një fakti, që është shtimi i përpjekjeve dhe buxheteve për modernizimin e Forcave të Armatosura. Kështu që, në mos ky projekt, projekte të tjera po kanë lidhje me agresionin. Ne po shtojmë përpjekjet dhe buxhetin për Forcat tona të Armatosura”, iu përgjigj Peleshi gazetarëve.
Më tej, shtoi se, Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe nuk kërcënohet nga lufta.
“Për ta thënë edhe njëherë me zë të lartë, që Shqipëria është e sigurt, është aleate në NATO. Nuk kemi një kërcënim konkret, para të cilit duhet të përgjigjemi me mjetet tona të brendshme. Jemi në NATO, që mbron çdo centimetër. NATO reagon sa herë preket një pëllëmbë tokë. Pra, nuk bëhet fjalë për një rrezik, por nga ana tjetër NATO ka forcuar dukshëm krahun e vet lindor, në kufi me Rusinë. Krahu lindor e tejkalon forcën e rivalëve të vlerave tona në lindje”, tha ministri.