Tre javë pas ngjarjes, Ministria e Arsimit ka mbyllur kopshtin privat në Fier, ku ndërroi jetë një 3 vjeçar. Fëmija ndërroi jetë në rrethana të dyshimta, ndërkohë që mjeku tha se shkak i vdekjes ishte mbytja.
Prindërit e vogëlushit kanë bërë apel për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa një eduktaore përfundoi nëpranga.
Ministria e Arsimit thotë në vendimin e saj se janë konstatuar një sërë shkeljesh nga kopështi “Flatrat e Dijes” dhe për këtë arsye është mbyllur.
Njoftimi
Nga konstatimet e bëra prej grupit të punës i Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit në kopshtin “Flatrat e Dijes”, janë konstatuar një sërë shkeljesh si më poshtë:
“1.Institucioni arsimor parauniversitar privat, kopshti “Flatrat e Dijes, Fier nuk ka drejtues didaktik, gjë që bie në kundërshtim me nenin 55/1 të ligjit nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar.
2.Institucioni arsimor parauniversitar privat, kopshti “Flatrat e Dijes, Fier në kundërshtim me përcaktimet e nenit 21, të ligjit nr. 69/2012 Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar dhe të kushteve të licencës së dhënë, ka regjistruar fëmijë të moshës nën 3 vjeç, kur mosha e detyrueshme për regjistrimin e fëmijëve në grupin e 1-re të arsimit parashkollor (kopsht) është mosha 3-4 vjeç.
3.Personeli mësimdhënës në institucionin arsimor parauniversitar privat, kopshti Flatrat e Dijes”, Fier nuk plotëson kriteret e parashikuara në nenin 57, të ligjit nr. 69/2012-Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, ndryshuar, ku përcaktohet: “Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit te parë “Bachelor”, qe formon mësues te arsimit parashkollor”
4.Institucioni arsimor parauniversitar privat, kopshti “Flatrat e Dijes, Fier nuk plotëson standarde te normativave infrastrukturore të përcaktuara, në kundërshtim me percaktimet e Udhëzimit Nr. 15, date 12.07.2013 “Për procedurat e posaçme për shqyrtimin e kërkesave për licence të institucioneve arsimore private dhe institucioneve arsimore plotësuese private parauniversitare”, i ndryshuar, kreu 1. pika 5/e.
5.Institucioni arsimor parauniversitar privat, kopshti “Flatrat e Dijes” Fier, ka regjistruar dhe pranuar fëmijë në kopsht mbi numrin e lejuar të femijëve për grup, duke sjelle si pasoje mungesën e përkujdesjes se nevojshme për këta fëmije, ne kundërshtim me udhëzimin nr.30. datë 12.9.2018 “Për numri ne nxënësve për klasë dhe normat e punës mësimore në institucionet e arsimit parauniversitar”, i ndryshuar.
6.Institucioni arsimor parauniversitar privat, kopshti “Flatrat e Dijes, Fier, nuk ka përmbushur detyrimet në lidhje me dokumentacionin ligjor dhe teknik te nevojshëm, duke përfshirë kontratat e shërbimit me prindërit.
PER KETO ARSYE: Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe të pikës 3 të nenit 70 te ligjit nr. 69/2012. “Per sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bazuar në Raportin e Vlerësimit nr. 15/8/1 prot., datë 31.01.2022 të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar URDHËROJ: Mbylljen e veprimtarisë se institucionit arsimor parauniversitar privat, kopshti “Flatrat e Dijes”. Fier, në emër të personit juridik “ERMA” Shpk dhe licencuar me Licence të QKI. Nr. DN-8801-04-2013-01, me NIPT K233174020″, thuhet në urdhrin e ministrisë.