Aktualitet

Ministrja Haradinaj, bisedë telefonike me homologun e Izraelit: Zyrtarizuam marrëdheniet diplomatike






Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:30 - 01/10/20 |
mapo.al

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se ka zhvilluar një “bisedë historike” me ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi. Kjo bisedë, sipas saj, shënon një hap të rëndësishëm përpara në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit.


“Së bashku ramë dakord për të zyrtarizuar marrëdhëniet diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit në Jeruzalem sa më shpejt të jetë e mundur, dhe vendosëm të shkojmë përpara menjëherë me një grup të përbashkët pune për të materializuar këtë arritje”, tha Haradinaj-Stublla.


Edhe Ministria e Jashtme e Izraelit, përmes një njoftimi, konfirmoi se Kosova do të dërgojë një delegacion në Izrael për të vënë në lëvizje procesin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.



Njohja reciproke midis Kosovës dhe Izraelit është e përfshirë në një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator.


Me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump, Kosova është zotuar se do të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe se do ta hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, ndërsa Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.


Konfirmimin për hapjen e ambasadës në Jerusalem, Haradinaj-Stublla tha se ia ka shprehur edhe kryediplomatit izraelit. Ajo tha se është ftuar për vizitë në Izrael./REL/


Etiketa: , , ,

Pas