Angjinarja, ushqimi i rigjenerimit që vjen me pranverën
Në mitologjinë greke, angjinarja përmendet si gjembi në të cilin Zeusi ktheu afeksionin e tij të refuzuar. Pjesët e bimës që janë të ngrënshme, vijnë nga boçet e lules së angjinares, e cila ka një zemër ngjyrë violë. Është e vështirë për t’u përgatitur, por ia vlen lodhja kur përfitimet janë të tilla si rrallë ushqime. Blerina Bombaj, dietologe klinike, shpjegon se angjinaret janë në sezonin e tyre në mars deri në fund të prillit. Shfrytëzojeni këtë stinë për të përfituar gjithë vetitë e saj rigjeneruese nëpërmjet ushqimeve me vlera të veçanta detoksifikuese, si angjinaret dhe asparagët.
Vlerat
Angjinaret janë të pasura në vitaminë C, K, acid folik dhe fibra bimore, si dhe, në listën e renditjes së ushqimeve sipas përbërjes së tyre në antioksidantë, angjinarja renditet në 20 të parat. Edhe pse pjesa më e shijshme e bimës është zemra, fletët janë ato që përmbajnë shumicën e lëndëve ushqyese.
Lufton kancerin
Studimet tregojnë së përbërës të ekstraktuar nga angjinaret, kanë efekt pozitiv në uljen shumimit të qelizave kanceroze, veçanërisht kancerit të prostatës dhe gjirit. Studim i vitit 2017 të fundit, të publikuar në “Journal of Pharmacology”, kanë treguar se përbërësi që karakterizon angjinaren “cynara cardunculus L.” – mund të përbëjë një aleat të dobishëm në terapinë kundër leucemisë.
Rigjeneron mëlçinë
Në saje të përbërësve të quajtur “kinarin” dhe “silimarin”, angjinaret rezultojnë tepër të dobishme për mëlçinë. Është parë se konsumi i këtyre dy përbërësve ka sjellë rigjenerim të mahnitshëm të indit të mëlçisë.
Përmirëson tretjen
Angjinaret përmbajnë “inulin”, një substancë me veti probiotike – e cila ushqen florën bakteriale dhe forcon mukozën e aparatit tretës. Përveç forcimit të barrierës së aparatit tretës, flora bakteriale e shëndetshme arrin të luajë një rol të jashtëzakonshëm në zbërthimin e disa lëndëve ushqyese të patretshme ose të papërthithshme, në uljen kolesterolit dhe në forcim të imunitetit.
Ul kolesterolin dhe mbron zemrën
Përbërës të fletëve të angjinares, kanë veti reduktuese për kolesterolin e keq LDL duke rritur gjithashtu kolesterolin e mirë HDL. Përveç efekteve të dobishme në profilin lipidemik, angjinaret luajnë një rol shumë të favorshëm në uljen e inflamacionit, duke mbrojtur arteriet dhe zemrën.
Bimë antioksiduese
Angjinarja është një bimë antioksiduese që lufton dhe “radikalet e lira”, të cilat gjenden në organizëm dhe janë shkaktare të plakjes se organeve dhe gjithë organizmit. Tek angjinarja ka shumë përbërës fenolik (acide chlorogenique, narirutine, apigenine, rutinoside), si dhe anticianike (cyanidine, peonidine, delphinidine). Po kështu në përbërjen e angjinares gjejmë një tjetër antioksidant të quajtur silymarinë, i cili ka mjaft efekte kundër kancerit. Inulina është një glucid preboitik që nuk tretet dhe nuk absorbohet nga zorra qorre, por ajo fermentohet nga flora bakteriale e zorrës së trashë. Bakteret e dobishme të zorrëve mund ta absorbojnë inulinën, e cila është e dobishme për funksionimin e mirë të zorrëve. Ajo kontrollon gliceminë dhe lipidet e gjakut.
Box
Përgatitja e angjinareve në gatim
Vendosni në një tas me ujë, 1,5 me 2 limona, dhe i ruajmë me pas limonët.
Presim kërcellin diku 3-4cm nga baza. Në një sipërfaqe druri, presim me thikë majat e angjinares, derisa fletët të duken të buta. Heqim gjithë fletët e jashtme të forta, dhe lëmë vetëm ato të butat me ngjyrë jeshile të çelur. Me një thikë shumë të mprehtë pastrojmë rreth e rrotull angjinaren dhe kërcellin. E fërkojmë me limonët e shtrydhur. Me një lugë heqim pjesën e pushit të brendshëm dhe e zhysim menjëherë në ujin me limon.
Recetë gatimi
Angjinare “Ala Polita”, përbërësit:
2 thelpinj hudhër
1 qepë
2 patate të prera në kubike të mëdhenj
2 karota
1 dorë bizele (mund të jenë edhe të ngrira)
8 angjinare
1 tufe kopër
½ filxhani vaj ulliri
kripë, piper
Limon të shtrydhur ( ½ limoni)
Përgatitja
Kaurdisini për rreth 10 minuta qepët me hudhrat dhe karotat në vajin e ullirit
Shtoni patatet dhe më pas angjinaret, në fund bizelet dhe koperin
Shtoni lëngun e limonit dhe 1 gotë ujë
I lini në zjarr të avashtë për rreth 30–40 minuta
Shërbejeni me lëngun e tyre në pjatë të thellë