Aktualitet

Misioni i letërsisë shqipe mund të shikohet si modeste relativisht e krahasuar














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 15:34 - 01/05/21 |
Mark Simoni

(Intervistë me intelektualin e njohur Kujtim Abdi)
Bashkëbisedoi Mark Simoni





A mendoni se kultura dhe dijet janë një volum i domosdoshëm që i shërbejnë krijuesve në misionin e tyre, shkrimtarëve si një terren ku mund të vendosin subjektet, ngjarjet, stilin e jetës së personazheve, kjo në një kontekst historik?


Padyshim po! Mjaft të mendojmë nga lashtësia Virgjilin, nga modernët Umberto Ekon, e nga tonët Naimin dhe De Radën. Mendoj se gjithmonë historia ka shërbyer si një nga burimet kryesore të ngjarjeve, sikurse e hasim te “Kështjella” e Kadaresë dhe te “Ali Pashë Tepelena” e Sabri Godos. Natyrisht dhe në shumë të tjerë. Për sa i takon aktualitetit do të përmendnja dhe Luan Ramën. Përgjithësisht shkrimtarët e kanë drejtuar vështrimin nga figurat e mëparshme dhe nga ato më të njohurat, sikurse bëri Shekspiri, por pa harruar shembuj dhe për Aleksandrim e Madh. Vetë jeta e një periudhe kohe i shërben po historisë, kështu që përgjithësisht shkrimtarërt janë në një formë gjithmonë të lidhur me historinë sidoqoftë tematika e shkrimeve të tyre. Kjo vlen dhe për muzikën, pikturën. Verdi dhe Rubens, bashkë me shumë të tjerë, nuk mund të veçohen nga ky realitet.





A mendoni se ka materiale arkivore dhe muzeale që lidhen me historinë tonë, të pa studiura mirë, që mund tiu shërbejnë autorëve tanë për tiu harlisur fantazinë, apo për t’i marrë si mundësi zanafillore për të ngritur subjekte për letërsi historike? A mund të ndani me ne shembuj të tillë?



Ka shumë dhe përgjithësisht studiuesit seriozë shqiptarë janë mjaft të pregatitur. Shqiptarët dhe çifutët janë kombet më të përhapura në botë, e çuditërisht nga një numër relativisht të vogël popullsie në krahasim me vende të tjera. Rrallë mund të gjesh ndonjë varrezë jashtë Shqipërisë që të mos mbajë eshtrat e ndonjë atdhetari tonë. Rrallë mund të gjesh një sasi kaq të madhe individësh që i kanë dhënë kulturave botërore në fushën e politikës, ushtarake e të artit sa shqiptarët. Kudo që has fakte në lidhje me këtë ndjehem krenar dhe kam bindjen se populli ynë është më nga inteligjentët, më të talentuarit dhe më nga kurajozët në botë.
Sa për materiale në lidhje me Shqipërinë, përposë zbulimeve që duhet të bëhen brenda territorit tonë, ka dhe ndër koleksionistë privatë. Nga më të famshmit është familja Albani e Urbinos. Shumë dokumente të kësaj familje kanë kaluar tani në një dorë tjetër. Si burimi ynë më i pasur në këtë drejtim gjithmonë mbetet Vatikani, Venecia, Napoli, Palermo dhe Grottaferrata. Por nuk duhet të harrojmë se shumë të dhëna në lidhje me ne duhen kërkuar në Bukuresht, Sofje, dhe fatkeqësisht për sa i përket dispozitës në Stamboll dhe Athinë.


Borges-i thotë se në vendet me letërsi të dobët janë shkrimtarët me formim të mangët kulturor e letrar që e sjellin këtë gjendje. Cili është opinioni juaj për letërsinë tonë, që është cilësuar nga kritika serioze si një letërsi modeste?

Nuk më duket e drejtë! Ka arësye të tjera për këtë gjë. Mendimi im është, se përkundrazi, elita intelektuale shqiptare ka qenë në një shkallë shumë më të lartë se sa vetë populli, për të cilin e dimë fare mirë se për shekuj ka qenë i mbërthyer në analfabetizëm. Janë pikërisht këta meteorë të dijes që kanë ndriçuar kombin në kohëra të ndryshme.

Sa për mendimin tim misioni i letërsisë shqiptare mund të shikohet si modeste relativisht e krahasuar, por me kushtet që ka kaluar Shqipëria nën Turqinë dhe raprezaljet komuniste mendoj se kemi numurin më përfaqësues në botë përkundrejt këtij fakti. Figura të ndritura si Sami Frashëri, Konica, Noli, Camaj, e të tjerë kanë dhënë një kontribut të çmuar jashtë, por gjithnjë në lidhje më vlerat e kombit tonë. Ndërsa për brenda kufijve nuk mungojnë gjenialë si Fishta dhe Lasgushi. Problemi komunist nuk është vlerësuar si duhet në Shqipëri. Ai ende tolerohet dhe zbutet. Të mos harrojmë se ai sistem thyhu kalemin e Lasgushit e shumë të tjerëve që humbën jetën nëpër burgje. Nuk u bë asnjë tentativë pë të shfrytëzuar kokat intelektuale. Tahir Dizdari ishte nga kopjet më të rralla të kulturës orientale. Gjithë jetës e mbajtën nën rrogoz. Po të ishte dërguar ai në arkivat e Turqisë, Iranit, Egjyptit, e ndoshta dhe të Arabisë, me siguri do të kishte zbuluar dokumente të mahnitshme në lidhje me Shqipërinë. Si ai kemi pasur me qindra, intelektualë vërtet të kalibrit europian e botëror, aq sa është e habitshme për një vend të vogël si tonin e me atë pregatitje të vonë shkollore!

Ju shoh aktiv në esetë kulturologjike. A kanë ndikimin e tyre dhe realiteti historik dhe kultura austriake, muzeumologjia dhe arkivat e atjeshme?

Vërtet kjo është një shtyrje e madhe. Por në dijet dhe hulumtimet e mia zë vend dhe Roma, Italia përgjithësisht. Nuk ka vende të tjera që kanë përkrahur më shumë kulturën tonë. Arbëreshët ende janë një platformë prodhuese për atë që tek ne mbeti e humbur. Në shumë muzeume gjen një shenjë shqiptare.

Nëse do të prekja dhe në privatizëm, mund të më zbuloni diçka dhe për besimin tuaj, që ndoshta mund të ketë ndikim duke jetuar sa në Romë dhe në Vjenë?

Besimi im është i krishterë dhe kjo gjë i dedikohet Shqipërisë, ndonëse Roma është vendi ku jam pagëzuar. Thellësisht mirënjohës i ndjehem Petro Zhejit dhe Ilia Xhokaxhiut, si dhe të gjithë miqve të tjerë të grupit. Por në mesin e viteve ’70, kur të gjithë u thirrën në Degë, vetëm unë dhe Agim Mujo për çudi nuk u morëm në pyetje. Të gjithë të tjerët pa përjashtim iu nënshtruan kësaj hetusie. Fati desh që Ilia nga frika e kontrollit pruri tek unë të gjitha librat e tija fetare për t’i fshehur, me sigurinë se familja ime prej komunistash nuk do të kontrollohej. Ndërmjet atyre librave ishte dhe Dhjata e Re. Duke menduar se shpejt do të vinte dita që t’ja ktheja librin Ilias, iu futa punës ta kopjoj. Për vite me rradhë kjo kopje zuri vendin e librit, deri sa një ditë jam gjykuar rëndë për këtë akt që dëshmohej me shkrimin tim. Pas asaj dite Zoti si shpërblim më dha qindra e qindra libra të tillë, por gjithmonë në zemër më ka mbetur ky ungjill i kopjuar me dorën time nga i shtrenjti mik Ilia, piktor dhe shpirt i rrallë!

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas