Vijon të mbetet e mistershme humbja e jetës së gardistit 31-vjeçar Shkëlzen Qordja, i cili u gjet i pajetë brenda automjetit të ministrit Fatmir Xhafaj. Zbardhen detaje të reja nga orët e fundit të gardistit. Hetimet e prokurorisë dhe akuzat politike. Rama: Reagimi i opozitës, i neveritshëm. PD: Vrasje mafioze
Shtohen akoma më shumë misteret e vdekjes së gardistit Shkëlzen Qordja, i cili u gjet me një plumb në kokë brenda automjetit në ambientet e brendshme të Gardës së Republikës. Partia Demokratike vijon të këmbëngulë se nuk kemi të bëjmë me vetëvrasje siç është deklaruar zyrtarisht nga policia dhe prokuroria, por një vrasje mafioze, duke shigjetuar ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Pavarësisht qëndrimeve të ndryshme politike, vdekja e 31-vjeçarit, prej disa kohësh shofer personal i ministrit Xhafaj nuk është zbardhur plotësisht dhe priten të tjera ekzaminime. Ditën e djeshme kanë dalë të tjera detaje ku mësohet se 31-vjeçari ka festuar deri natën vonë të premten e kaluar, ndërsa në orët e para të mëngjesit u gjet i vdekur me një plumb në kokë. Ky detaj përforcon dyshimet se Qordja nuk po kalonte momente depresioni dhe vetëvrasja e tij mbetet ende pa shpjegim. Pranë trupit të viktimës janë gjetur tre gëzhoja automatiku “Mp5”, arma në dorën e djathtë me levën e fiksuar për “qitje me breshëri”, ndërsa viktima ka një plagë tejshpuese në kokë, nga e djathta në të majtë.
Konkluzionet dhe dyshimet
Vetëm dy orë pas nisjes së hetimeve dhe mbërritjes së ekspertëve në vendin e ngjarjes, Prokuroria e Tiranës, policia dhe SHÇBA dolën në konkluzionet e para. “Nga këqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit”-thuhet në njoftimin zyrtar të tre institucioneve. Ndonëse konkluzioni mbërriti me shpejtësi, ende ngrihen disa pista dyshimi që mbesin pa përgjigje. Në njoftim pranohet se arma automatike Mp5” ishte në pozicionin “qitje me breshëri”. Janë gjetur tre gëzhoja, ndërsa viktima është përshkuar nga një plumb në kokë. Armë të tilla sipas specialistëve konsiderohen të një qitjeje me shumë shpejtësi, duke aluduar se në rast vetëvrasjeje duhet të ishte përshkuar po nga aq plumba sa janë qitur. Megjithatë ekspertët e kriminalistikës, prokurori që ishte i pranishëm në vendin e ngjarjes dhe ekspertë të policisë janë të bindur se kemi të bëjmë me një vetëvrasje, kjo duke analizuar provat e gjetura brenda automjetit. Vetëm pak minuta pasi u njoftua mbi këtë ngjarje reagoi edhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, që krahas ngushëllimeve kërkoi që kjo çështje të mos përdorej politikisht. “Jam i shokuar dhe nuk gjej fjalë të ngushëlloj prindërit dhe gjithë familjen e Shkëlzenit për humbjen tragjike të jetës së tij. Kjo ngjarje e rëndë ka shkaktuar një dhimbje të fortë njerëzore për mua dhe për të gjithë ata që punuan dhe e njohën nga afër atë. Nuk është dita sot për mua që të bëj politikë dhe as e ndaloj dot që politika të vazhdojë të merret me mua sot. Kam humbur krejt papritur një njeri të afërt, i cili si dhe gjithë familja e tij, ishte bërë si pjesë e familjes sime”-deklaroi ministri Xhafaj. Ngjarja vijon të mbetet e mistershme, ndërsa mësohet se hetimet janë mjaft intensive për të arritur në një konkluzion brenda një kohe të shkurtër. Vetë familjarët e gardistit 31-vjeçar nuk kanë pranuar të japin asnjë koment për mediat, por mësohet se disa prej tyre janë thirrur për të dhënë dëshmi. Gjithashtu edhe drejtues të gardës dhe shokë të 31-vjeçarit kanë dhënë deklarata. Pjesa më e madhe e tyre shprehen se nuk kanë konstatuar shenja depresive dhe Qordja kishte mbërritur në punë të shtunën në mëngjes dhe pasi është futur në garazhin e automjeteve nuk ka dalë prej aty dhe më pas është gjetur i vdekur brenda automjetit.
Akuzat nga PD
I pari që reagoi nga Partia Demokratike menjëherë pas ngjarjes ishte ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas tij gardisti Shkëlzen Qordja ishte ekzekutuar nga familja mafioze në pushtet Xhafaj-Rama. Ndërsa dukej se PD do “distancohej” nga qëndrimi i ashpër i Berishës, dolën në mbështetje, duke dyshuar se prokuroria dhe policia e kontrolluar sipas tyre nga Rama dhe Xhafaj po manipulonin provat, që ekzekutimin ta kthenin në vetëvrasje. “Për të fshehur një vrasje mafioze, Edi Rama ka marrë publikisht rolin e kryeprokurorit, duke paracaktuar se vrasja mafioze ishte vetëvrasje me 3 plumba”, u shpreh dje Edmond Spaho, nënkryetar i PD. Kjo ngjarje nuk ka mbetur pa u komentuar edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili në fjalën e tij iu ka përcjellë një mesazh familjarëve, për të cilët tha se nuk arritën të gjejnë qetësi nga politika dhe opozita as në një tragjedi të tillë. “Ngushëllime të ndjera për gardistin. Dua të ndaj me familjen të gjithë ndjenjën e keqardhjes për faktin se përtej tragjedisë dhe dhimbjes së një familjeje për djalin, ata nuk mundën të gjejnë qetësinë për të lotuar brenda mureve të shtëpisë, sepse u gjendën nën rrebeshin e zi të sulmeve politike. Pa dashur fare t’ia dinë për respekt, për të vërtetën jo e jo, por as për një familje të thjeshtë. Versioni brutal ndaj djalit që u nda nga jeta, përfshirja e tij në skenarë fantazie makabër për të goditur ministrin e Brendshëm dhe qeverinë nuk ka fjalë. Është i neveritshëm, i turpshëm”, u shpreh Rama. Përplasjet politike pritet që të vijojnë edhe në ditët në vijim, për aq kohë sa institucioni i akuzës nuk ka dalë në versionin përfundimtar, por vetëm me të dhëna paraprake.