Një raport mbi çfarë ka ndodhur me hetimet dhe cilat janë procedurat sekrete të tenderave të pandemisë, që po verifikohen. Pse u aplikuan tenderat sekretë, dhe pse nuk ka asnjë transparencë mbi paratë e shpenzuara? Pse nuk dihet çfarë është blerë, sa është blerë, me çfarë çmimi, dhe a ka mbërritur malli i porositur? Skepticizmi mbi prokurorinë, dhe cili është dëmi që sjell ky lloj standardi. Flet për gazetën MAPO, Aranita Brahaj, një eksperte e spikatur e fushës
A jemi përpara një megaskandali me tenderat sekretë, përgjatë kohës së pandemisë? Kësaj pyetjeje mund t’i japë përgjigje vetëm SPAK, së cilës i duhet të hetojë 15 tendera të bërë në kohë pandemie nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. SPAK deri më tani ka filluar hetimin për Ministrinë e Mbrojtjes, në lidhje me një tender që ka të bëjë me blerjen e ushqimeve, dhe ka marrë në pyetje rreth 6 zyrtarë të kësaj ministrie. Hetimi mund të shkojë deri në kupolën e institucionit në rast të konstatimit të shkeljeve. Janë rreth 1.5 milion euro, blerje nga kjo ministri, që i është dhënë një kompanie maqedonase që operon në fushën e IT, dhe s’ka lidhje me tregun ushqimor.
Por interesimit tonë në lidhje me tenderat në Ministrinë e Shëndetësisë përgjatë kohës kur shqiptarët ishin të izoluar si shkak i pandemisë COVID 19, burime pranë institucionit të hetimit iu përgjigjën “SPAK ka marrë në shqyrtim dosjet, duke përfshirë edhe tenderat që janë bërë te Ministria e Shëndetësisë, dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar për nisjen e hetimeve.
Prokurorët SPAK, pas përfundimit të hetimeve, nëse do të jetë e nevojshme do të thërrasin të gjithë titullarët apo zyrtarët që kanë pasur lidhje me prokurimet publike”. I njëjti burim bën me dije se deri më tani për sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë, SPAK është në fazën e verifikimit të procedurave dhe dokumentacionit e cila në varësi të çështjes mund të zgjasë nga 15 ditë deri në 1 muaj.
Në rast se nuk konstatohen shkelje atëherë çështja mund të mbyllet. Nga ana e këtij institucioni nuk ka asnjë të dhënë se sa është shuma në total që është përdorur për këta tendera, të cilët janë të mbrojtur nga informacioni i klasifikuar. Janë tendera kryesisht që kanë të bëjnë me blerje barnash, maska mbrojtëse apo dhe letra higjienike të cilat nuk dihet se përse janë futur në këtë kategori. Dyshimet për abuzim mbeten. Enkelejd Alibeaj, ish-deputet i PD-së thotë se për mallrat e blera nuk kish pse të mungonte transparenca. “Mallrat që klasifikohen nga sekreti i informacionit, kanë të bëjnë me mallrat që përdor SHISH, apo Ministria e Mbrojtjes, siç janë pajisjet e përgjimit, blerja e armëve ose e teknologjisë sekrete që mund të sjellin cenim të sigurisë kombëtare”, thotë Alibeaj. Por në rastin e emergjencës COVID 19 duket se nuk ka pasur emergjencë për kontrata të tilla të cilat kërkojnë dhe personel me certifikata sigurie që jepen nga Agjencia e Informacionit të Klasifikuar. Në listën e bërë publike nga Open Data Albania, të bien në sy blerje respiratorësh, pajisje laboratorike që kanë të bëjnë me biologjinë molekulare, maska mbrojtëse për personelin dhe deri në rulo me letra tavoline dhe higjienike për dhomat e spitalit infektiv, kryerje punimesh të sistemit të dializës dhe kështu me radhë, tendera të cilët të gjithë mbajnë vulën e kontratave sekrete. Nuk jepet as shuma dhe as mënyra e procedimit, por vetëm kompania që i ka fituar.
Pyetjet që ngrihen janë të shumta, dhe kërkojnë përgjigje nga opinion publik. Fundja, tenderat zhvillohen me taksat e qytetarëve, dhe situatë emergjente ose jo është detyrim i qeverisë të përgjigjet. Por, krerët e qeverisë duke filluar nga Kryeministri Rama, zëvendësi i tij Braçe apo dhe vetë ministrja e Shëndetësisë, deri më tani janë mjaftuar me shprehjen se tenderat nuk janë sekretë, megjithëse faktet flasin ndryshe. “Tendera sekretë nuk ka! Në këtë proces nuk ekziston. Është një term që është shpikur për të impresionuar publikun për të gjithë poshtërsitë që po bëhen dhe për të luftuar në mënyrë të dështuar, kot më kot me rezultatin që bën muuuu” tha Rama dy ditë më parë. “Nuk ka tendera sekretë dhe këtë e ka sqaruar edhe Kryeministri. Tenderat janë bazuar në VKM dhe janë procedura ligjore, janë në Fletoren Zyrtare dhe po të ishin sekret nuk do të botoheshin në fletoren zyrtare. Ua kemi hedhur poshtë akuzat, janë shifra imagjinare dhe kontratat që ata përmendin….” u shpreh ministrja Manastirliu. Braçe pretendon se VKM-të për tenderat janë botuar në Fletoren Zyrtare. E megjithatë e vërteta është ndryshe.
Vendimi i qeverisë që shndërroi në sekret shtetëror letrat higjienike
Në fund të shkurtit lajmet që vinin nga Italia, nuk ishin aspak të mira. COVID 19 kishte mbërritur në vendin fqinj, dhe frika e ankthi po mbërthente dhe shqiptarët. Frika e epidemisë ishte te dera, dhe fluksi i udhëtarëve që vinin nga Italia s’kishte të sosur, megjithëse Shqipëria raportonte zero raste pacientësh të prekur nga coronavirusi. Kur të gjithë po prisnin se çfarë masash do merrte qeveria në lidhje me parandalimin e përhapjes së pandemisë në vendin tonë qeveria miraton një vendim, që i hapte rrugë blerjeve në kushtet e emergjencave.
Më saktë VKM kishte të bënte me procedurat “Për lidhjen e kontratave që diktohen nga interesa thelbësore të shtetit”. Ishte pikërisht kjo VKM tek e cila u mbështetën të gjithë tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë. Mes të tjerave VKM saktësonte se “Në rastet kur autoriteti kontraktor do të realizojë një kontratë, e cila shoqërohet me elemente që kërkojnë masa sigurie të veçanta, për hartimin e dokumentacionit, administrimin, publikimin e tij do të aplikohen rregullat e parashikuar në legjislacionin për sigurimin e informacionit të klasifikuar në fushën industriale”.
Nevojat
Por çfarë nevoje kishte që qeveria të miratonte një ligj të tillë. Përgjithësisht këta janë tendera që jepen pa garë, dhe kontratat dorëzohen me “zarf në dorë” duke shmangur aplikimin online, e cila eliminon ofertat e tjera. “Përmes dy Vendimeve të Këshillit të Ministrave (VKM) konkretisht: VKM Nr. 203, datë 26.02.2020 “Për procedurat që përdoren për Lidhjen e Kontratave që Diktohen nga Interesa Thelbësor të Shtetit” dhe Ndryshimeve të bëra me VKM nr. 242 datë 22.03.2020 “Për disa shtesa në Vendimin nr. 203”, Këshilli i Ministrave i barazon procedurat dhe kontraktimet për shkak të Covid-19 si Kontraktime Sekrete.
Kjo VKM është në kundërshtim me Kushtetutën. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 118 pika 2 të parashikon se: Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte” thuhet në një deklaratë të Open Data Albania të bërë vetëm pak ditë pasi u konstatua mënyra e blerjes së mallrave nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo për arsye se asnjë nga mallrat e blera nuk plotësonte kriteret e sekretit shtetëror. Ato kanë të bëjnë me respiratorë, veshje mbrojtëse, ilaçe, maska, produkte higjienizuese apo dhe rulonë me letra tavoline dhe letra higjienike.
Tendera të mëparshëm
Por me sa duket kjo nuk është hera e parë që qeveria shqiptare operon në mënyrë të tillë, kur bie fjala te tenderat sekretë. Në një shkrim të rrjetit Birn, që mban datën 27 maj 2019 thuhet se përgjatë harkut kohor 2008-2018 qeveria shqiptare kishte zhvilluar 236 tendera sekretë, nga të cilët 216 i takonin qeverive Rama 1 dhe Rama 2. “Të dhëna të marra nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi, tregojnë se përgjatë dhjetë viteve të fundit, autoritetet publike në Shqipëri, ku përfshihen institucionet e qeverisë qendrore dhe ato të pavarura, kanë vendosur të mbajnë sekret 236 kontrata prokurimesh publike.
Të dhënat statistikore u dhanë nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, institucioni përgjegjës për ruajtjen e sekreteve shtetërore, ku mbahet edhe indeksi i dokumenteve sekrete. Në këtë shifër përfshihen kontratat e klasifikuara me nivelin “I kufizuar”, “Konfidencial” dhe “Sekret”, ndërsa DSIK bën të ditur se shteti shqiptar nuk ka sot për sot asnjë kontratë të nivelit “tepër sekret”. Nga këto 236 kontrata të klasifikuara nga viti 2008 deri në vitin 2018, në periudhën e qeverisë së koalicionit midis PD dhe LSI – të udhëhequr nga ish-kryeministri Sali Berisha, ka pasur gjithsej 20 kontrata të klasifikuara. Ndërsa gjatë periudhës 2013-2017 të qeverisjes PS-LSI dhe asaj të Partisë Socialiste (2018), ka pasur gjithsej 216 kontrata të klasifikuara.
Rekordin historik e mban viti 2018 me 76 kontrata të klasifikuara. Gjatë qeverisë së ish-kryeministrit të djathtë Sali Bersha në vitet 2009-2013, kontratat e klasifikuara sekret i përkisnin tërësisht institucioneve të sigurisë. Nga 20 kontrata të tilla, tetë i përkasin Prokurorisë së Përgjithshme, dhjetë i përkasin Shërbimit Informativ dhe 2, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.” thuhet në Shkrimin e Birn. Qeveria Rama me informacion të klasifikuar, ka zhvilluar blerje dhe për shtëpinë e pritjes, apo dhe për punime brenda kryeministrisë me një firmë që selinë e saj e kishte në Libohovë të Gjirokastrës.
Shmangia e APP
Por atëherë përse duhej një VKM, kur ekzistuaka dhe një ligj për prokurimet publike i cili i parashikon dhe blerjet në kushtet e emergjencës apo edhe me informacion të klasifikuar siç janë zhvilluar në këtë rast tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë. Duket se me këtë VKM, qeveria ka dashur të Shmangë Agjencinë e Prokurimeve Publike, i cili është institucioni i vetëm që mund të kryejë tendera me procedurë të përshpejtuar, sekretë apo me garë. Kjo me qëllim që tenderat të zhvilloheshin direkt nga institucionet përkatëse, ku në bazë të VKM urdhrin për zhvillimin e tenderit e jep titullari, madje dhe ekipin e vlerësimit të ofertave e ngre ai.
Por a do hetohen titullarët e institucioneve? Kjo përgjigje i mbetet SPAK, por zinxhiri shkon deri lart. Juristi Ledio Braho për gazetën MAPO jep këtë përgjigje “Titullari i institucionit është përgjegjës për ngritjen e komisionit të ofertave dhe urdhrin për zhvillimin e tenderave apo azhurnimin e fondeve. Në bazë të ligjit SPAK i drejtohet parlamentit vetëm kur bëhet fjalë për masën e arrestit, pasi deputetët dhe zyrtarët e lartë janë zhveshur nga imuniteti”.
Tenderat sekretë
Loti 2- Blerje kite dhe materiale konsumi për biologjinë molekulare për ISHP.
Blerje barna kundër Coronavirus COVID–19:
Loti 8 – Blerja barna Omeprazol 40 mg/vial flakon
Blerje barna kundër Coronavirus COVID–19
– Loti 5 – Blerje barna Oseltamivir (Tamiflu) 75 mg/tabletë
Blerje barna kundër Coronavirus COVID–19:
Loti 9 – Blerje barna Propofol 10 mg/ml – 50 ml Flakon
Loti 10 Blerje barna Beclomethasone + Salbutamol 80 mcg+1600 mcg flakon
Loti 3 Blerje materiale konsumi laboratorike për ISHP.
Loti 3 – Blerje barna Ribavirin 200 mg tabletë/kapsulë
Loti 1 Furnizim me produkte për pacientët me COVID-19 dhe personelin mjekësor
Loti 1 – Blerje kite për laboratorin mikrobiologjik për diagnozën serologjike
Loti 2 – Spostimi i sistemit të dializës nga pediatria e specialiteteve tek godina e spitalit infektiv
Furnizim vendosje respiratorë me dy modalitete për adultë dhe moshë pediatrike për COVID-19.
Blerje kite dhe reagentë, evadim mbetje anti COVID-19 ndarë në dy lote:
Loti 1 me objekt “Blerje kite për laboratorin mikrobiologjik
Loti 2 “Trajtim dhe asgjësim të mbetjeve që dalin nga shërbimet ku marrin trajtim pacientët me COVID-19 për QSUT”.
Blerje materiale për mbrojtjen personale (MMP) për covid-19.
Aranita Brahaj: Shkelje e panevojshme ligji dhe mungesë totale transparence
Në një intervistë për MAPO Drejtoresha Ekzekutive e Open Data Albania, shprehet se tenderat e zhvilluar për blerjen e pajisjeve për përballimin e pandemisë, janë në kushtet e mungesës së transparencës dhe shkeljes së ligjit e kushtetutës. Sipas saj, Ligji për Prokurimet publike, e saktëson mjaft qartë se si procedohet me blerjen në kushtet e fatkeqësisë natyrore dhe ishte krejt pa vend miratimi i një VKM-je qeveritare e cila anashkalon Agjencinë e Prokurimit Publik.
Nga ana tjetër, Brahaj shprehet skeptike dhe në lidhje me atë çfarë pritet nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Ajo thotë se në rastin e tenderave vendimmarrja është kolegjiale dhe jo individuale, dhe si e tillë e vështirëson punën e prokurorisë. Ekziston mundësia që çështja të mbyllet. Për më shumë që edhe SPAK nuk ka dhënë informacione të qarta se cilat kontrata po heton.
-Çfarë janë tenderat sekretë? Nga përvoja juaj e gjatë, a keni ndeshur procedura të ngjashme me këto të Ministrisë së Shëndetësisë?
Atëherë në lidhje me pyetjen, janë Kontrata Sekrete. Parashikohen nga Neni 6 i Ligjit për Prokurimet Publike. Me VKM 203 të muajit shkurt, 2020, Qeveria Rama vendos të rregullojë procedura të kontratave për interesa thelbësorë të shtetit dhe më 22 mars me një VKM tjetër, 243, vendos që blerjet shëndetësore për Covid 19 të jenë “Kontrata për Interesa Thelbësorë të Shtetit” në kontekstin e Nenit 6, Kontrata Sekrete.
-A mendoni se abuzimi me tenderat sekretë është më i madh se me tenderat e zakonshëm?
Problemi me kontratat sekrete në emergjencë të COVID19, qëndron te fakti se në situatën në fjalë, qeveria duhet të bënte të kundërtën e asaj që ka bërë. Në situatën e COVID-19 prokurimet shëndetësore u karakterizuan nga, 1-nevoja emergjente dhe 2-mundësi të limituara për të siguruar mallra. Kjo mundësi e limituar erdhi si pasojë e faktit që të gjithë filluan të blejnë, u rrit nevoja për një grup dhe sasi të caktuar mallrash, disa vende ndaluan eksportet dhe regjimet doganore u vështirësuan. Ne këtë kontekst, qeveria duhet të krijonte mundësi për njoftime më të hapura dhe gjurmime më inteligjente edhe jashtë vendit për të garantuar furnizim (kryesorja) dhe për të garantuar edhe vlerë ekonomike më të mirë por në proporcion edhe me vështirësitë e krijuara. Qeveria jonë bëri të kundërtën. Thirri operatorin e mëparshëm dhe vijoi përpjekjet për blerje. Kjo sjell mungesë transparence, mungesë konkurrueshmërie, pamundësi të operatorëve të duhur për pjesëmarrje, dhe mbi të gjitha, dyshoj që qeveria të ketë siguruar në kohën e duhur, aq mallra sa po kërkonte dhe me vlerë ekonomike reale. Aplikimi i kontraktimit sekret, bëri që qeveria të humbasë edhe besimin publik që po punon për të garantuar më të mirën në një rast rreziku. Procedura të tilla të mbyllura dhe të klasifikuara mund të përdoren në blerje ushtarake apo blerje të institucioneve të sigurisë kombëtare. Blerjet mjekësore për COVID-19, nuk kanë pse aplikohen si blerje “Për interesa thelbësorë të shtetit” në kontekstin e klasifikimit të informacionit. Legjislacioni ynë për Prokurimet Publike i njeh shumë mirë situatat e emergjencave dhe i ka të rregulluara me ligj (pra jo me VKM që janë vendimmarrje thellësisht politike) procedurat e shpejta dhe të menjëhershme në këto kushte. Qeveria, në këtë mënyrë, ka anashkaluar Ligjin dhe institucionin e Agjencisë së Prokurimeve Publike. Ne kemi një listë me 15 tituj kontratash blerje për situatën COVID-19, që nuk dimë as sasinë e mallit, përshkrimin dhe karakteristikat, mënyrën dhe afatet e furnizimit apo vlerën e blerjes. De-juro dhe de-facto këto kontrata qëndrojnë sekret.
-A besoni se do të ketë hetim, zbardhje dhe përgjegjësi të autorëve në këtë rast?
Sa i takon hetimit, ajo që ka bërë qeveria është se ka vendosur vetë procedurën dhe ka miratuar po vetë kontratat. Këtu, hetimi penal bëhet më i vështirë pasi kemi vendimmarrje politike. Duke qenë që vendimmarrja politike është kolegjiale dhe jo individuale, Prokuroria e ka shumë të vështirë të bëjë hetimin dhe zbardhjen e përgjegjësisë penale. Parë në këtë këndvështrim, na duhet të themi se ky hetim i kontratave sekrete është një sfidë dhe moment prove për SPAK. Mund të bëhet hetim dhe të mbyllet, duke legjitimuar veprimet e qeverisë. Për momentin, nuk kemi asgjë të qartë, cilën kontratë po heton SPAK. Personalisht nuk pres shumë nga kjo strukturë, pasi janë të njëjtët prokurorë që kanë vegjetuar më parë nëpër prokurori të ndryshme dhe jemi në një situatë që politike që ka instrumentalizuar shumë sektorë, mes tyre edhe të promovuarit e rinj në drejtësi.
Mapo.al