Kronika

Misteri: Në garazhin e Gjermenit s’ka gjurmë gjaku






               Publikuar në : 09:31 - 18/01/16 |
mapo.al

gjermeniPolicia nisi hetimet për plagosjen e gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Artan Gjermeni, i cili u paraqit mbrëmjen e djeshme në spital me tre plagë të shkaktuara nga mjete prerëse. Gjyqtari i tha policisë se ai ishte rrëzuar në garazhin e tij, por policia nuk gjeti gjurmë gjaku aty.


Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Artan Gjermeni, është përfshirë në një ngjarje që po hetohet nga policia e Tiranës, pavarësisht deklaratës së tij se gjithçka ka qenë aksidentale.



Ish-anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtari Artan Gjermeni është paraqitur mbrëmjen e djeshme në Qendrën Spitalore Universitare me disa dëmtime në trup, që dyshohet se janë shkaktuar nga mjete prerëse.

Gjermeni ka shkuar me automjetin e tij në spital ku dhe ka marrë mjekimin e nevojshëm nga stafi i QSUT.

Paralelisht mjekët kanë njoftuar policinë e cila ka shkuar menjëherë në spital bashkë me një prokuror të gatshëm, pasi njoftimi paraprak bënte me dije se gjyqtari është qëlluar me katër thika.

Por vetë i dëmtuari ka deklaruar se ngjarja ka qenë aksidentale, pasi ai është rrëzuar në garazhin e pallati teksa po shkonte të merrte automjetin e tij. Si pasojë e rrëzimit ai ka rënë mbi një llamarinë që ndodhej aty, duke marrë disa dëmtime.

Por burime të rezervuara pranë QSUT-së pohuan se gjyqtari ka pasur disa dëmtime në vende të ndryshme të trupit.

Gjatë mjekimit janë konstatuar plagë në pjesën e djathtë të shpinës, në ijën e djathtë dhe në dorën e djathtë.

Këto plagë sipas mjekëve që janë treguar tepër të rezervuar, janë shkaktuar nga mjete prerëse, duke mos përjashtuar as dëmtimet si pasojë e rrëzimit mbi një llamarinë në garazhin e pallatit ku banon gjyqtari Gjermeni.

Vetë gjyqtari në prani të prokurorit të gatshëm dhe hetuesve të policisë gjyqësore i ka qëndruar versionit të ngjarjes aksidentale.

Ai ka dhënë edhe një deklaratë ku tregon dinamikën e ngjarjes sipas tij, çka nuk lë vend për hetime të mëtejshme nga ana e policisë dhe prokurorisë.

Por pavarësisht dëshmisë së të dëmtuarit, policia e Tiranës ka kryer verifikimet përkatëse duke këqyrur fillimisht automjetin e gjyqtarit, të cilin ai e përdori për të shkuar në spital.

Në të janë konstatuar gjurmë gjaku që sipas hetuesve kanë ardhur si pasojë e plagëve që gjyqtari ka marrë gjatë kohës që ai po lëvizte në drejtim të spitalit për të marrë mjekimin e nevojshëm.

Më pas ekspertët dhe hetuesit kanë shkuar në garazhin e banesës së gjyqtarit, ku ai pretendon se është rrëzuar duke marrë disa dëmtime.

Por sipas burimeve të rezervuara të policisë, mësohet se në garazh nuk janë gjetur gjurmë gjaku apo mjete prerëse që mund të shkaktojnë dëmtimet që ka pësuar gjyqtari Gjermeni.

Pas mospërputhjes mes dëshmisë dhe të dhënave nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka vendosur të hetojë ngjarjen duke hedhur dyshime të forta se gjyqtari mund të jetë sulmuar nga persona ende të pa identifikuar.

Por vetë i dëmtuari ka insistuar që ngjarja është aksidentale dhe nuk ka nevojë për hetime të mëtejshme. Pas mjekimit të nevojshëm gjyqtari është larguar nga QSUT me automjetin e tij në drejtim të banesës në rrugën e Elbasanit në Tiranë.

Artan Gjermeni ka një karrierë të gjatë në gjyqësor, ku për disa vite ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Lushnjës. Më pas është transferuar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë ku ka gjykuar disa çështje të rëndësishme.

Së fundmi Gjermeni ishte kryesues i trupës gjyqësore që shpalli të pafajshëm ish-Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Ky i fundit akuzohej për shpërdorim detyre lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë dhe blerjen e Hotel Dajtit nga qeveria e kaluar në vlerën e 30 milionë eurove. Gjermeni më herët ka qenë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë kur dhe është akuzuar nga ish-kryeministri Sali Berisha për lidhjet e tij me bandën e Aldo Bares.



CLOSE
CLOSE
Pas