Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka riformatuar kabinetin e tij rreth një vit e gjysmë pasi mori pushtetin për t’i dhënë stimuj të ri qeverisë konservatore.
Zëdhënësi i qeverisë, Hristos Tarantilis, theksoi se ruajtja e portofoleve kryesore me të njëjtët titullarë tregon se ndryshimet nuk lidhen me performancën e ministrave.
Kështu nuk ndryshojnë ministrat për punët e jashtme, financat, mbrojtja dhe shëndetësia bashkë me 10 titullarë të tjerë, të cilët qenë në krye të administrimit të pandemisë së fundit të koronavirusit apo të tensioneve me Turqinë në Mesdheun Lindor.
Diplomacia do të vazhdojë t’i besohet Nikos Dendias, financat, Hristos Staikuras, mbrojtja, Nikos Panajotopulos, Ministria e Brendshme, Makis Voridhis, drejtësia, Kostas Ciaras, Ministria e Shëndetësisë, Vasilis Kikilias, ndërsa Ministria e Arsimit do të udhëhiqet sërish nga Niki Kerameus.
9 prej portofoleve mbahen nga gratë, post i zv.ministrit i besohet për herë të parë një personi gej te Kultura, ndërsa të rinjtë pritet të marrin detyrën ditën e martë pas betimit zyrtar.
Në parlamentin grek, demokratët e Micotaqisit ruajnë shumicën bindëse me 158 deputetë, ndërkohë që opozita e bashkuar mbetet e dobët me “Sirizën” e Aleksis Cipras në krye.
Qeveria e re numëron 58 ministra dhe zv/ministra që do të qeverisin Greqinë dhe rreth 11 milionë banorët e saj.
Detyra më e ngutshme e kabinetit mbetet adresimi i impaktit të pandemisë që përveçse ka shkaktuar tragjedi njerëzore, ka shkurtuar edhe me 10 për qind prodhimin kombëtar të vendit.