Mitropolia e Korçës, përmes një deklarate për shtyp, ka reaguar ndaj shfaqjes së dramës “Shën Maria e Beratit”, duke e konsideruar atë denigruese dhe fyese për komunitetin ortodoks, duke mbështetur zyrtarisht qëndrimin e disa përfaqësuesve të komunitetit ortodoks një ditë më parë. “Kemi ndjekur me vëmendje indinjatën e besimtarëve orthodoksë të Korçës dhe përcjellim edhe shqetësimin tonë në lidhje me dramën ‘Shën Maria e Beratit’. Për komunitetin orthodoks kjo është denigruese dhe fyese, sepse denigrimi i klerikëve të nderuar orthodhoksë, është denigrim për të gjithë komunitetin.
Komunitetet fetare në Shqipëri kanë vuajtur mbi shpatullat e tyre fyerjet, diskriminimin dhe përndjekjet e regjimit ateist të shekullit që lamë pas. Prandaj jemi të shqetësuar për vazhdimin e po të njëjtës mënyrë trajtimi të tyre edhe sot. “- u shpreh At Ilia Kotani, në emër të Mitropolisë së Korçës. Sipas pretendimeve që ngre mitropoliti i Korçës, ka kohë që besimi ortodoks po goditet gjithandej me mënyra të ndryshme. “Veprime të tilla nxisin reagimin e çdo besimtari, si edhe cenojnë ruajtjen e harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, si vlerë që karakterizon shoqërinë tonë. Në kohën kur ne përpiqemi të ndërtojmë ura bashkëpunimi dhe mirëkuptimi, propagandat fyese përçajnë dhe ngjallin dyshime dhe mosbesime. Me anë të kësaj deklarate, protestojmë ndaj këtyre fenomeneve dhe i drejtohemi opinionit qytetar të Korçës, por edhe më gjerë, se veprime të tilla që cenojnë komunitetet e ndryshme fetare, të qëllimshme ose jo, nuk i shërbejnë interesave të qytetit, të bashkëjetesës fetare dhe përparimit të shoqërisë shqiptare.” Ndërkohë drejtoresha e Teatrit “A.Z. Çajupi”, Zamira Kita, ka dalë me një tjetër deklaratë pas takimit që ka zhvilluar me mitropolitin e Korçës. Ajo është shprehur për mediat se pas reagimit zyrtar të komunitetit dhe Kishës do të rishikohet vazhdimësia e shfaqjes. “Ne biseduam me mitropolitin për shqetësimet që shkaktoi premiera jonë te disa besimtarë ortodoksë. Sigurisht që kjo është një çështje e ndjeshme dhe delikate dhe për të respektuar sensibilitetin që ka shkaktuar shfaqja, ne do ta rishikojmë vazhdimësinë e saj”- tha Zamira Kita, e cila është edhe një nga aktorët e shfaqjes “Shën Maria e Beratit”. Drama “Shën Maria e Beratit” u vu në skenën e teatrit të Korçës për pesë ditë me radhë, ditën e fundit të saj një pjesë e spektatorëve u larguan në mënyrë demonstrative nga salla, në shenjë mospajtimi me tematikën e saj. Në qendër të pjesës është jeta e një piktori që pikturon Shën Marinë me Krishtin në krah në një nga kishat e Beratit. Thelbi, sipas autorit, është përpjekja e intelektualëve të çdo kohe për të mbrojtur identitetin kombëtar të popullit shqiptar. Autori Namik Dokle në intervistën e djeshme për “Mapo”-n e cilësoi absurd reagimin që ka shkaktuar drama e tij. “Drama ime është mirëfilli krijim letrat dhe nuk është një trakt fetar”- u shpreh ndër të tjera Dokle.
BRAVO Korcareve si gjithmone protagonist ne mbrojtjen e kultures dhe tradites Krishtere ne Shqiperi. Ta dini jane qindra mijera te Shqipetare qe ju perkrahin. Mos nguroni nga provokimet ete PA FE-ve dhe nga komentet negative, ndiqeni ndergjegjien tuaj, instikti tuaj nuk gabon. Jani ajka e Shqipetareve, pasardhes te denje te Bizantit dhe te Skenderbeut. Kujtojini te PA FE-veve Akademine e Voskopojes, te paren dhe te vetmen ne Ballkan. LAVDI KRISHTIT dhe arkipeshkopit tone JANULLATOS.