fbpx

Dikur

Mizori ndaj shqiptarëve në tokat e robëruara nën okupacionin bullgar





               Publikuar në : 08:44 - 17/10/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


VIJON NGA NUMRI I KALUAR



Në katër raportet që do publikohen në vijim të hartuara në periudhën janar – maj 1944 nga atdhetari Sulejman Hysejni, lexuesi do të njihet me gjendjen e shqiptarëve në tokat e robëruara nën okupacionin bullgar, aktivitetin antishqiptar të disa elementëve bullgarë në qytetin e Strugës, si dhe me të dhëna të tjera me interes për veprimtarinë kundër elementit shqiptar të Komitetit Ilinden, i cili konsiderohej si një kërcënim serioz për Shqipërinë. 


  1. Gjendja në Strugë dhe aktiviteti i disa elementëve bullgarë 

Raporti nr. 3 i Sulejman Hysejnit

Strugë, më 13 janar 1944

Shkëlqesisë së Tij Rexhep Mitrovica

Kryeministër

Tiranë,

Lënda: Mbi gjendjen dhe aktivitetin e disa elementëve bullgarë në Strugë.

Kam nderin t’ju parashtroj se Doktor Risto Grujo bashkë me Viktor Nestorin prej këtij qyteti, me qëllim që të propagandonin në disfavorin e Shtetit Shqiptar, kanë qysh prej kohe që janë duke zhvillue një aktivitet të madh e sidomos në marrëveshjet që bëjnë dita–ditës me elementët turbullues dhe në marrëveshje me organizatën që ka qendrën në Ohër të Bullgarisë. Tash në kohët e fundit, kanë fillue me intrigue edhe ndër autoritetet gjermane, sa më 9 janar 1944, ditën e dielë, duke përgatitë një mbledhje në katundin Drasllaicë të këtij rajoni dhe për të mundun me i shfaqë tërthorazi ankimet ndër autoritetet ushtarake gjermane, kanë thirrë si për drekë atje komandantin e ushtrisë së Strugës dhe mbas dreke, me shtytjen e të sipërpërmendurve, janë paraqitë përpara komandantit të quajturit Andon Gjuracef, Nikolla Delçof, Najde Kovacef, Stojan Kovacef, Kreste Lanof, Stefan Klimof, Sllave Klimof, Tome Avramof, Gjurgji Lulof, Miladin Miloshof, Mice Lajkof, Nikolla Stavrof, Zafir Nikollof, Metodie Zarifov, Boris Spaof, Milan Stambollof, Koli Nelkof, Llazar Stojanof, Petre Velkof, Kreste Velkof, Jovan Andon Gjurkof, Leon Miloshof, Sllave Josifov, të gjithë nga rajoni i këtij rrethi, dhe i kanë parashtrue komandantit gjerman ankime kundër elementit shqiptar të rrethit të Strugës. Ata janë ankimue se gjoja elementi shqiptar është duke u sjellë në një mënyrë shumë barbare kundër elementit maqedonas, sa që këto reklamime të rreme që nuk mundet t’i shpikë asnjë tru, veç i këtyne që janë stërvitë me të tilla gjëra, dhe që kërkojnë turbullimin e rendit botnuer, tue marrë guximin kanë kërkue armatosjen e përgjithshme të elementit maqedonas dhe njëkohësisht ndihmën e ushtrisë gjermane për të mos njohur nëpunësat e dërguem dhe të emnuem prej Qeverisë Shqiptare, që i konsideronin përfaqësues të krahut nacional të shqiptarëve që për pavarësinë e Shqipnisë janë tue derdhun gjakun e fundit, çka janë fare pa bazë dhe dokumente, gjë të cilat janë provue qysh me kohë, dhe në fund të ankimeve kanë marrë guximin sa të thërrasin dhe “Poshtë Shqipnia!”.

Me këtë rast, shtojmë se tash në kohët e fundit Qeveria Bullgare âsht tue thirrë nën armë dy klasa, tue përjashtue nga kjo thirrje vendasit e Maqedonisë, por ka thirrë pa përjashtim të gjithë oficerët aktiv dhe rezervë që kanë pas shërbye në ushtrinë jugosllave.

Ju lutem shkëlqesë të pranoni nderimet e nalta t’onat.

Hafiz Sulejman Hysejni

(firma)

Më 20 janar 1944, Kabineti i Kryeministrit, sipas urdhërit të dhënë, ia përcolli Ministrisë së Punëve të Jashtme këtë raport të z. Sulejman Hysejni.

  1. Mizori ndaj shqiptarëve në tokat e robëruara nën okupacionin bullgar 

Më 9 shkurt 1944, Hafiz Sulejman Hysejni i dërgoi Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë raportin e radhës mbi gjendjen e shqiptarëve në tokat e robëruara nën okupacionin bullgar, si nga pikëpamja e politikës së jashtme dhe nga ajo e brendshme. Ky raport është i bazuar në lajmet e dërguara nga Kryetari i Komitetit Shqiptar të Manastirit, Hafiz Sherif Jashari, dhe pasqyron gjendjen mizore të shqiptarëve që vuanin nga bullgarët. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme ky raport u protokollua me nr. 61/I Rezervat, datë 9 maj 1944.

Në vijim përmbajtja e raportit:

“Siç dihet qysh prej raportit të mëparshëm, gjermanët, qysh prej gjashtë muajsh e këndej, po bâjnë një bazë ajrore në vendet e quajtura Oveçko Polje dhe Konjari. Por mjerisht Qeveria Bullgare për sheshtimin dhe ndërtimin e këtij aeroporti, si punëtorë i ka detyrue vetëm elementin shqiptar, duke u bâ të njëqind mijë të zezat dhe torturat!!!

Natyrisht, këtë e bân me qëllim për me degradue dhe degjenerue racën tonë fisnike. Kjo mund të provohet dhe me fakte evidente, përsa i përket barbarizmave bullgare.

Po biem një shembull: Mbas shkatërrimit italian, një pjesë që u okupue nga ana e bullgarëve, që deri atëherë ishte në gjirin e Shqipnisë, ka pësue vuejtjet që s’ka mundësi me i përshkrue! Kështu që, në një mënyrë mâ të zezë âsht vra Hoxha Tajib Behluli, i lindur në Veniçan, me detyrë në Çolloped të Kërçovës, si dhe Shaban Demiri, bashkë me Sabri Likojin, që të dy nga Krajna.

Po ashtu, edhe në rrethin e Prespës janë vra shqiptarë nga plumbat mizore të bullgarëve. Më poshtë po i shënojmë: Riza Mehmeti, Ejup Bahriu, Myslim Shabani, Qamil Rexhepi, si dhe Dalip Hasani, që të pesë nga Grençari.

Këta burra janë bâ viktimat e dy komitave bullgarë të quajtur Tole Komita, nga Cvarizvori, dhe Vangjel Gerboja, nga Gjavosti, të cilët janë anëtarë të Komitetit “Ilinden”.

Mbas shkatërrimit Jugosllav, në Tokat e Okupueme, përveç të tjerave, janë masakrue shqiptarët, emnat e të cilëve mâ poshtë po i shënojmë:

Adli Shevkiu, nga Jokrenova, Ferit Adliu, nga Lloshani, Nazmi Fejzullahi, nga Cërnelishta, Rushid Rahim Sulejmani, nga Pllosnica, dhe Adil Adili, nga Çollopeku.

Këta janë vra më 15 gusht 1942, me nxitjen e komitit Jovan, nga Miokazi. Një kohë pretendohej se këta njerëz janë të humbur, por tash u konstatue se janë vra nga gjaksorët bullgarë.

Përveç këtyne torturave, po në këtë vit, më 16 shtator, në Rrethin e Krushovës, ngjau kjo ngjarje tragjike: bullgarët, me pretendimin se gjoja po lypin komunistë, i rrethuen katundet Presil, Halldovçe, Nerovo, Jakrenovo, Dobreshte, Bellushina dhe Zhitovca. Ndërmjet masakrimeve të papërshkrueshme, po shënojmë emrat e disa shqiptarëve që ranë viktima të kësaj ngjarjeje:

Hajrullah Halimi, bashkë me dhëndrin e vet të quajtur Haxhi Mersini, nga Persil. Të parit, përveç që iu plaçkit shtëpia, iu morën edhe katër mijë e pesëqind [monedha] floriri.

Halim Ternovca, të cilit me bomba i dogjën shtëpinë, me qëllim që t’ia djegin edhe familjen, por fati deshti dhe mrekullisht fëmijët shpëtuen.

Në këtë përpjekje ndërmjet jetës dhe vdekjes, bani si bani i quejtuni Ramiz Nexhip Halimi dhe mundi me shpëtue nga kthetrat mizore bullgare dhe u hodh në gjinin e Nânës Shqipni. Qysh prej atëherit e deri para tri muajsh, ka bashkëpunue me Xhemen e Gostivarit, ku rreptësisht ka luftue bullgarët.

Mirëpo, para pak kohësh ka bâ një mbledhje Komiteti Bullgar “Ilinden” dhe ka caktue një sasi të hollash që do të shpenzohen për pastrimin dhe zhdukjen e shqiptarëve patriotë që konsiderohen si elementë të dâmshëm për bullgarët. Kështu që, edhe ata emigrantë që veprojnë në Shqipni janë destinue me i zhdukë njëherë e përgjithmonë. Kjo u provue dhe me fakte. I naltpërmenduni Ramiz Nexhip Halimi, fix para tri muajve, ra viktimë e këtij Komiteti. Çështja ngjau kështu: Komitat bullgare të kësaj organizate, Jovani dhe Aleksi Ivanovi, i pari nga Miokazi dhe i dyti nga Krushova, me ndërmjetësimin e një farmacisti të Kërçovës, i dhanë një sasi të hollash Abedin Kalosh Roveshit, nga katundi Zajar, për me e vra Ramizin, i cili në të vërtetë u vra nga dora mizore e Abedinit. Po jua dërgojmë edhe fotografinë e të ndjerit, bashkarisht me këtë raport, si dhe listën e emnave të shokëve të tij, të cilët i ka shkrue me dorën e vet, që luftojshin së bashku kundrejt anmiqvet të Atdheut.

[Lista emërore e luftëtarëve, shokë të Ramiz Nexhip Halimit: Ramiz Halimi, Nazif Ali, Refik Islami, Ismet Ali, Abdulla Raifi, Hasan Ademi, Vebi Adili, Kamber Raiti, Iljas Zylfikar, Azem Qamili, Asip Qamili, Aziz Jusufi, Besim Mitini, Mefail Baili, Irfan Jakupi, Andi Desova.]

E dyta âsht se Bullgaria gjithë rininë maqedone të moshës mesatare po i mobilizon dhe po i dërgon në Bullgarinë e mbrendshme. Në vend të këtyne, përveç ushtrisë që ka në Tokat e Okupueme, ka prue edhe një divizion ushtarësh të rinj, prej së cilës kuptohet se Qeveria Bullgare dron (ka frikë) prej një revolucioni maqedon. Kështu që, një regjiment prej kësaj ushtrie, sot për sot, po lufton në bjeshkët e Morihovës, si dhe në Rrethin e Follorinës, ashpërsisht kundrejt komunistave grekë dhe tue ndjek këtë sistem mbron minoritetin bullgar që gjendet në Greqi. Po në këtë mënyrë, siç âsht e ditun, një sasi ushtarësh bullgarë, me pretendimin gjoja për të mbrojtë minoritetin sllav të Debërçës së Strugës, deshtën të okupojnë këtë vend. Por, me ndërhyrjen e gjermanëve, qëllimet e errëta bullgare dështuan. Fuqitë gjermane, për me e përballue mëkâmbjen që mund të ngjante nga elementi sllav, vendosen me i vesh sllavët e këtij vendi me petka gjermane, për vetëmbrojtje. Zjen vendi. Kështu që, këta të veshunit me petka gjermane tashti po u kallzojnë autoriteteve gjermane sekretet komuniste dhe elementët e dâmshëm që janë për vendin tonë.

Tashti gjermanët, dita–ditës dhe dalëngadalë, po ua mbledhin municionin komunistave dhe të tjerëve.

Në kundërshtim me këtë, këto ditë kanë fillue, si në Debërçë ashtu edhe në vise të tjera, me ardhë një grup xhandarësh shetitës dibranë “për qetësinë e vendit”? Mirëpo këtë veprim autoritetet gjermane nuk e shohin me sy të mirë. Kjo mund t’u japë shkak dhe sllavëve të Debërçës për një konflikt ndërmjet Qeverisë sonë dhe Qeverisë Bullgare.

Duhet me theksue se para dy javëve armiqtë më të mëdhenj të Shqipnis, Dr. Gruiç dhe Arsen Nestori, janë arratisë nga Struga në Bullgari. Kështu që, me vajtjen e këtyne të dyve në Bullgari, një batalion ushtarësh bullgarë janë nxjerrë në kufirin tonë. Ata pretendojnë se janë largue prej kazermave për shkak të një bombardimi që mund të ngjasë?!

Mbasandej duhet me ditë se, simbas lajmeve të sigurta që kam marrë prej Komitetit tonë të Manastirit, me lajmërimin e Dr. Gruiçit (në Bullgari) për ardhjen e xhandarmërisë dibrane në Strugë dhe në rrethet, përnjëherësh i përmenduni batalion ka dalë në kufinin tonë!

Për sa u përket lajmeve që marrin bullgarët nga ana e Shqipnis, këtë veprim e bâjnë mâ shumë gratë e tyne. Me kalimin e kufinit, kanë guxim me kalue edhe letra të ndryshme në dâm të atdheut tonë, tue i fshehur në pjesë të trupit që âsht i ndaluem kontrollimi.

Shumë herë ngjan që edhe policët dhe oficerët bullgarë, si dhe agjentë të tjerë, të veshur me rroba civile kalojnë kufinin nga ana e liqenit. Kështu, para dy ditëve një reshter bullgar, i quajtur Angjel Kristo, u kap nga ana e xhandarmërisë sonë, por prap u lirua! Si ngjau lirimi i tij?

Âsht edhe një gjâ që duhet të theksohet, përsa i përket çështjes së xhandarmërisë dibrane. Shumica e popullsisë shqiptare, si në Strugë ashtu edhe në rrethet e saj, nuk janë të kënaqun me ardhjen e xhandarmërisë së Dibrës! Kështu që kjo shkakton që populli të ndahet në dysh.

Siç thamë edhe më sipër, as autoritetet gjermane nuk janë të kënaquna. Ato bile për me e mbajtë qetësinë e vendit po armatosin një pjesë shqiptarësh që formojnë shumicën.

Për këtë arsye e ndjej si detyrë ta informoj Qeverinë tonë për me marrë masat e duhuna kundrejt secilit eventualitet.

Strugë, 8 shkurt 1944

Me nderime të nalta,

Hf. Sulejman Hysejni 

  1. Aspekte nga veprimtaria antishqiptare e Komitetit Ilinden

Me raportin nr. 5, të datës 29 shkurt 1944, Hafiz Sulejman Hysejni informoi Ministrinë e Punëve të Jashtme mbi mbledhjen e Komitetit Ilinden, në Manastir. 

Përmbajtja e Raportit

Simbas informatave të sakta që kam marrë nga Komiteti Shqiptar i Manastirit, konstatohet si mâ poshtë vijon:

Më 20 shkurt 1944, në Manastir, Komiteti i naltpërmedur Ilinden ka bâ një mbledhje, nën maskën e një lutjeje, [për ata] që kanë ra dëshmorë për hir të Atdheut. Sidoqoftë, në këtë mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësues nga të katër anët e Maqedonisë, si edhe prej Tokave të Lirueme, tash të bashkueme me Nânën Shqipni. Mbas fjalimeve të shumta që janë mbajtë, ka folë në emen të Bullgarëve që kanë emigrue nga Follorina avokat Micko Romanov, mbas të cilit e ka marrë fjalën avokat Canevi (në dokument del dhe Zanefi-V.H.), përfaqësues i emigrantëve të ikun nga Shqipnia. Ndërmjet të tjerash, në fjalimin e tij ka thënë dhe këto:

“Vllâzën bullgarë,

Një komb që ka një fuqi jetike, që dëshiron të jetojë patjetër, duhet të mbështetet në vendimin e premë dhe në vetmohimin e vet.

Sot gjindemi në një kohë që me fsheh një të vërtetë, âsht një dhunë dhe një absurditet! Para luftës së sotme të përbotshme, nëse dëshirojmë që viset tona t’i nxjerrim në bregdetin e shpëtimit të pacungueme dhe ata nën zgjedhën e robnimit mizuer, duhet patjetër me luftue dhe me punue deri në pikën e fundit. Cila âshtë rruga që mund ta shpëtojë vendin tonë, para se me u zhduk? Para të gjithave duhet të shpartallohen ata që synojnë vendin tonë, armiqtë që mbjellin farën e shkatërrimit, si dhe ata që duan ta bëjnë Bullgarinë çerdhe mikrobesh!

Për këtë arsye, vendi ynë duhet t’i nënshtrohet një dizinfeksioni të fortë. Megjithëkëtë, çlirimi i vllâznëve tonë, të cilët rënkojnë në robni, po afrohet. Çlirimi i vllâznëve tonë, të cilët gjinden në agoni të robnisë, mvaret prej vendimit tonë që kemi me marrë para së ardhmes.

Tash vetiu na bâhet një pyetje: Gjyshët dhe stërgjyshët tonë si dhe në ç’mënyrë mundën me shpëtue vendin tonë? Po. Të vegjël dhe të mëdhenj, burra dhe gra, pleq e të rinj, që të gjithë me një guxim shembullor janë hedhë në fushën e luftës, pa kursyer aspak gjakun e tyne, kështu që, tuj i shkri gjithë fuqitë materiale dhe morale, kanë dhânë sakrificat ekstreme n’altarin e atdheut. Ja pra vllâzën të dashtun, historia jonë kombëtare, e cila âshtë mësuesja më e mirë, për bukuri na i pasqyron ngjarjet e përpjekjeve të kalueme dhe mënyrën e fitimit. Ju lutem merreni parasysh mirë gjendjen tragjike të këtyne pronarëve të mëdhenj, të cilët kanë qenë poseduesit e mijëra e mijëra florinjve, tuj u largue nga votrat e tyne gjinden tash para nesh të fërguem në vuajtje, hjekin shpirt për një copë bukë, sa për me mbajtë frymën e gojës.

Këtyne fatzive u âshtë marrë nderi nën thundër, pasunija e tyne e tundshme dhe e patundshme u âshtë grabitë në mënyrën më të zezë. Pra vllazën bullgarë! Ne bullgarët duhet me u ringjallë për hakmarrje dhe vetëm me këtë ide duhet me jetue! Brezin e ri duhet me e edukue nëpër shkolla si dhe nëpër institute të tjera me një shpirt hakmarrës! Literatura e jonë duhet t’i kushtojë pjesën më të madhe atyne dëshmorëve që ranë viktima të dhunës së huaj! Nânat, fëmijët e tyne duhet me i rritë vetëm me një qëllim hakmarrjeje!

Për këtë arsye, duhet me marrë parasysh historinë kombëtare, kështu që natën ta bâjmë ditë dhe për hir të kombit nuk duhet t’u shmangemi vështirësive që na paraqiten sot. Poshtë armiqtë! Rroftë Bullgaria!”

Duhet me shtue, se mbasi i kanë bâ ceremonitë fetare në kishën e ashtuquajtur “Sveta Bogordica” janë mbajtë dhe disa fjalime të tjera në “Tregun e Kafshëve”, në vendin ku âshtë varë nga ana e turqve komiti bullgar Alekso Turunxhev. Në këtë manifestim, emigrantët e ikun nga Tokat e Lirueme, si nga Tetova, Gostivari, Dibra, Kërçova dhe Struga, në tabelat e shkrueme me emnat e vendeve të naltëpërmendura, flamujt e të cilëve kanë qenë të paltuem, kanë pasë varë në këto tabela dhe nga një shirit të zi, në shenjë zie për vendet nga kanë emigrue. Duhet të theksohet se, në këtë mbledhje kanë marrë pjesë 15 persona si përfaqësues të krahinës së Debërcës. Ndërmjet këtyre janë tre persona për të cilët mund të thuhet se janë më të rrezikshmit për vendin tonë. Këta janë Qiro Pop Angjellov, nga katundi Leshan, Klime Kitevski dhe Kosta Turrje, të cilët marin rrogë nga ana e bullgarëve dhe me kohë kanë shërbye si kasneca ndërmjet priftërinjve debërcarë dhe vetë Bullgarisë. Këta njerëz, duke qenë se shpeshherë shkojnë e vijnë në Bullgari, megjithëse i kanë lajmërue autoritetet ushtarake dhe civile, deri tash nuk janë marrë masat e duhura; shkaku ku qëndron nuk e di.

Mbas manifestimeve që kanë bâ në rrugët mâ kryesore të Manastirit, të shoqëruem prej muzikës së vendit, anëtarët e Komitetit dhe përfaqësuesit e vendeve të ndryshme janë mbledhë në “Grand Hotel”, ku kanë bisedue çështje të rëndësishme. Por ajo që neve na intereson është si më poshtë vijon: Këtu, pikë së pari, është marrë në bisedim çështja e Debërcës. Aty u vendos dërgimi i një sasie armësh për në Debërcë. Këtë e mori përsipër majori Micev, komandanti i mëparshëm në kufirin e Carizvorit. Ky, qysh në kohën kur gjindeshin italianët në vendin tonë, deshti t’u dërgojë armë lubonjasve, mirëpo dështoi dhe nuk ia arriti qëllimit. Por, sidoqoftë, brenda kësaj jave Debërcës i kanë shkue 60 armë; në rast se nuk u pritet hovi, çdo gjë mund të ngjasë.

Përpos kësaj çështje, brenda kësaj jave ka ngja dhe një ngjarje tjetër me rëndësi. Në rrethin e Kërçovës âsht bâ një ndeshje me komunistët, ku muer pjesë ushtria bullgare, duke kaluar në territorin tonë në katundet Klladnik, Karlume dhe Starovec. Sa çudi e madhe!? Bullgarët duke i armatosë vetë debërcarët për me bâ një kryengritje, n’anën tjetër, bashkë me gjermanët, hynë në viset tona bajagi ta qetësojnë vendin! Sheshazi duken qëllimet e tyne që duen në këtë mënyrë me disekuilibrue ushtrinë gjermane.

Përveç këtyne lajmeve, informohemi se në Tokat e Robnueme nën zgjedhën bullgare janë masakrue një sasi shqiptarësh, emnat e të cilëve po i shënojmë më poshtë:

Nga katundi Gërnçar: Mymin Neziri, Nazmi Myhtari, Mehmet Durmishi, Fehim Emini, Çelik Aliu.

Nga katundi Kranje: Veis Shemoja, Eshref Nexhipi, Maliq … (Nuk jepet mbiemri-V.H.)

Nga katundi Bitincë: Tevfik Haxhiu, Edhem Mehmed-Aliu, Selahudin Sylejmani, Himmet Dalipi, Emin Haxhiu.

Nga katundi Zvezdë: Timur Aliu, i cili kishte ndodhë në katundin Carizvor.

Burrat e naltpërmendur janë masakrue dhe torturizue në malin e Bukovikut, i cili gjindet ndërmjet Ohrit dhe Resnjës.

Mund t’i shtojmë kësaj se, në Përlep, më 4 gusht 1942, i quajturi Adem Mahmuti u muar nga shtëpia dhe u zhduk.

Përveç këtyne, më 15 nëntor 1943, një shqiptar i quajtur Jonus Qerimi, nga katundi Livadhi, në rrethin e Strugës, bashkë me bashkëshorten e vet, me leje ka pasë shkue në Ohër për me vizitue farefisin e vet. Atje, nga ana e bullgarëve atij i janë bâ njëqind e një mijë tortura, vetëm e vetëm se âshtë shqiptar. Mâ në fund, mbasi ka dhânë 25 mijë leva, tue i shitë vathët e gruas, mundi me shpëtue nga kthetrat mizore të bullgarëve dhe u kthye në Shqipni.

Âsht një gjë për t’u vënë re, se fjalimi i avokat Canevit âsht një fantazi që mund të dalë nga një kokë e verbueme nga shovinizma; se, përsa i përket dhunës së shqiptarëve ndaj bullgarëve, me fakte të pamohueshme po shohim se po ngjet e kundërta.

Kështu që, rinia shqiptare, tue mos mund mâ me i tolerue dhunat dhe torturat bullgare, âsht shtrëngue me u arratisë nëpër male.

Mbas shkatërrimit italian, në Tokat e Okupueme, si në Nënprefekturën e Carizvorit dhe në krahinën e Prespës po bâhet regjistrimi ushtarak.

Strugë, 29 shkurt 1944

Me nderime të nalta,

Hafiz Sylejman Hysejni

  1. Qeveria Bullgare dhe Komiteti Ilinden – kërcënim për Shqipërinë 

Në vijim raporti i Hafiz Sulejman Hysejnit, emigrant nga Manastiri, i përpiluar në Strugë, më 23 maj 1944, dërguar ministrit të Punëve të Jashtme, në Tiranë:

Shkëlqesë,

Kam nderin t’ju parashtroj situacionin politik të mbrendshëm e të jashtëm të fqinjëve tanë e sidomos të Qeverisë Bullgare kundrejt Shtetit Shqiptar.

  1. Qysh para disa ditëve, Qeveria Bullgare, me qëllim të paditur, na âsht tue thirrë nën armë gjithë shtetasit shqiptarë të ndodhun në tokën e saj, prej moshës 18 deri 45 vjeç, jo vetëm ata që kanë ndodhë atje, por edhe shqiptarët që kanë shkue me pashaporta të rregullta, dhe i dërgon në vende të largëta dhe në punime të rënda. Ndokush që guxon me i kundërshtue kësaj thirrje të jashtëligjshme dhe në kundërshtim me parimet ndërkombëtare, pa i dhënë asnjë afat me marrë me veti për çka i takon nga e drejta e djersës së tij, si plaçka e të tjera sende të vlefshme, i nxjerr jashtë kufinit ku ish tue punue në Manastir me të vetmin qëllim pse i ka kundërshtue thirrjes nën armë. Nuk kanë mjaftue me këto mizorina, por vetëm pse ishte shqiptar dhe gjoja pse i kishte kundërshtue thirrjes, kanë vrarë dhe Nexhat Sefedinin nga Manastiri.
  2. Siç ndoshta do të keni dijeni, në tokën bullgare dhe sidomos në tokat e aneksueme tash prej Bullgarisë âsht krijue një organizatë me emrin “Ilinden”, e cila ka edhe në qytetin e Strugës një degë me kryetar dhe anëtarë të rregullt, të cilët, simbas informatave të sigurta, janë Viktor Nestori kryetar, Stefan Tomanofi nënkryetar, Stefan Pulejko sekretar, Boris Qame Dandillof arkëtar, anëtarë vllazën Jovani, Vllazën Nestori, Gregor Nestori, Millan Gagof, Sandre Gagof, Llambe Shytof, Kërste Mojsof, Kërste Milladinov, propagandista Stefan Koçof, Vllado Qipanof, Stefan Llazaref, Kole Tanef, Boris Jovanof, Klime Jovanof, Riste Pacollkof, përkrahës avokat Esat Doko, Hysen Starova, postierë Xhoexha Pacullkof, Hafës Kore, Boris Pop Milladin, depozitierë armësh Milladin Jorgof, arkivist Stefan Kafexhiu. Për t’i sjellë ngatërresa situacionit të përgjithshëm të shtetit, me urdhënin e kryetarit të organizatës së Ohrit, z. Ilia Kocaref, që âsht edhe kryetar i Bashkisë së Ohrit, organizata e këtushme, nën kryesinë e Viktor Nestorit, kanë bâ një mbledhje para ditës së Pashkës me qëllim ngritjen e popullit të rajonit të Strugës, që ushqejnë ndjenja ekstremiste, e sidomos të asaj të Debërcës, të cilët ndodhen në arrati bashkë me çetat komuniste dhe, në anën tjetër, për të forcue bindjen në këtë element dhe si në vitin 1903 që organizata e atëhershme ju ka dhënë kishave përkrahjen morale dhe materiale për t’u kundërveprue ligjeve, edhe këtë herë i ka shtytur që të refuzojnë këndimin sllavisht nëpër kisha dhe të këndohet në gjuhën bullgare. Kështu, anëtarët e organizatës së këtushme (Strugës), ditën e premtes së zezë, kundër rregullit kishtar kanë këndue nëpër kishat e këtushme meshën në gjuhën bullgare, megjithëse elementi vllah dhe serb për këtë vepër kanë protestue tue lënë kishën, megjithë ndërhyrjet e zv. Episkopit të këtushëm, por s’ka bâ asnjë dobi, përkundrazi ata e kanë përsëritë edhe një herë tjetër. Për këtë vepër zv. Episkopi i këtushëm, që âsht edhe kryetari i Komitetit Serb, Pop Sinesia, ka vënë zyrtarisht në dijeni kryesinë e Kishës Autoqefale të Shqipnisë, në Tiranë (kopja e të cilës bashkangjitun ju paraqitet), protestimi i të cilëve deri diku kish sjellë një ndryshim në veprat e tyre ashtu dhe në situacionin e këtushëm. Por tash në këto ditët e fundit, me ndërhymjen e organizatës së Ohrit dhe aktivitetit të palodhshëm të kryetarëve dhe anëtarëve të organizatës së këtushme, rajoni i Debërcës dhe elementi serb u bashkuan plotësisht dhe kështu kjo organizatë mori fuqi të plotë dhe nuk dihet, ndoshta, për së afërmi [mund] të bëjë sabotime dhe vepra të tjera që do të tronditin jo vetëm situacionin e rajonit ku veprojnë lirisht, por edhe mbarë Shqipninë.

Strugë, 23 maj 1944

Me nderime,

Hafëz Sulejman Hysejni

Emigrant nga Manastiri

VIJON NUMRIN E ARDHSHËM

LEXO EDHE:

Dëshmi të barbarizmave bullgare ndaj shqiptarëve

Barbarizmat bullgare: Raportet e atdhetarit Hysejni për gjendjen


Etiketa: , , ,

Pas