Dikur

Mizoritë greke ndaj shqiptarëve: Si u bë spastrimi etnik i Çamërisë






               Publikuar në : 09:30 - 05/07/19 |
Nga Veli Haklaj

Nga Veli Haklaj


VIJON NGA NUMRI I KALUAR



Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve në vitin 1944

Spastrimi etnik i Çamërisë me metodat më barbare dhe të përgjakshme u realizua në vitin 1944, nga forcat e EDES të udhëhequra nga Napoleon Zerva. Grupi i autorëve të Historisë së popullit shqiptar, vëllimi i katërt, 1939-1990, (f. 150-157) ka bërë një trajtim rigoroz shkencor në lidhje me pozicionin dhe rolin e shqiptarëve të Greqisë në Luftën e Dytë Botërore. Për këtë çështje gjenden dokumente të shumta në arkivat shqiptare, britanike, amerikane, italiane, gjermane dhe greke.

  1. Çamëria në Luftën e Dytë Botërore – Vështrim i përgjithshëm

Disa javë para fillimit të luftës italo-greke (tetor 1940), qeveria greke rriti ndjeshëm represionin ndaj popullsisë shqiptare të Çamërisë, duke armatosur banda paramilitare ushtarake, me qëllim terrorizimin e shqiptarëve në të dyja anët e kufirit. Ndërkohë, rekrutët çamë në ushtrinë greke, me gjithë dëshirën e tyre për të luftuar kundër ushtrisë italiane, i trajtuan jo si ushtarë, por si robër lufte, duke u mohuar armët dhe pajisur me kazma e lopata për të vepruar në prapavija për ndërtim rrugësh.

Autoritetet greke internuan të gjithë meshkujt shqiptarë mbi moshën 17 vjeç, burgosën 5 000 vetë dhe 550 prej tyre u vranë ose vdiqën në tortura. Njëkohësisht, autoritetet lokale greke hartuan listat për evakuimin nga Çamëria të të gjitha grave dhe fëmijëve shqiptarë që kishin mbetur atje, me qëllim që, në rast se Greqia shkelej nga fuqitë e huaja, të mos gjendej asnjë shqiptar në të gjithë Çamërinë.

Ndërkohë, të krishterët u vërsulën mbi fshatrat e myslimanëve dhe grabitën pasuritë e tyre. Një valë egërsie e pashembullt dhe mizori të shumta u bënë mbi gratë, pleqtë dhe fëmijët e pambrojtur. Por me gjithë propagandën dhe përpjekjet e pushtuesit italian për të tërhequr minoritetin shqiptar në anën e tij dhe pavarësisht se popullsia çame kishte vuajtur shumë para dhe gjatë regjimit fashist të Metaksait, ajo përgjithësisht mbajti qëndrim neutral ndaj palëve në konflikt.

Pas thyerjes së ushtrisë italiane dhe tërheqjes së tyre nga Greqia, qeveria greke ndërmori një valë të re dhune dhe terrori mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë. Të burgosurit dhe të internuarit çamë u liruan vetëm pas pushtimit të Greqisë nga ushtritë gjermane, në një gjendje shëndetësore e shpirtërore të rëndë.

Dihet se pas pushtimit të Greqisë nga gjermanët, çamët e kthyer nga internimi nuk u hakmorën ndaj shkaktarëve të tyre. Me përjashtim të disa incidenteve sporadike dhe krejt individuale, popullsia çame u ngrit mbi pasionet dhe urrejtjen nacionaliste dhe zgjodhi rrugën e bashkëjetesës e të bashkëpunimit me popullsinë e krishterë, për të përballuar bashkërisht gjendjen e rëndë që u krijua pas pushtimit gjerman.

Njerëz me ndikim në krahinë, si Musa Demi, Shuaip Llajo, Isuf Izeti, Xhaferr Çafuli, Jasim Sadiku e shumë të tjerë u përpoqën të krijonin atmosferën e mirëkuptimit midis dy komuniteteve, greke e shqiptare. Veprimtaria e tyre u mbështet nga popullsia çame. Kështu, banorët e Varfanjit, të Salicës etj. dërguan përfaqësuesit e tyre në fshatrat e krishtera, ku burrat ishin larguar nga frika e hakmarrjes, duke i siguruar që të ktheheshin, se asgjë e keqe nuk do t’u ndodhte.

Por qarqet shoviniste greke nuk ishin të interesuara për bashkëjetesën paqësore e normale midis komuniteteve greke e shqiptare.  Duke përfituar nga situata e turbullt e luftës dhe për të ndezur armiqësitë, organet e administratës e të xhandarmërisë kuislinge greke të Çamërisë nxitën vrasjet e disa çamëve me influencë. Të revoltuar nga këto akte, një grup çamësh u drejtuan për të djegur Rahulin, por u doli përpara popullsia e Karbunarit, një fshat i madh i përbërë prej shqiptarësh, dhe ndaloi një katastrofë të sigurt. Megjithatë, më pas bandat e Zervës therën mizorisht gratë dhe fëmijët e Karbunarit.

Gjermanët u përpoqën që ta hidhnin minoritetin shqiptar në luftë kundër EAM dhe Frontit Nacionalçlirimtar, me anë të një propagande me ngjyra të theksuara nacionaliste, por në disa raste edhe me masa represive. Gjermanët, në aparencë, mbanin lidhje dhe me disa nacionalistë shqiptarë, kryesisht me vëllezërit Dino, të cilët shpresonin se gjermanët do të ndihmonin për çlirimin e Çamërisë. Duke shfrytëzuar këtë politikë të dyfishtë të gjermanëve, nacionalistët shqiptarë ngritën këshilla lokale shqiptare në të gjithë Çamërinë. Pjesëtarë të Këshillit Krahinor të Çamërisë ishin njerëz me influencë si vëllezërit Dino, Adem Muha, Hamza Rexhepi, Hizder Ahmeti, Mahmut Mala, Ramadan Sulo, Bido Taho, Haxhi Shehu etj. Këshilli Krahinor kryente në një farë mënyre detyra të qeverisjes lokale, siç ishte mbajtja e rregullit dhe e qetësisë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve, interesohej për hapjen e shkollave shqipe etj.

Pikërisht kjo veprimtari i shqetësoi qeveritarët e Athinës dhe forcat e tjera të djathta. Ndaj qeveria kuislinge greke e Ralisit ia parashtroi Nojbajerit, të dërguarit të posaçëm gjerman për Evropën Juglindore, kërkesën këmbëngulëse “për rivendosjen e prefektit dhe administratës greke në Thesproti, të cilat do të kryenin funksionet e tyre zyrtar, duke u mbështetur në Vermahtin gjerman”. Mirëpo autoritetet gjermane mbajtën një qëndrim të dyfishtë: nuk e njohën zyrtarisht veprimtarinë e Këshillit Krahinor çam, si një administratë lokale shqiptare, por, nga ana tjetër, ata nuk i dhanë përgjigje zyrtare kërkesës së qeverisë kuislinge të Ralisit dhe nuk e përmbushën atë. Autoritetet gjermane, duke u nisur thjesht nga interesat e tyre ushtarake, e pranuan në heshtje punën e Këshillit Krahinor. Ky qëndrim i luhatshëm i gjermanëve ndryshoi në mënyrë dramatike në verën e vitit 1944, kur ata, duke synuar të mbanin Zervën në një pozicion neutral, çarmatosën një pjesë të popullsisë shqiptare të Çamërisë dhe lejuan forcat e Zervës të sulmonin fshatrat shqiptare.

Nacionalistët çamë nuk i përkrahën përpjekjet e oficerëve britanikë për të arritur një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën EDES të Zervës. Arsyeja kryesore e mosarritjes së kësaj marrëveshjeje ishin qëllimet diametralisht të kundërta të të dyja palëve. Shqiptarët synonin bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë, ndërsa përkrahësit e Zervës jo vetëm që e kundërshtonin me çdo mënyrë atë, por prisnin rastin e volitshëm për një sulm vendimtar mbi Çamërinë, për të realizuar spastrimin etnik të saj.

Nacionalistët çamë bënë përpjekje për t’u lidhur dhe me Shtabin Aleat të Mesdheut, më qëllim që të mënjanonin rrezikun zervist që i kanosej Çamërisë. Gjermanët në raportet e tyre pohonin se grupi i nacionalistëve shqiptarë “është gati të lidhet me këdo, mjaft që të bashkojë Çamërinë me Shqipërinë”. Por këto përpjekje nuk patën sukses, mesa duket për arsye të mosbesimit të britanikëve, por dhe nga shpresa që ata kishin në të djathtën greke, me ndihmën e së cilës ata mendonin se do të mund të realizonin synimet e politikës angleze.

Rreziku i reprezaljeve nga bandat e Zervës i bënë më të vetëdijshëm nacionalistët çamë që të këmbëngulnin në bashkimin e forcave politike shqiptare. Ata disa herë bënë thirrje për të shmangur luftën vëllavrasëse dhe për bashkimin e të gjitha forcave për mbrojtjen e kombit e në këtë kuadër edhe për mbrojtjen e Çamërisë. Në një letër që Nuri Dino i dërgoi Shefqet Peçit kërkonte hedhjen e bazave të bashkimit me kushtin e vetëm “që të mos preken parimet tona dhe karakteri kombëtar”.

Ndërkohë, popullsia çame u organizua dhe kontribuoi me formacionet e saj dhe ato të përbashkëta me popullsinë greke në luftën kundër pushtuesve nazifashstë. Misioni Britanik, që kreu hetime në Çamëri pas luftës nuk e mohonte pjesëmarrjen e çamëve në radhët e EAM dhe jepte një shifër prej 700 luftëtarësh. Edhe biografi i Zervës, Mihal Miridhaqi, jep shifrën e 1 000 luftëtarëve shqiptarë nga Çamëria që morën pjesë në formacionet e EAM.

Por kontributi i pamohueshëm i shqiptarëve të Çamërisë në Luftën Antifashiste nuk i shërbeu mbrojtjes së lirisë dhe jetës së tyre. Qysh në vitin 1943 njësitë e EAM në Çamëri dominoheshin nga tendencat nacionaliste dhe në radhët e tij po shtohej numri i dezertimeve dhe i atyre që po bashkoheshin me EDES. Ndaj luftëtarëve çamë mbaheshin qëndrime fyese dhe të dyshimta. Në organet drejtuese të EAM a në përbërjen e këshillave nacionalçlirimtare nuk u caktua asnjë shqiptar. Në të kundërt, pjesëmarrja e shqiptarëve në radhët e EAM i shërbeu Zervës si një pretekst për të ndërmarrë ofensivën e përgjakshme në Çamëri. Misoni Ushtarak Britanik nuk e vlerësoi këtë kontribut të shqiptarëve, madje ai e pa atë me dyshim, pasi ishte i preokupuar vetëm për suksesin e EDES në ballafaqim me EAM.

  1. Spastrimi etnik i Çamërisë

Spastrimin etnik të Çamërisë e kryen forcat e EDES, të udhëhequra nga Napoleon Zerva. Shumë dokumente hedhin poshtë tezen greke se çamët ikën bashkë me gjermanët kur u tërhoqën për në Shqipëri, për arsye se ndiheshin fajtorë për krimet e kryera. Burimet britanike, amerikane dhe greke vërtetojnë se spastrimi etnik i Çamërisë u bë me metodat më barbare dhe të përgjakshme. Shefi i Misionit Britanik në Greqi, koloneli Monague Woodhouse, i raportonte Forin Ofisit se “Zerva i ndoqi çamët nga shtëpitë e tyre në vitin 1944. Dëbimi u krye me gjakderdhje të madhe. Qëllimi ishte dëbimi i popullsisë së padëshirueshme nga vendi i vet”. Madje edhe vetë Zerva, në një letër dërguar Dani Popoviçit, e porosiste që “të merrte përsipër detyrën e spastrimit të Çamërisë nga shqiptarët”.

Fushata e Zervës për spastrimin etnik të Çamërisë filloi në fund të qershorit 1944. Trupat e Divizionit X të EDES, të komanduara nga Kamara, më 26 qershor u futën në Çamëri nga ana e Paramithisë dhe Margëllëçit. Të përgatitur mirë për këtë sulm, ata bllokuan popullsinë e këtyre vendeve me qëllim që ta shfarosnin atë. Zerva dhe oficerët e tij, duke u betuar për flamurin grek dhe në nderin ushtarak, e gënjyen parinë e Paramithisë se askush nuk do të pësonte gjë. Kështu që gjithë popullsia e Paramithisë qëndroi në vend pa u larguar. Më 27 qershor filloi masakra, ku u vranë, u therën dhe vdiqën nga torturat më tepër se 600 burra, gra e fëmijë. U përdhunuan mjaft gra e vajza e shumica e tyre u mbyllën në burgje.

Pas këtij sulmi të shëmtuar, Zerva u përpoq të detyronte parinë e Çamërisë që të pranonte një marrëveshje, e cila synonte përdorimin e popullsisë Çame në favor të qëllimeve të tij. Shefi i Misionit Ushtarak Britanik ishte nismëtar i këtyre bisedimeve për marrëveshje, duke synuar të ndihmonin dhe të fuqizonin EDES në konfliktin me EAM. Por populli shqiptar i Çamërisë i gjendur në një pozitë të vështirë nuk pranoi të futej në luftën midis forcave rivale në Greqi. Pas dështimit të bisedimeve, Zerva nisi kundër Çamërisë sulmin e përgjithshëm të 8 korrikut 1944.

Sulmin e Zervës e ndihmuan edhe gjermanët. Ata bënë çarmatosjen e një pjese të popullsisë, me urdhërin e drejtpërdrejtë të Hitlerit. Gjermanët, në këtë rast, nuk përfillën as lutjet e atyre nacionalistëve shqiptarë çamë, që kishin besim se Gjermania do t’i ndihmonte për të realizuar aspiratat e tyre për bashkim kombëtar. Një rol inkurajues në spastrimin etnik të Çamërisë luajti edhe Misioni Ushtarak Britanik në Greqi, duke toleruar me ndërgjegje veprimet kriminale të Zervës në shkëmbim të angazhimeve të Zervës në luftë kundër gjermanëve. Misioni Britanik në Greqi favorizoi hapur EDES, sepse ai e kishte kuptuar se kjo forcë, megjithëse e vogël, ishte e vetmja pengesë për vendosjen e kontrollit të plotë të EAM në Greqi.

Vala tjetër e masakrës ndaj popullsisë çame u krye në fund të gushtit dhe fillimin e shtatorit, për t’u pasuar me fushatën e spastrimit që u ndërmor në muajin tetor 1944.

* * *

Rezultatet e këtyre spastrimeve kanë qenë më të vërtetë tragjike. Nga një popullsi prej 35 000 vetësh që ishte para lufte, në Çamëri mbetën vetëm disa dhjetëra familje shqiptarësh myslimanë. Gjatë masakrave të qershor – tetorit u vranë 2 000 burra, gra, fëmijë e pleq dhe u grabitën pasuritë e tyre.

  1. Shqiptarët e Greqisë kërkojnë të emigrojnë në Shqipëri

Nisur nga repersioni i shtuar i autoriteteve greke, në fillimin e vitit 1944, shqiptarë me banim në Greqi kërkuan nga autoritetet shqiptare që t’u krijonin mundësinë e emigrimit në Shqipëri.

Më 9 mars 1944, Servet Jero e Mehdi Jero, nga Leskoviku, dhe qysh prej shumë vitesh familjarisht banues në Selanik, i dërgojnë këtë lutje Ministrisë së Punëve Botore, përkatësisht Komisionit të Instalimit të Emigracionit, në Tiranë:

“Meqenëse qeveria greke na ka grabitur gjithë pasurinë e patundshme dhe më vonë, me rastin e internimit tonë prej qeverisë në fjalë në Midlin, grabitja e çdo lloj sendeve të luajtshme shtëpiake, natyrisht banimi ynë edhe mbas këndej në Greqi nga çdo pikëpamje është e padurueshme, kështu që për me shpëtue nga mjerimet e nga vuajtjet e vështira dëshirojmë të emigrojmë familjarisht në Atdheun tonë Shqipëri, këtu në Tiranë”.

Në lutjen e tyre, Servet Jero e Mehdi Jero kërkonin nga autoritetet shqiptare “caktimin e një lokali për banim familjar për dhjetë frymë”.

  1. Falënderim i Nuri Dinos për Komandën Gjermane

Disa nga nacionalistët çamë zgjodhën që të bashkëpunojnë me pushtuesin gjerman. Njëri nga ata ishte Nuri Dino. Siç u trajtua dhe më sipër, ata synonin bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë dhe shpresonin në mbështetjen gjermane për realizimin e këtij qëllimi.

Më 8 prill 1944, Dr. Nuri Dino i drejton një letër Ministrisë së Jashtme, në Tiranë, ku e informon se Komanda Gjermane e XXVV A.Geb.K të Janinës kishte ndaluar autoritetet dhe Gjendarmërinë Greke të funksiononte në Çamëri qysh prej tre muajsh duke ia lënë administrimin e kësaj krahine Këshillave Nacionale Shqiptare të çdo kryevendi, d.m.th. Filat, Gumenicë, Paramithi, Margëllëç dhe Pargë edhe një Këshilli Nacional Shqiptar të Përgjithshëm për gjithë Çamërinë. Sipas z. Dino, kjo gjë kishte prodhuar një kënaqësi të madhe në gjithë Çamërinë edhe menjëherë ishte formuar edhe xhandarmëria e vendit.

Për këtë mirësjellje gjermane kundrejt çamëve që ju njihej ai vend, z. Dino i lutej Ministrisë së Jashtme, në Tiranë,  “me marrë shënim dhe n’emën të Qeverisë Shqiptare me i shfaq Komandës Gjermane të Janinës falënderimin edhe kënaqësinë për këtë veprim me rëndësi Kombëtare”.

Letra është protokolluar në arkivin e Ministrisë së Jashtme me nr. 52 rezervat, datë 1 maj 1944. 

  1. Shqiptarë ortodoksë bashkëpunojnë me Zervën

Në fondet arkivore të shtetit shqiptar, ka dhe ndonjë dokument që tregon bashkëpunimin e shqiptarëve ortodoksë më bandat e Napoleon Zervës.

Njëri nga këto dokumente është shkresa rezervat nr. 2043, protokolluar më 4 shtator 1944, e zëvendësisht ministrit të Punëve të Brendshme (njëherësh dhe kryeministër), Fiqri Dine, drejtuar Kryesisë së Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Kulturës Popullore, me të cilën ju përshkruan tekstualisht telegramin që i kishte dërguar prefekti i Gjirokastrës, Veip Runa: “Nga informata të sigurta rezulton se shumë burra miq të Greqisë, sidomos shqiptarë ortodoksë nga kjo krahinë e nga Himara, janë mobilizue prej Zervas”.

Ky telegrami i dërguar nga prefekti Runa Ministrisë së Brendshme është i hartuar në gjuhën gjermane, në gusht 1944.

VIJON NUMRIN E ARDHSHËM

LEXO EDHE:

Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve

Aspekte nga mizoritë greke ndaj shqiptarëve, 1912-1926

Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve në vitet 1923-1924

Dëshmi të mizorive greke ndaj shqiptarëve në vitet 1924-1926

 


Etiketa: , , , ,

Pas