Një grup mjekësh deklarojnë se spitalet rajonalë duhet të vihen në punë sa më shpejt, ashtu sikundër janë, në kuadër të luftës me Covid-19.
Në një takim me kryedemokratin Basha, bluzat e bardha u shprehën se nuk është zgjidhje sjellja e pacientëve në Tiranë nga anembanë Shqipërisë.
Kryeqyteti, thanë mjekët, jo më kot është vatra më e rëndë e Covid-19. Sipas tyre, spitalet rajonale mund të japin një ndihmesë të madhe në përballjen me pandeminë.
Edlira Beqiri: Mendoj se sa më shpejt duhet të vihen në punë spitalet rajonale ashtu siç janë, me atë infrastrukturë që kanë. Mjekët nëse kanë nevojë për t’u trajnuar…mundësitë e trajnimit në fakt duhet të ishin shfrytëzuar deri tani në gjithë këto muaj që ishin në dispozicion për të trajnuar mjekët nëpër spitalet e rretheve. Nuk është zgjidhje kjo që kanë bërë deri tani duke i sjellë gjithë të sëmurët anembanë Shqipërisë duke i sjellë në Tiranë.
Leon Shpataraku: Duke futur në lojë spitalet rajonale, duke shtuar testimet, çfarë ndodh? Që aty fillon momenti kur testohet individi, kapet vatra dhe arrihet që që në fazën e parë të ndalohet fluksi. Është bërë si dinamikë një e dy a ta bie në Tiranë! Ku do e biesh në Tiranë? Po këtë nuk e merr askush përsipër. Kështu që dalja jashtë loje e spitaleve rajonalë unë mendoj që e ka sjellë gjithë këtë lloj rëndese në Tiranë sepse edhe në media thuhet që vatra më e rëndë është Tirana. Tani Tirana normalisht që është një vend me popullsi të madhe si kryeqytet, por duke pasur ndihmesë nga spitalet rajonalë unë mendoj dhe e them me bindje të fortë se tani hyjmë në një fazë që kalon 8-9 muaj dhe nuk po them se jemi perfektë, specialistë, por japim opinione duke marrë në konsideratë dinamikën e rasteve.