Gati 300 mjekë të sapodiplomuar janë regjistruar për të dhënë provimin e shtetit dhe gjysma e tyre janë gati për t’u testuar në raundin e parë. Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Din Abazaj shprehet se mjekët po e kryejnë praktikën në institucione të ndryshme shëndetësore publike. Pas dhënies së provimit të shtetit, këta mjekë do të marrin edhe licencën e ushtrimit të profesionit. Por, megjithëse sipas ligjit “Për profesionet e rregulluara”, të gjithë mjekët duhet të licencohen, për ata të qendrave shëndetësore ky proces ka mbetur mbrapa, ndërkohë që brenda këtij viti ata janë të detyruar të marrin licencën. Kreu i Urdhrit të Mjekut thekson se edukimi në vazhdim është një domosdoshmëri për mjekët, por ai nuk duhet të bëhet thjesht me një konferencë dhe marrje kreditesh. Sipas Abazajt, aktivitetet për edukimin në vazhdim duhet të organizohen brenda spitaleve, duke dhënë dhe shembuj praktikë të profesionit.