Mjeku pneumolog Arjan Mezini deklaroi mesditën e sotme në një bashkëbisedim online me presidentin Ilir Meta, se duhen 8 mijë testime në ditë që të merret kontrolli i situatës pandemike.
Gjatë fjalës, Mezini hodhi poshtë pretendimet se testimet e shumta nuk japin rezultat dhe se mund të nxjerrin situatën jashtë kontrollit.
Mjeku i spitalit “Shefqet Ndroqi” gjithashtu tha se të prekurit nga Covid-19 nuk mund të trajtohen në ambulancë, me burim të kufizuar oksigjeni.
“Testimi masiv është shumë i rëndësishëm jo vetëm për identifikimin dhe ndërprerjen e zinxhirit të kontaktit, por do ta shihja testimin masiv dhe në një drejtim: do të dimë gjendjen që kemi në spitale, dy javë pas testimit.
Dhe sigurisht do mund të jemi të përgatitur dhe s’do të na ndodhë që njerëzit të presin me orë të tëra në autoambulanca. Dimë kapacitetet që kemi dhe mënyrën si do të shpërndahen. Duke ditur dhe numrat, përcakton edhe kapacitetet spitalore. Kështu do të mund të shpërndajmë pacientët që të mos presin me orë të tëra në ambulance”, – u shpreh Mezini.