Aktualitet

Mjeshtri i mundjes klasike rrëfen jetën, karrierën e tij/ Pirro Kokalari, kampioni intelektual i sportit








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:16 - 24/09/20 |
mapo.al

Intervistoi Ulvi Zajmi


Një histori, karrierë sa sportive aq njerëzore e panjohur e një kampioni, e një sportisti, i pathyeshëm në tapet, triumfues në beteja të mëdha në Shqipëri e jashtë saj.


Një histori pak ndryshe e një sportisti intelektual, një inxhinier në profesion, njëkohësisht kampion, madje në një sport të vështirë, të sakrificës, siç është mundja, ajo klasike.


Pirro Kokalari, përfaqësues i Partizanit, kombëtares për shumë vite, me një karrierë të gjatë, triumfuese, model në stërvitje e garë, të cilin e udhëhiqte urtësia, thjeshtësia, bashkëpunimi në grup. Shumë i respektueshëm nga kundërshtarët, ndonëse me ata ka ndarë përballjet aspak të lehta, e rivalitetin e madh të kohës.


Mundës i peshës së rëndë, mbi dhjetë vite kampion radhazi, karriera e Pirro Kokalarit do të nisë jo në këtë disiplinë, por si një basketbollist me Agim Fagun në skuadrën e të rinjve të Partizanit.


Pirro, si lindi dëshira për t’u angazhuar me sport?

Jam i datëlindjes 1950. Fillimisht jam marrë me basketboll, kur Met Kruja, nisur nga shtati im, më regjistroi me skuadrën e basketbollit të të rinjve të Partizanit, me trajner Njazi Lleshin. Bashkë me Agim Fagun, ishte një brez plot talente.

Një adoleshencë e vështirë për ju?

Kam qenë nxënës në shkollën Kristoforidhi, pastaj te Kongresi i Lushnjës, ku mbarova klasën e tetë. Kam një adoleshencë pak ndryshe, pasi kam qenë 5 vjeç kur mbeta jetim nga babai. Për fëmijërinë time ishte gjyshja nga babai që u angazhua, më rriti, si dhe mamaja nga fisi i njohur i Nishanit, është kujdesur për mua. Si dhe njerëzit e saj.

Dhe nga basketbolli në mundje, si ndodhi?

Kalimi në mundje, ishte i shpejtë. Mund të mos e besoni, por një ndër motivet ishte Herkuli, duke parë filmin me aktorin e famshëm Stive Rives, trupi i bukur i tij, plot forcë, na joshte të gjithëve. Stërviteshim me mjete rrethanore, duke përdorur shtanga dhe mundje. Ishte kampioni Hysen Olmi që ndikoi, madje ka qenë deciziv që karriera ime të merrte udhë në këtë sport.

Vjen konkurrimi i parë, por zhgënjyes?

Në Shqipëri, mundësit e peshës së rëndë ishin të pakët. Konkurrimin e parë e kujtoj, ka qenë në Korçë në vitin 1967, në kampionatin e të rinjve. Isha 17 vjeç, korrik. Marr pjesë si mundës i Partizanit, por nuk kualifikohem. Ishim shumë të rinj. Zura vendin e dytë, u dëshpërova. Kujtoj një ndeshje, që humba ndjenjat, nga një lëvizje e qafës. Vetëm pas dy vjetësh fitova tetë takime, u shpalla kampion me të rinjtë.

Është brezi i një grupi që do të krijojë traditën, me Pirro Kokalarin në skuadër?

Partizani kishte mundësi, sportistë të talentuar në ato vite. Nga të cilët kujtoj Suvorov Nikollën, Bashkim Likën, Skënder Lamajn, Ylli Sulan, Ruzhdi Kolën etj. Trajner kishim Alush Abdihoxhën.

Më thatë se ky sport nuk ishte traditë familjare?

Po, është e vërtetë që kjo disiplinë, por edhe sporti në përgjithësi, nuk ishin aspak traditë e familjes, pasi të gjithë, si nga babai edhe mamaja, ishin të gjithë të shkolluar, sporti ishte pak larg me idetë, preferencat e tyre. Edhe për mua dëshira e tyre ishte të bëhesha inxhinier ndërtimi. Shkak që të merresha me sport u bë Luigj Shala, mësuesi im pasionant. Kam qenë 14 vjeç.

Keni një moment mosmarrëveshje me mamanë?

Kur u shpalla kampion me të rinjtë, siç ju thashë në korrik të 1969-s, po në Korçë, mamanë, Vitore quhej, kur e takonin, i thoshin “urime për Pirron”. Ajo nuk e kuptonte, pasi nuk i kisha treguar, se e dija si do të reagonin. Nuk do të pranonin, madje do më pengonin të shkoja. E nervozuar, erdhi në shtëpi, “ti na ke thënë se shkon në basketboll”, më thotë. Ndërsa ti shkon në mundje. As Kokalarët as Nishanët nuk e kanë për traditë të grinden, e shprehu inatin e thellë që kishte duke i rënë ballit si shenjë mosaprovuese.

Por shpejt vjen mirëkuptimi në familje, apo jo?

Ishte shërbimi i detyruar ushtarak që më largoi për pak kohë nga familja, por si një sportist, mundës kampion, i angazhuar me skuadrën ushtarake, vij në Tiranë, të marr pjesë në Spartakiadën e Ushtrisë. Ishte mundja që më dha këtë shans, dhe nuk më ka zhgënjyer. Edhe për mamanë ishte një mundësi më shumë të më kishte afër.

Pirro, mundja një sport përtej dashurisë për ju?

Jo vetëm për mua, por edhe familja, në veçanti mamaja, u miqësua me të, nuk e konsideronte më asnjëherë kundërshtare, por si pjesë të edukimit tim. Mbi të gjitha, ajo donte shkollimin tim. Pra, ky pretendim, tolerim i saj që unë të mos ndahesha me sportin e mundjes, ishte si një kompromis, që unë të vazhdoja shkollën e lartë. Ishte e vështirë që ajo ta kuptonte thellë dashurinë e një djali të ri me sportin.

Dhe ju nisni rrugën e kampionit, gati për një dekadë jeni i tillë?

E vërtetë, janë vite plot ndeshje, fitore, suksese dhe kënaqësi pa fund. Si në aspektin personal e profesional për mua, por edhe për klubin. Kam arritur rezultate të rëndësishme, si në aktivitete kombëtare edhe ato ndërkombëtare. Gati për një dekadë.

Rikthehemi pak te shkollimi?

Mbarova teknikumin e ndërtimit, jo e lehtë edhe për angazhimet e mia sportive, se më duhej të bëja sport e të studioja. Arrita ta përfundoj atë me dëshirën dhe qëllimin për të vazhduar të lartën, pra universitetin, në inxhinieri ndërtimi. Mundësia m’u dha disa vite më vonë.

Njëkohësisht ju pëlqen edhe Instituti i Lartë i Edukimit Fizik, në Tiranë?

Po, dhe e kam kryer duke qenë njëkohësisht student-mundës, pasi ishin pasione, dëshira të njëjta për mua. Nga njëra anë ajo sportive dhe nga ana tjetër ajo e inxhinierit, një profesion jete, për vete, por dhe dëshirën e palëkundur të hershme të traditës familjare. ILKF e përfundova më 1975, ndërsa inxhinierinë e ndërtimit më 1979.

Kalojmë pak tek aktivitetet ndërkombëtare?

Janë disa pjesëmarrje, të niveleve të larta, me kundërshtarë të fortë, me eksperiencë, dhe në një peshë që nuk do shumë komente, tejet e vështirë. Janë mundës me shumë sfida ndërkombëtare, ku në veçanti shquheshin lindorët, që e kanë për traditë dhe historikisht kishin mundës konkurrentë, të fortë dhe kampionë.

Ju kujtohen pjesëmarrjet e para?

Sigurisht. Ka qenë Rumania, dhe përballë kam një kundërshtar vendas. E fitoj takimin, që më rrit sigurinë për sfidat e tjera. Në vitin 1972 Shqipëria merr pjesë në Kampionatin Botëror të Mundjes në Helsinki, Finlandë. Nuk pata rezultate pozitive.

Pse, cilat ishin motivet?

Unë isha i peshës 85 kg, kjo ishte pesha trupore që kisha. Kundërshtar kisha mundës mbi 100 kg, pra ishte e pamundur të garoja me ta. Nuk refuzova të ndeshesha ndaj tyre, por i humba të dyja takimet. Kujtoj se në këtë turne mundësi Iljaz Guri zuri vendin e 6-të që për kohën ishte një rezultat i bujshëm.

Jeni sërish në një Kampionat Botëror, këtë herë në Katovicë?

Po, ka qenë viti 1974. Filluam stërvitjet, të drejtuara nga trajnerët e njohur Ylli Agolli e Bashkim Lika. Federata kishte nxjerrë një rregull, që pjesëmarrësi në këtë turne do të përzgjidhej njëri nga mundësit që do të fitonte dy nga tri ndeshjet e caktuara paraprakisht. Ndeshem me Iljaz Gurin, fitoj dy takime, por duke qenë se ai ishte fitues i vendit të 6-të, një botëror më parë, federata e zgjedh atë si konkurrues për në Katovicë.

Ka rivalitet, janë vite të kampionëve të njohur shqiptarë të tapetit?

Sigurisht, në ato vite kishte konkurrencë, mundës shumë të mirë, një brez i shkëlqyer. Garat në peshën e rëndë ishin tejet tërheqëse, kishin rivalitete. Isha unë, Guri, Toma etj. Jo vetëm në mjedise sportive e pallate sporti, por ato ndiqeshin edhe në televizor. Kujtoj se kam fituar medaljen e artë në Spartakiadën e 3-të Kombëtare të 1974-s, pas një ndeshjeje të paharruar me Iljaz Gurin, e cila u përsërit dy herë nga gjyqtaria.

Keni edhe një duel të pazhvilluar në Botëror, pse?

Siç ka ndodhur në rastet kur kundërshtari ishte nga shtete që Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike. Kështu më qëlloi edhe mua, ku në botërorin, atë të 1978-s, mundësi kundërshtar ishte nga Bashkimi Sovjetik, disa herë kampion bote, Rizancev quhej. Nuk dola në tapet, dhe sot e konsideroj një rast të humbur, që nuk të vjen ose të vjen rrallë në karrierë.

Pirro, je sportist i një brezi plot kampionë?

E tillë ka qenë ajo plejadë. Miq në jetë, rivalë në garë, stërvitje. Pastaj vjen koha e ndryshimit të brezave. Por tradita mbetet. Largohem unë, S. Gjenarali, Sh. Uka, S. Nikolla, M. Curri, Kola dhe vijnë Stërkaj, Spahiu, Rama, Malo, Dhelpra etj.

Vijnë vitet ‘90, largoheni për në Amerikë?

Jam larguar më 1996. Sa e vështirë ka qenë, kush e njeh emigrimin e kupton, e di mirë se çfarë problemesh ke kur largohesh nga vendi yt. Ka qenë Viron Bezhani që më ka ndihmuar. Ishte një jetë e re për mua, e re në çdo drejtim.

Por, filloni punë si trajner?

Ishte një ndër mundësitë për të punuar, pasi si inxhinier ishte thuajse e pamundur. Mundja e lirë në Amerikë zhvillohej vetëm dy muaj në vit, kryesisht në gjimnaze, se ajo klasike nuk njihej. Kisha dëgjuar për mundës shqiptarë, historitë e tyre, si korçari Petro Sturgji, një ish-kampion bote. Kisha fituar pak eksperiencë si zëvendëstrajner i Partizanit dhe i të rinjve të mundjes klasike në Shqipëri. Më 1989 kisha marrë një licencë të trajnerit ndërkombëtar.

Dhe fati ju buzëqesh, Pirro?

Ishte rastësi, më morën si trajner i shtetit të Pensilvanisë, dhe çuditërisht patëm një nisje të mirë. U shpallëm kampionë të Amerikës, në shtetin North Dakota. Ishte një dhuratë nga Zoti. Pas një lodhje, nga mbërritja në Amerikë, ku kam bërë shumë profesione të ndryshme, ndonëse asnjëri prej tyre pjesë e përgatitjes dhe shkollimit tim. Deri edhe shofer mauneje, pastaj mësues, si zëvendësues.

Ju keni qenë edhe sekretar i Federatës Shqiptare të Mundjes?

Për pak kohë, 1990-1992. Kam punuar edhe si inspektor në klubin 17 Nëntori, si inspektor i Bashkisë së Tiranës, dhe për një periudhë kohe në policinë ndërtimore të kryeqytetit.

Vini shpesh në Shqipëri?

Po, por ju them me sinqeritet, se kur jam kthyer për herë të parë, pas shumë vitesh, kam ndjerë një trishtim të madh, kur mjaft miq, shokë nuk i gjeta. Nuk jetojnë më, si N. Pepa, D. Berberi, F. Kapllani, D. Mancaku, L. Muka, M. Curri. Takova dhe u çmalla me ata që kishin mbetur, ndër ta Gurin, Vason, Hukën, Gjenaralin, Nurin, Bezhanin, Cibakun, Lekën, F. Yllin etj. Askush nuk më kishte harruar dhe kjo më emocionoi më shumë. Për ne ato ndeshje, ato kapje ishin edhe si një përqafim i madh, miqësi e paharruar.

Pirro, pak fjalë për familjen?

U martova shumë i ri, nuk isha i përgatitur për një jetë familjare të mirëfilltë, me përgjegjësi, siç duhet e kërkohet. Kam bërë disa gabime, thjesht nga papjekuria e moshës. Kam dy djem, Peters i lindur më 1973 në valën e angazhimeve të mia sa sportive aq universitare. Edhe Danielin. Jam bërë 5 herë gjysh, nga nipat dhe mbesat që më kanë dhuruar djemtë që jetojnë në Amerikë. Kam motër Diana Kokalarin, ish-mësuese në gjimnazin “Qemal Stafa” në Tiranë dhe Luljeta Kokalarin, edhe ajo një inxhiniere në profesion.

Pirro, keni një bilanc tronditës në karrierë?

Jam 7 herë kampion kombëtar, 1 herë me të rinjtë dhe 6 herë me të rriturit. Si edhe 3 herë fitues i Kupës së Republikës, njëkohësisht jam edhe Mjeshtër Sporti. Kurrë nuk kam abuzuar me cigare, pije, kam qenë korrekt dhe i tillë kam mbetur. Kam pasur një pasion të madh për malin, detin, skitë, natyrën. Edhe sot ky pasion më ndjek nga pas ose më mirë jam unë që e ndjek atë. Një pasion që e ndaj me Amerikën, kur jam atje, kur vij në Shqipëri edhe në Austri ku jetoj.

 

 

 

 


Etiketa: , , ,

Pas